可耻---[kě chǐ]---i turpshëm
Këto ditë, zyrtarë të lartë amerikanë kanë kryer një numër vizitash në Kinë dhe në vendet përreth Kinës. Nga vizitat e zv.sekretares së Shtetit Wendy Sherman në Japoni, Korenë e Jugut, Mongoli dhe Kinë, deri në vizitën e sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Indi dhe vizitat e sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin në tre vende të Azisë Juglindore, zyrtarët e lartë amerikanë kanë promovuar në mënyrë të detyrueshme në vendet përreth Kinës strategjinë e Indo-Paqësorit të Uashingtonit. Kjo ka treguar qartë orvatjen e ShBA-së për të krijuar njëfarë rrethimi për kufizimin e Kinës, vë në dukje Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment të tijin.
Edhe pse Sherman-i deklaroi që ShBA-ja nuk kërkon të kufizojë zhvillimin e Kinës, faktet kanë treguar që Uashingtoni ndryshe flet dhe ndryshe vepron. P. Sh., Lloyd Austin, si anëtari i parë i administratës së tanishme të qeverisë amerikane që ka vizituar Azinë Juglindore, ka promovuar teorinë e “kërcënimit nga Kina” mbi çështjet e Detit të Kinës Jugore, Tajvanit dhe Xinjiang-ut, duke u përpjekur të krijojë mosmarrëveshje mes Kinës dhe vendeve fqinje.
Vizitat e Austin-it në Vietnam dhe Filipine treguan më tej orvatjen e ShBA-së për të kufizuar Kinën me afrimin e vendeve të Azisë Juglindore. Sekretari i Mbrojtjes premtoi që ShBA-ja do ta ndihmojë Vietnamin të forcojë sigurinë detare, ndërsa ka shtuar trysninë ndaj Filipineve për tërheqjen e vendimit për “anulimin e marrëveshjes kyçe të mbrojtjes ShBA-Filipine”. Sipas kësaj marrëveshjeje, trupat amerikane lejohen të futen në territorin filipinas për manovra ushtarake.
Përveç Indisë dhe Japonisë, ShBA-ja ka shtuar burimet politike e ushtarake edhe në vendet e Azisë Juglindore që mbajnë qëndrime asnjanëse. Në Indi, sekretari amerikan i Shtetit Blinken promovoi “interesat e përbashkëta rajonale të sigurisë”, duke nxitur në mënyrë të gjithanshme strategjinë e Indo-Paqësorit dhe mekanizmin katërpalësh “Quad”.
Për synimin e ShBA-së, vendet e Azisë Juglindore janë të qarta dhe nuk janë të interesuara, vijon komenti i CMG-së. Ministri i Arsimit i Singaporit Chen Zhensheng deklaroi që Singapori nuk mban qëndrimin e lojës ku fituesi merr gjithçka, por propozon që të ndërtohet një botë me gjithëpërfshirje e ndërlidhje.
Siç ka thënë edhe Chen Zhensheng-u, fitorja nuk është mposhtja e rivalëve, por fitimi i besimit të vendeve të tjera të botës. Tani Kina mban lidhje të mira me vendet fqinje dhe paqja e zhvillimi është kërkesa e përbashkët e vendeve të rajonit. Kina ka ratifikuar e para RCEP-in, marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë të iniciuar nga ASEAN-i, dhe ka shprehur mbështetje për ndërtimin e qendrave të prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, duke treguar ç’do të thotë “fqinj të mirë, miq të mirë dhe partnerë të mirë” me veprime konkrete.
Një thënie e urtë kineze thotë se fqinji që ke afër është më i dobishëm se një i afërm që ndodhet larg. Është e dukshme që Kina i kupton më mirë se ShBA-ja mendimet dhe nevojat e vërteta të vendeve fqinje. Orvatja e ShBA-së për të provokuar marrëdhëniet mes Kinës dhe vendeve fqinje nuk do të ketë rezultat.
CMG-ja thekson që vendimmarrësit amerikanë duhet të shqyrtojnë seriozisht shqetësimet dhe mendimet e Kinës, të ndryshojnë njohjen e tyre të gabuar mbi Kinën dhe politikat e rrezikshme ndaj Kinës, të mos e konsiderojnë më Kinën si armik imangjinar, të mos flasin për bashkëpunim e të veprojnë në mënyrë kundërvënëse dhe të heqin dorë nga kufizimi i Kinës. Ata duhet ta kuptojnë që marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të shëndetshme kino-amerikane përputhen me interesat e dy palëve dhe mirëpriten nga komuniteti ndërkombëtar.