图书---[tú shū]---Libër
Gjatë organizimit në shtator të Panairit Ndërkombëtar të Librit të Pekinit, u promovuan njëherësh katër “fryte” të Projektit të Përkthimit dhe të Botimit të Letërsisë Klasike Kinë-Shqipëri, që përkatësisht janë përkthimet në gjuhën shqipe të veprave “Tao Te Ching” e “Të jetosh” dhe variantet në gjuhën kineze të “Shqipëria nëpërmjet artistëve” e “Tregime të moçme shqiptare”. Këta libra, së bashku me mbi dhjetë botime të tjera pjesë e këtij projekti, u paraqitën në nënekspozitën tematike të panairit në kuadrin e kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Kinës.
Rezultatet e projektit paraqiten në Panairin e Librit të Pekinit
Për këtë, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, mbajti një videofjalim urimi, ku u shpreh se këto vepra pasqyrojnë historinë, kulturën e larmishme e të lashtë, si edhe mençurinë e të dy popujve, duke sjellë kënaqësi mendore gjatë kohës së veçantë pandemike. Përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri shprehu edhe shpresën për të parë edhe botime të tjera cilësore në kuadër të projektit të përkthimit, për të nxitur shkëmbimet kulturore-njerëzore, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe për të forcuar më tej miqësinë tradicionale midis dy popujve.
Ndër rezultatet e paraqitura në panair, varianti shqip i romanit “Të jetosh” të shkrimtarit të njohur kinez Yu Hua, u promovua më 17 shtator në Tiranë. Ceremonia e promovimit u organizua bashkërisht nga shtëpia botuese “Onufri” dhe Shoqata Kulturore Alb-China, dhe në të morën pjesë zv.ambasadori i Kinës në Shqipëri Bai Yunbin, drejtorja e palës kineze e Institutit “Konfuci” në Tiranë Zhang Xiaoying, sinologu i njohur shqiptar Iljaz Spahiu, si dhe të ftuar nga qarqet politike, kulturore, studimore, mediatike, botuese etj. Aktiviteti u njoftua nga RTSH-ja, “Top Channel”, “TvKultura”, “JavaNews” dhe Grupi Mediatik i Kinës.
Në vitin 2015, Kina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për Projektin e Përkthimit dhe të Botimit të Letërsisë Klasike, ku u vendos përkthimi dhe botimi përkatësisht i 25 librave më të njohur nga secili vend (50 libra gjithsej). Ky është projekti më i madh deri tani midis dy vendeve në fushën e botimeve. Deri tani janë botuar 20 vepra, duke përfshirë variantet në gjuhën kineze të veprave të Dritëro Agollit “Nënë Shqipëri” e “Njeriu me top”, dhe variantet në gjuhën shqipe të librave “Historia e Kinës” e “Rruga kineze e reformave dhe zhvillimit ekonomik”, si edhe libra të tjerë në fushat e letërsisë, kulturës, historisë dhe ekonomisë. Ceremonitë përkatëse të promovimit janë zhvilluar në Panairin Ndërkombëtar të Librit të Pekinit, Panairin Ndërkombëtar të Librit të Tiranës dhe aktivitetet përkujtimore për 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Shqipëri në vitin 2019, duke ngjallur interesimin e gjerë të lexuesve dhe të botuesve. (Zhang Yan/Artan)