北京烤鸭---[ běijīng kǎoyā]---Rosa e Pekinit
Jerida: Kur kemi folur për Murin e madh (Çhang Çën), keni përmendur një shprehje për ata që vizitojnë Pekinin “ Nëse nuk shkon te Muri i Madh nuk je burrë i mire, dhe nëse nuk provon Rosën e Pekinit është vërtetë për të ardhur keq”. Dhe ja sot erdhi radha për të folur për këtë gatim të famshëm jo vetëm në Kinë, por në gjithë botën.
Iljaz Spahiu: “Budao chengcheng fei haohan, buchi kaoya tai yihan”. Rosa e Pekini është vërtet diçka që nuk duhet humbur, ose siç e përmende edhe ti nëse nuk e provon është vërtetë për të ardhur keq.
Beijing kaoya fjalë për fjalë do të thotë Rosa e pjekur e Pekinit. Është një gatim tipik pekinez, fama e të cilit tashmë ka marrë botën. Si gatim ka filluar gjatë Dinastisë Jug-Veri ( viti 420-589), madje është shënuar edhe në “kronikën e gatimeve të çmuara” dhe njihej si gatim perandorak.
E ka marrë emrin, së pari për llojin e rosës. Unë kam vizituar një vend ku rriteshin rosa. Së dyti, për mënyrën e gatimit dhe të servirjes.
Rosat rriten për 65 ditë. Ka shije të veçantë nga ushqimi me të cilin rriten rosat.
Zihen fillimisht 2-3 herë dhe pastaj piqen ne furrë druri ose me qymyr për rreth 100 minuta.
Interesant është fakti se ajo kryesisht shërbehet vetëm me lëkurë, ose me fare pak mish.
Ceremonia e servirjes.
Rosa shërbehet nga vetë kuzhinieri pranë tavolinës. Ai të tregon numrin e rosës, madje ka dhe një çertifikatë që jepet për mysafirë të veçantë. Kuzhinieri me kapelen e gjatë të bardhë vjen tek tavolina, bëhen fotografi dhe pastaj pritet rosa e pjekur.
Rosa shërbehet me një lloj salce soje paksa të ëmbël, me qepë të njomë të prerë, feta kastraveci dhe peta të vogla ku futen të gjitha bashkë. Në fund supa e rosës serviret.
Rosa e Pekinit është pagëzuar me këtë emër gjatë dinastisë së mëvonshme Ming, që nga ajo kohë rosa e Pekinit ishte një nga pjatat kryesore në menutë e oborrit perandorak. Restoranti i parë i specializuar në rosën e Pekinit, u hap në vitin 1864 , dhe quhet “Quanjude kaoyadian”.
Restoranti Quanjude
“Quanjude” është restoranti më i famshëm për gatimin e rosës dhe pothuaj gjithë delegacionet e niveleve më të larta që vizitojnë Pekinin provojnë rosën në këtë restorant.
Jerida: Ju me siguri që duhet ta keni shijuar disa herë rosën e Pekinit apo jo?
Iljaz Spahiu: Unë kam qenë disa herë, qysh në vitet kur ishim studentë dhe më shpesh gjatë kohës që jetonim në Pekin-Beijing. Kam parë fotografitë e disa presonalitete të huaja, përfshirë edhe ato të vendit tonë në atë restorant.
Rosa e Pekinit është bërë simbol kombëtar, për të tërhequr si turistët ashtu dhe delegacionet zyrtare. Për shembull ish-sekretarit të shtetit të SHBA-së, Henri Kisinger gjatë vizitës së parë në Kinë në korrik 1971, iu ofrua nga nga ish kryeministri Zhu Enlai rosa e Pekinit dhe më vonë gjatë vizitave të shumta atje nuk linte asnjë rast pa shijuar edhe rosën.
Tani sigurisht ka disa restorante në Pekin, por asnjë tjetër nuk ta jep ndjesinë e dickaje të veçantë dhe hijerëndë si “Quanjude”, i cili thuhet se ruan edhe tani teknologjinë tradicionale të gatimit.
Një fakt tjetër interesant është se rosa duhet ngrënë në stinën e përshtatëshme, pasi ka shije unike dhe stinët më të mira janë dimri, pranvera dhe vjeshta.
Ka restorante kineze si në Tiranë ashtu edhe vende të tjera të Evropës, që pretendojnë se gatuajnë rosën e Pekinit është totalisht e pavërtetë.
Jerida: Përveç rosës, Pekini me siguri që duhet të ketë edhe kulturën e vet të kulinarisë. Mund të flisni pak për këtë?
Iljaz Spahiu: Kultura e kulinarisë, në kinezisht quhet “Yinshi wenhua”.
Kuzhina e Pekinit dallohet për gatime elegante, me llojshmëri shijesh dhe stil të vetin karakteristik. Është kuzhina ndoshta më e afrueshme dhe më e praneshme për shijet tona, pasi ka si bazë mishin e viçit dhe të qengjit, si dhe gatimet perandorake që kanë ardhur nga dinastitë Ming dhe Qing.
Pra kuzhina e Pekinit përbëhet nga gatimet lokale, gatimet me prejardhje nga vendet myslimane, gatimet perandorake , gatimet zyrtare etj.
Disa nga rregullat e tavolinës për pekinasit e vjetër:
Gjatë ngrënies shkopinjtë nuk duhet t’i lësh në tasin me oriz, sidomos kur ke te moshur ne familje, pasu kjo shihet si mungesë respekti ndaj tyre.
Pasi të mbarosh së ngrëni, në tas nuk duhet të ngelet asnjë kokërr orizi. Të vjetrit u thonë të rinjve se kështu do të marrin nuse me fytyrë vrarëlije, në fakt është për t’i edukuar që të jenë kursimtarë.
Kur kërkon sërish oriz nuk duhet të thuash “Yaofan- Duo oriz”, por “Zai yao yiwan”- ma mbush edhe pak, pasi pekinasit lypësit i quajnë “yaofande”
Nuk duhet të flasësh gjatë ngrënies. Sot sigurisht që ka ndryshuar pasi tavolinat shërbejnë edhe për biseduar, por dikur pekinasit thonin “Mos fol kur ha!”“食不言” 餐不语
Gjatë ngrënies nuk duhet të ndërroni vend, pra nuk duhet të lëvizësh sa këndej- andej, pasi vetëm lypësit shkojnë me tas në dorë derë më derë, duke lypur.
Jerida: Disa nga gatimet që ju rekomandoni për ata që vizitojnë Pekinin, ose që do të shkojnë në restorant kinez.
Iljaz Spahiu: Disa nga gatimet që duhet t’i provoni dhe që me siguri do tju përlqejnë janë:
Gongbao jiding, yuxiangrousi, tiebannierou, jiaozi, baozi, shaoqiezi, suanlatang, etj.
Jerida: Dhe në fund siç premtuam herën e kaluar një fjalor të gjuhës së përditshme. Radhën e kaluar mësuan numrimin nga 1 deri në 10.
Ndërsa sot do të mësojmë përemrat pronorë dhe ditët e javës.(Foto:VCG)
Përgatiti Iljaz Spahiu