排放---[pái fàng]---lëshim

Sipas raporteve të së martës nga media japoneze, qeveria japoneze dhe Kompania e Energjisë Elektrike e Tokios kanë vendosur "lëshimin në det të ujit të ndotur bërthamor të centralit bërthamor Fukushima Daiichi nëpërmjet tunelit nëndetar", për arsye se kjo mund të lehtësojë përhapjen e ujit të ndotur bërthamor në det.

Nëse ky lajm është i vërtetë, kjo do të thotë që qeveria japoneze nuk ka marrë parasysh kundërshtimet e ashpra brenda dhe jashtë vendit, duke hedhur një hap të rrezikshëm që kërcënon sigurinë e mjedisit global dhe shëndetin e njerëzve. Vendet fqinje aziatike dhe vendet bregdetare globale kanë të drejtë të ndërmarrin masa për të kërkuar kompensim nga pala japoneze.

Në prill të këtij viti qeveria japoneze deklaroi planin e vet për lëshimin e ujit të ndotur bërthamor të centralit Fukushima Daiichi në det pas dy vjetëve. Komuniteti ndërkombëtar e kritikoi ashpër këtë vendim. Nën presion, qeveria japoneze u përpoq të zbehë dëmet e ujit të ndotur bërthamor dhe shprehu "qëndrim bashkëpunimi", si ftesa ndaj grupit të hetimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të vlerësuar sigurinë e ujit të ndotur bërthamor brenda vitit.

Por në të njëjtën kohë, qeveria japoneze vazhdoi nxitjen e planeve të ndryshme për "afatin" e lëshimit të ujit të ndotur.

Në problemin e trajtimit të ujit të ndotur bërthamor të centralit Fukushima Daiichi, pala japoneze duhet ta kuptojë se ky nuk është një problem i brendshëm i Japonisë. Caktimi i fondeve të kompensimit për sektorin japonez të peshkimit s'mund të zgjidhë problemet globale. Sipas një studimi nga një institut gjerman për shkencat oqeanike, për shkak të rrymave të fuqishme oqeanike afër Fukushimës, uji radioaktiv do të përhapet brenda 57 ditësh në pjesën kryesore të Paqësorit, ndërsa në 10 vjet në të gjitha ujërat detare botërore. Ekspertët e organizatës "Greenpeace" janë të mendimit se karboni-14 që përmban uji radioaktiv mund të shkaktojë rreziqe për mijëra vjet dhe mund të sjellë dëmtime gjenetike.

Prandaj, problemi i trajtimit të ujit të ndotur bërthamor të centralit të Fukushimës lidhet me sigurinë e mjedisit ekologjik detar global dhe shëndetin e jetën e njerëzve në vende të ndryshme. Japonia nuk mund ta lëshojë ujin e ndotur bërthamor para arritjes së konsensusit me palët e interesuara dhe organizatat ndërkombëtare. Nëse Japonia këmbëngul për këtë veprim, komuniteti ndërkombëtar ka të drejtë të kërkojë kompensim ndaj Japonisë sipas ligjeve ndërkombëtare.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar, çdo vend e ka për detyrim të mbrojë mjedisin detar. "Çdo vend duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar që aktivitetet e tij nuk do të shkaktojnë dëmin e ndotjes të mjedisit të vendeve të tjera dhe që ndotja nga aktivitetet e veta nuk do të zgjerohet jashtë vendit". Në nenin e 235-të të konventës vihet në dukje se "çdo vend duhet të marrë përsipër detyrimet e veta sipas ligjit ndërkombëtar."

Japonia është vend anëtar i Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar, prandaj duhet të mbajë përgjegjësitë dhe detyrimet ndërkombëtare të saj. Sipas ekspertëve të ligjit ndërkombëtar, nëse uji i ndotur bërthamor i lëshuar nga Japonia shkakton dëmtime serioze të mjedisit, vendet përkatëse mund të paraqitin kërkesën për kompensim sipas vlerësimeve shkencore për nivelin e dëmeve ndaj mjedisit. (Xu Guang)