气候---[qì hòu]---Klimë
Të mërkurën, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një takim virtual me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan për klimën John Kerry, i cili ndodhet në qytetin Tianjin të Kinës Veriore për bisedimet klimatike.
Siç bëhet e ditur nga Ministria e Jashtme kineze, të dy palët ranë dakord se bashkëpunimi në fushën e klimës midis dy fuqive të mëdha është i rëndësishëm.
Ministri i Jashtëm kinez i tha Kerry-t se bashkëpunimi klimatik Kinë-ShBA do t’i sjellë dobi njerëzimit, por ai nuk mund të veçohet nga përkeqësimi i marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe.
Wang Yi i kërkoi Uashingtonit të ndërmarrë veprime konkrete për të nxitur kthimin e marrëdhënieve dypalëshe në rrugën e duhur. “Ne kemi shfaqur sinqeritetin tonë. Çdo njeri që u takua me ju do të duhet të kalojë dy javë në karantinë, por ne jemi të gatshëm ta paguajmë këtë çmim për të diskutuar bashkëpunimin me ShBA-në për çështjet me interes të përbashkët. Për Kinën dhe ShBA-në, bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje e drejtë dhe ajo që pret bashkësia ndërkombëtare,” tha ministri Wang.
Kreu i diplomacisë kineze u shpreh gjithashtu se dy vendet kanë zhvilluar dialog dhe bashkëpunim frytdhënës në çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale, duke përfshirë ndryshimin e klimës, duke u sjellë dy vendeve e dy popujve përfitime konkrete. Arritjet e mëparshme tregojnë se dy vendet duhet ta respektojnë njëri-tjetrin dhe të kërkojnë pikat e përbashkëta duke mënjanuar mosmarrëveshjet, për të pasur rezultate me përfitime të ndërsjella.
Por, Wang Yi tha se një gjykim i gabuar strategjik i SHBA-së ka shkaktuar keqësimin e papritur të marrëdhënieve kino-amerikane në vitet e fundit, dhe tani topi është në fushën e palës amerikane. Ai i kërkoi palës amerikane të mos e shikojë Kinën si një kërcënim e kundërshtar, të ndalojë pengimin dhe shtypjen e Kinës në tërë botën dhe të marrë masa konkrete për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.
Wang Yi shtoi se pala amerikane e ka përshkruar bashkëpunimin dypalësh në ndryshimin e klimës si një “oazë” në marrëdhëniet dypalëshe, por nëse kjo oazë është rrethuar nga shkretëtira, atëherë edhe ajo herët a vonë do të shkretohet.
Nga ana e tij, ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu shpresën se të dy palët do të forcojnë dëshirën për të luajtur një rol udhëheqës në çështjen e ndryshimit të klimës dhe në premtimet e bëra për zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes së Parisit 2015.
“Duke marrë parasysh shkencën dhe gjendjen e tanishme, ne të gjithëve do të na duhet të merremi me këtë çështje për tërë jetën tonë,” tha Kerry, duke shtuar se bashkëpunimi për klimën do të krijojë mundësi për zgjidhjen e vështirësive në marrëdhëniet ShBA-Kinë.
Ai shtoi: “Kjo sfidë është po aq e madhe sa çdo sfidë me të cilën përballemi në tërë globin dhe Kina luan një rol shumë të rëndësishëm.”
Në tensionet politike midis Kinës dhe SHBA-së, ndryshimi i klimës është një nga pak fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Konferenca e Ndryshimit të Klimës e OKB-së që do të zhvillohet në Glasgou, do të jetë një mundësi për të shfaqur këtë bashkëpunim dhe udhëheqje. (Foto nga VCG)