投资者---[tóu zī zhě]---Investitor
Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut publikoi të hënën “Raportin mbi mjedisin e biznesit në Hong-Kong”, ku demonstrohet perspektiva e ndritshme e mjedisit të biznesit në këtë rajon, hidhet poshtë përbaltja prej forcave antikineze në ShBA dhe u jepet besim investitorëve të mbarë globit.
Në këtë raport mbi mjedisin e biznesit, i pari pas kthimit të Hong-Kongut në gjirin e atdheut në vitin 1997, përgjithësohet gjallëria e këtij rajoni me fjalët “epërsi e veçantë dhe mundësi të pafund”. Një sërë të dhënash statistikore mund ta vërtetojnë këtë: gjatë 12 muajve deri në qershor 2021, në tregun aksionar u futën mbi 500 miliardë dollarë hongkongas, 50 për qind më shumë në krahasim me 12 muajt e mëparshëm; vëllimi i depozitimeve në bankat hongongase i kaloi 15 trilionë dollarët hongkongas, duke u shtuar 8 për qind në krahasim të njëjtën periudhë të kaluar. Në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia e Hong-Kongut pati ngritje prej 7.8 për qind, ndërsa papunësia u ul nga 7.2 për qind në 4.7 për qind. Tani ekonomia e Hong-Kongut është në prirjen e kthesës në formë “U”-je. Sipas “Treguesit të qendrave financiare globale”, të publikuar kohët e fundit nga institutet kërkimore, Hong-Kongu radhitet përsëri në vendin e tretë të botës, pas Nju-Jorkut dhe Londrës.
Faktet tregojnë se mjedisi i biznesit në Hong-Kong është i sigurt dhe plot gjallëri. Një gjë e tillë ishte e papërfytyrueshme gjatë periudhës nga qershori 2019 deri në fillim të vitit 2020, kur me nxitjen e forcave të jashtme, përfshirë ato amerikane, elementët antikinezë komplotuan “lëvizjen kundër rishikimit të Rregullores së Ekstradimit”, si dhe trazirat e dhunshme në vijim, të cilat jo vetëm goditën rëndë shoqërinë e ekonominë e Hong-Kongut, por prishën edhe mjedisin e mirë të biznesit që kishte pasur Hong-Kongu. Në janar dhe prill të vitit 2020, dy agjenci ndërkombëtare të klasifikimit të kreditit ulën përkatësisht nivelin e kreditit të Hong-Kongut, për shkak të trazirave shoqërore.
Hong-Kongu i përket Kinës, pse duhet të lejojë shkatërrimet nga forcat e jashtme? Kundrejt rendit publik në Hong-Kong, qeveria qendrore kineze mori një sërë masash, përfshirë hartimin e zbatimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong dhe përsosjen e sistemit zgjedhor në rajon, të cilat ka mbrojtur me efektivitet tregun dhe mjedisin e investimeve në Hong-Kong, si dhe të drejtat e interesat e ligjshme të investitorëve të këtë rajon.
Lidhur me këtë, ndërmarrjet në Hong-Kong kanë më shumë të drejtë fjale. Gjatë një viti të fundit, ndërmarrjet e huaja në Hong-Kong ka pasur zhvillim të qëndrueshëm. Dhomat e Tregtisë të ShBA-së, Austrisë, Britanisë dhe Malajzisë janë dakord se Hong-Kongu është përsëri një vend ideal për biznes. Në Festën e Sipërmarrjes në Hong-Kong në maj të këtij viti, morën pjesë afro 40 mijë veta nga 103 ekonomi të botës. Të gjitha këto tregojnë plotësisht se mjedisi i biznesit në Hong-Kong është bërë më i qëndrueshëm dhe me më shumë potencial. Ashtu siç vihet në dukje në “Raportin mbi mjedisin e biznesit në Hong-Kong”, lulëzimi i Hong-Kongut mbështetet te një bazë më e fortë dhe Hong-Kongu me parimin “Një shtet, dy sisteme” ka ende epërsitë e portit të lirë, sistemit të qëndrueshëm financiar, qarkullimit të lirë të kapitaleve, burimeve të pasura njerëzore dhe mjedisit të mirë ligjor.
Jo vetëm kaq, por Hong-Kongu ndodhet përpara mundësive edhe më të mëdha, pasi ai përfshihet në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, sipas Planit të 14-t Pesëvjeçar të Kinës. Këto raste të reja do ta bëjnë Hong-Kongun më tërheqës dhe më konkurrues për investitorët. (Wang Lei/ Artan)