贫困---[pín kùn]---varfëria
Nga 14 deri më 16 tetor u mbajt në Pekin Konferenca e 2-të e Transportit të Vazhdueshëm Global e OKB-së dhe "eliminimi i varfërisë" u bë një fokus i vëmendjes së të gjitha palëve. Zhdukja e varfërisë është një sfidë me të cilën përballet i gjithë njerëzimi dhe Agjenda e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030 e rendit atë si objektivin kryesor.
Ma Junsheng, bashkëkryetar i palës kineze në konferencë dhe drejtor i Postës Kombëtare të Kinës, tha se kontributi i Kinës në uljen e varfërisë globale e tejkalon 70 %, dhe transporti luan një rol kyç në këtë drejtim. Qeveria kineze ka forcuar ndërtimin e objekteve postare rurale dhe rrugore, duke u siguruar të gjitha qytezave dhe fshatrave të kualifikuara automjete, rrugë dhe shërbime postare të drejtpërdrejta, për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë dhe rilindjen e zonave rurale.
Li Xuesong, drejtor i Institutit të Ekonomisë Sasiore dhe Teknike të Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore, vuri në dukje se deri në fund të vitit 2020, rrugët rurale në Kinë do të kenë një gjatësi prej 4.2 milion kilometrash, duke arritur objektivin që 100 % e qyteteve dhe fshatrave të kualifikuara të kenë rrugë të shtruara. Përveç këtyre, gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në fuksionim arriti në 38000 kilometra, duke përbërë më shumë se dy të tretat e gjatësisë së hekurudhave me shpejtësi të lartë në botë dhe duke mbështetur në mënyrë efektive jetesën e njerëzve dhe zbutjen e varfërisë.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Rrugëve Bill Chalkias vuri në dukje se projektet e transportit që synojnë arritjen e qëllimit të "lulëzimit të përbashkët" janë të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të transportit global. Sipas tij, qeveritë e vendeve të ndryshme duhet të formulojnë masa specifike zhvillimi sipas kushteve të tyre kombëtare, të përmirësojnë infrastrukturën e transportit, të zgjerojnë rrjetin e transportit dhe të ofrojnë zgjidhje të mundshme e të realizueshme për transportin sipas nevojave të tyre.
Znj. Ismahane Elouafi, kryeshkencëtarja e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, tha se, duke marrë si shembull bujqësinë, shumë studime kanë vërtetuar se infrastruktura e përsosur e transportit mund të realizojë lidhjen midis zonave të prodhimit bujqësor dhe tregjeve, duke përmirësuar kështu nivelin e të ardhurave dhe jetesën e fermerëve. Ajo bëri thirrje për bashkëpunimin ndërmjet sektorëve të transportit dhe bujqësisë, duke ndërmarrë nismën e përbashkët për të kombinuar pikat e forta të të gjitha palëve për të arritur me të vërtetë një zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale në të gjithë botën, për të përmirësuar kushtet e jetesës së të varfërve dhe për të ndihmuar në uljen e varfërisë.
Kina i kushton vëmendje rolit themelor dhe udhëheqës të transportit në promovimin e ndërlidhjes globale dhe lulëzimit të përbashkët, dhe ka forcuar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë me vendet e tjera në fushën e ndërlidhjes së transportit. Kina ka kryer me sukses bashkëpunimin në projektet e infrastrukturës hekurudhore dhe autostradave me shumë vende aziatike dhe afrikane. Numri i përgjithshëm i trenave ekspres Kinë-Europë i tejkaloi 31 000, duke arritur 92 qytete në 21 vende evropiane. Kina ka marrë pjesë në ndërtimin dhe vënien në funksionim të porteve të huaja, si porti i Pireut në Greqi, porti i Kolombos në Sri-Lankë dhe porti i Gvadarit në Pakistan. Me pjesëmarrjen aktive dhe përpjekjet e përbashkëta të vendeve përkatëse, korniza e ndërlidhjes e "gjashtë korridoreve, gjashtë rrugëve, vendeve të shumta dhe porteve të shumta" në thelb ka marrë formë. Një rrjet infrastrukturor gjithëpërfshirës dhe me shumë nivele, i fokusuar në hekurudhat, autostradat, transportin detar dhe ajror është duke u formuar me një ritëm të përshpejtuar. Kostoja e transaksioneve dhe qarkullimit ndër-rajonal të mallrave po zvogëlohet gradualisht, gjë që promovon rrjedhën e rregullt dhe shpërndarjen optimale të burimeve ndërrajonale, duke dhënë ndihmesë në eliminimin e varfërisë globale.