公平---[gōng píng]---Barazi
Rreth 75 vende, përfshirë Kinën, bënë thirrje të premten për solidaritet global për barazinë e vaksinave në Debatin e Përgjithshëm të Komitetit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Pandemia nuk njeh kufij. Zgjidhja e vetme qëndron në solidaritetin global, unitetin dhe bashkëpunimin shumëpalësh, thanë këto vende në një deklaratë të përbashkët."Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të interesuara të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të kontrolluar, zbutur e kapërcyer pandeminë dhe pasojat e saj, për të siguruar mbrojtje për më të prekurit, përfshirë gratë, fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, dhe të marrin masa për të kundërshtuar dezinformacionin,stigmatizimin, racizmin dhe ksenofobinë,” thuhet në deklaratën e mbajtur nga Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.
Deklarata e përbashkët pranon nevojën për të filluar trajtimin e vaksinës së COVID-19 si një produkt publik global për shëndetin. Në dokument vlerësohen kontributet e dhëna nga vendet dhe platformat përkatëse, si Përshpejtuesi i Qasjes në Mjetet për COVID-19 (ACT) dhe njësia e tij e vaksinave, programi COVAX, për promovimin e zotërueshmërisë dhe përballueshmërisë së vaksinave nëpërmjet kanaleve dypalëshe dhe shumëpalëshe.Sidoqoftë, barazia e vaksinave është ende larg arritjes. Përparimi në përhapjen e vaksinave ka qenë shumë i pabarabartë dhe i padrejtë. Shumë vende, në veçanti ato në zhvillim, ende kanë vështirësi në zotërimin dhe përballimin financiar të vaksinave, thuhet në deklaratë."Ne jemi gjithashtu të shqetësuar nga prirja shqetësuese e nacionalizmit të vaksinave dhe grumbullimi i dozave të vaksinave përtej nevojës.
foto nga VCG
Në këtë drejtim, ne mirëpresim thirrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t'i dhënë përparësi vaksinimit të njerëzve më të rrezikuar në të gjithë botën, të cilët ende nuk kanë bërë as dozën e parë."Deklarata e përbashkët u bën thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të interesuara që të rrisin përpjekjet e bashkërenduara për ndarjen e drejtë dhe të barabartë të vaksinave në vendet në zhvillim. Ajo gjithashtu u bën thirrje vendeve që i kanë mundësitë për prodhimin e vaksinave t’i mbajnë premtimet e tyre me veprime konkrete dhe të sigurojnë ofrimin në kohë dhe të përshtatshëm të mbështetjes me vaksina për vendet pritëse.Në deklaratën e përbashkët inkurajohet mbështetja për Përshpejtuesin e ACT-it dhe COVAX-in dhe u bëhet thirrje institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të ofrojnë mbështetje financiare për prokurimin e vaksinave dhe forcimin e aftësive prodhuese në vendet në zhvillim.
Deklarata mirëpret përpjekjet e shoqërisë civile, sektorit privat, qarqeve akademike dhe të gjithë aktorëve të tjerë në kërkimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, dhe u bën thirrje të gjitha shteteve dhe të gjitha palëve të interesuara të forcojnë solidaritetin global, të promovojnë bashkërisht shpërndarjen e drejtë, të përballueshme, të barabartë, në kohë e universale të vaksinave dhe të forcojnë prodhimin vendor të tyre në tërë botën.(Vera/Artan)