军队---[jūn duì]---ushtri
1 gushti është përvjetori i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës. Vitet e fundit, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ka thelluar në mënyrë aktive shkëmbimet dhe bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar, ka ofruar produkte të sigurisë publike për bashkësinë ndërkombëtare, ka demonstruar imazhin e Kinës si një fuqi e përgjegjshme dhe ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror.
Foto;Visual People
Më 30 korrik nisi në Rayong të Tajlandës stërvitja e përbashkët humanitare shumëpalëshe "Cobra Gold-2021". Për shkak të ndikimit të epidemisë në Tajlandë, më shumë se 40 oficerë dhe ushtarë nga 9 vende, përfshirë Kinën, ShBA-në, Japoninë etj., kanë marrë pjesë me video në këtë stërvitje të përbashkët. Kina dërgoi një ekip prej 12 vetash për të marrë pjesë në stërvitjet e ndihmës humanitare e të zbutjes së fatkeqësive dhe në forumet e nivelit të lartë.
Peng Xiaofei, një drejtues i palës kineze që merr pjesë në këtë stërvitje, tha: "Do të ofrojmë mirë planin e Kinës, do të tregojmë imazhin e mirë të ushtarëve kinezë dhe do të nxitim thellimin e bashkëpunimit konkret shumëpalësh."
Vitet e fundit, ushtria kineze ka thelluar në mënyrë aktive shkëmbimet ushtarake dhe ka promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar të mbrojtjes në mënyra të ndryshme. Ajo ka demonstruar qëndrimin aktiv të Kinës në pjesëmarrjen në bashkëpunimin ndërkombëtar shumëpalësh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke treguar imazhin e mirë të ushtarëve kinezë në botë. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Wu Qian tha kohët e fundit se Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës do të organizojë disa nga veprimtaritë e Lojërave Ushtarake Botërore 2021 në Kinë nga 22 gushti deri më 4 shtator dhe do të dërgojë ekipe në Rusi, Bjellorusi, Uzbekistan, Iran etj. për të marrë pjesë në veprimtari të tjera.
Foto;Visual People
Përveç kësaj, vitet e fundit ushtria kineze ka rritur gjithashtu mbështetjen dhe pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse të OKB-së. Në vijën e përkohshme të armëpushimit midis Libanit dhe Izraelit, në Sudanin e Jugut ku vazhdon lufta civile, në Kamboxhia, Kongo (Kinshasa), Liberi, Qipro ... paqeruajtësit kinezë japin më shumë besim dhe shpresë për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, ruajtjen e sigurisë e të stabilitetit rajonal, dhe realizimin e paqes e të zhvillimit.
Mali, vend i Afrikës Perëndimore, është një nga zonat më të rrezikshme të misioneve paqeruajtës të OKB-së. Zhao Dongsheng, zëvendëskomandanti i forcës së tetë paqëruajtëse kineze në Mali, tha:
"Oficerët dhe ushtarët po përballen me nxehtësinë ekstreme, sulmet e rërës e të pluhurit dhe me mushkonjat. Në krahasim me këto kushte natyrore, më serioze është gjendja lokale. Sulme të dhunshme dhe terroriste ndodhin herë pas here, mjedisi i sigurisë publike po përkeqësohet vazhdimisht dhe faktorët e pasigurisë vazhdojnë të kërcënojnë oficerët dhe ushtarët ."
Por përballë vështirësive, ata nuk kanë frikë. Forca e tetë paqëruajtëse kineze në Mali, që ka 413 oficerë dhe ushtarë, fitoi Medaljen e Nderit të Paqes për kryerjen e shkëlqyer të detyrave të sigurisë dhe mbrojtjes, patrullimit të armatosur, ndërtimit inxhinierik, sigurisë mjekësore etj.
Këshilltari ushtarak i OKB-së, gjenerallejtënant Royt, vlerësoi: "Shërbej prej katër vjetësh e gjysmë si këshilltar ushtarak i OKB-së. Gjatë kësaj kohe, më ka bërë përshtypje të thellë kontributi i Kinës në misionet paqeruajtëse të OKB-së. Kina ka dërguar gati 2 500 paqeruajtës për të marrë pjesë në 8 nga 12 misionet paqeruajtëse. Kina është një ndër dhjetë vendet e para për kontributin paqeruajtës. Kina ka rritur edhe aftësitë kryesore të ruajtjes së paqes të OKB-së."
Foto;Visual People
Aktualisht, epidemia e koronavirusit të ri po vijon të përhapet globalisht. Në këtë sfond, trupat kineze po forcojnë parandalimin dhe kontrollin e vet epidemik, e njëkohësisht kanë kryer në mënyrë aktive bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër epidemisë, dhe kanë vazhduar të ofrojnë produkte të sigurisë publike për bashkësinë ndërkombëtare. Ushtria kineze ka kryer bashkëpunim ndërkombëtar me ushtritë e më shumë se 50 vendeve nëpërmjet ofrimit të ndihmës me materialet e parandalimit të epidemisë, dërgimit të ekipeve të ekspertëve ushtarakë kundër epidemisë dhe organizimit të videokonferencave për shkëmbimin e përvojës në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Që nga shkurti i këtij viti, ushtria kineze ka ofruar 25 grupe ndihme vaksinimi për ushtritë e më shumë se 20 vendeve. (Çang Çuo)