团结---[tuán jié]---Bashkim

Lojërat e 32-ta Olimpike Verore do të hapen më 23 korrik në Tokio. Si mitingu më i madh sportiv në botë, Lojërat Olimpike kanë pasqyruar realitetin e shoqërisë njerëzore me konkurrim dhe zhvillim. Në krahasim me edicionet e mëparshme, olimpiada e kësaj here tërhoqi vëmendjen e botës me lajmin për vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të shtohet "së bashku" në moton olimpike "Më shpejt, më lart dhe më fort".

"Më shpejt, më lart dhe më fort" është motoja e paraqitur nga Pierre de Coubertin, nismëtari i olimpiadës në vitin 1894, gjatë formimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në lojërat olimpike të organizuara në vitin 1924 në Paris, kjo parullë u prezantua si moto olimpike për të nxitur sportistët pjesëmarrës të bënin përpjekje të pandërprera e me guxim për të fituar nëpërmjet konkurrimit. "Njëqind vjet më vonë, përfshirja e ‘së bashku’ pa dyshim ka shtuar frymën e re në moton olimpike, duke pasqyruar mendimin e përbashkët të popujve të botës para sfidave të ndryshme globale", vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.

Sipas komentit, ky vendim i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është bërë në bazë të realitetit. Për shkak të pandemisë, Lojërat Olimpike Verore të Tokios, që parashikoheshin të zhvilloheshin një vit më parë, u shtynë deri tani, pas shumë zigzagesh. Gjatë këtij procesi, kriza e besimit të njerëzve për këtë edicion të olimpiadës po dëmton edhe besimin ndaj lojërave olimpike dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Siç deklaroi kryetari i KON-it Thomas Bach: "Motoja jonë duhet të përparojë sipas kohës. Tani duhet t'i kushtojmë vëmendje të veçantë bashkimit".

Në komentin e CMG-së thuhet se njerëzimi ndodhet para një udhëkryqi të ri, kur pandemia ende nuk po ndal hapat e përhapjes në botë, rigjallërimi i ekonomisë globale po bëhet më i brishtë dhe disa politikanë perëndimorë po provokojnë konflikte gjeopolitike dhe kundërvënie ideologjike, duke krijuar pandërprerë ndasi.

"Tani njerëzimi ka më shumë nevojë sesa më parë për frymën olimpike që promovon shkëlqimin, miqësinë, respektin dhe bashkimin, sepse popujt e ndryshëm po ndihen më shumë si anëtarë të komunitetit me fate të përbashkëta. Z. Bach ka thënë se sfidat e tanishme nuk mund të zgjidhen vetëm me përpjekjet e një vendi të vetëm, sepse bota është integruar. Prandaj, rishikimi i motos po u kujton njerëzve që, qoftë për mbrojtjen e shëndetit publik apo për përballimin e ndryshimit klimatik, bashkimi është arma më e fuqishme. Njeriu është jo vetëm një qenie natyrore, por edhe shoqërore. Vetëm në rast se fokusohemi më shumë te pikat e përbashkëta, duke pakësuar divergjencat, dhe bashkohemi, mund të gëzojmë një lulëzim afatgjatë dhe të përbashkët. Kjo është vlera thelbësore e variantit të ri të motos olimpike", përfundon komenti i CMG-së.