汉语---[hàn yǔ]---kinezisht
CMG: Për sot kemi zgjedhur një tjetër fjalë. Cila është ajo ?.
Iljaz Spahiu: Fjala që kemi zgjedhur për sot është “Hanyu- kinezisht”, pra gjuha kineze, që ndryshe i thonë edhe zhongwen, zhongguo hua, guoyu ose putonghua. “Hanyu” është gjuha zyrtare në Republikën Popullore të Kinës. Ajo quhet ndryshe edhe Mandarin, term i cili i referohet gjuhës së kombësisë Han. Përveç Kinës ajo është një ndër katër gjuhët zyrtare në Singapor, si dhe një ndër gjuhët zyrtare edhe në Kombet e Bashkuara. Mandarin mbështetet mbi dialektin e Pekinit, i cili është më perfaqësues ne pjesën veriore te Kinës.
“Hanyu” është një ndër gjuhët më të vjetra në botë dhe i përket familjes së gjuhëve sino-tibetiane. Duke qenë se kinezishtja moderne përveç gjuhës mandarin, ka edhe një sërë dialektesh, për standartizimin e saj janë marrë një vendimesh, dhe duke filluar nga viti 1923, si gjuhë kombëtare zyrtare (guoyu) u vendos gramatika e dialektit të veriut dhe si shqiptim dialekti i Pekinit. Në vitin 2000, sipas Ligjit për Standartizimin e Gjuhës, u vendos mandarin (putonghua) si gjuhë përdorimi në vend.
CMG: A mund të na tregoni cili ishte impresioni i parë i juaji kur filluat të mësoni kinezisht?
Iljaz Spahiu: E vështirë, tejet e vështirë në të gjitha drejtimet. Një gjuhë që nuk afrohej me asnjë gjuhë tjetër që ne kishim ndeshur. Që nga hieroglifet, tonet në shqiptim, shqiptimi në vetvete, formimi i fjalëve , etj, gjithçka ishte e panjohur për ne. Na u desh jo pak kohë deri sa filluam të ambjentohemi e të njohim disa nga karakteristikat e kësaj gjuhe. Kështu avash-avash filloi të na pëlqejë muzikaliteti i saj, filluan të na pëlqejnë hieroglifet, në brendësi të të cilave gjenim informacion.
CMG: A mund të na thoni disa nga të veçantat e kinezishtes?
Iljaz Spahiu: Gjuha kineze nuk është një gjuhë e shkruar alfabetike, por materiali bazë i saj janë hieroglifet ose karakteret, siç quhen ndryshe. Hieroglifet shfaqen qysh para 3000 vitesh para erës së re, në periudhën e Neolitit, ndërsa karakteret që përdoren janë trashëgimi e karaktereve të gjuhës antike, të cilët kanë evuluar dhe ndryshuar ndër vite. Një avantazh i hieroglifeve është se ato përmbajnë informacione, pra vetëm nëpërmjet një pjese të hieroglifit mund të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë, p.sh. he (河 ) –lumi, shihet se përpara janë tre pika që përfaqësojnë ujin.
Një avantazh tjetër i hieroglifeve është se pavarësisht dialekteve, pra mënyrës si lexohen në zona të ndryshme, madje edhe në Japoni apo vende të tjera, ato kanë një kuptim të pandryshueshëm. Kështu pavarësisht se unë përshembull nuk e flas dialektin e Shangai-t, por i shkruar është i njëjtë me gjuhën mandarin.
Një fakt interesant është se shkrimi alfabetik i gjuhës kineze (pingyin), ose thënë ndryshe traskriptimi i hieroglifeve me gërma latine është realizuar fillimisht gjatë Dinastisë Ming (1368-1644) nga misionarët perëndimorë. Si shpikës i pingyin mbahet misionari francez i Shoqërisë së Jezuitëve Nicolas Trigault. Në vitin 1625, ai sëbashku me misionarë të tjerë përgatitën një Monografi të plotë Fonetike me gërma latine, libri i pare që përdor sistemin fonetik të gërmave latine.
Ky libër shërbeu si bazë për të huajt për të mësuar gjuhën kineze. Më vonë sistemi i shkrimit me pingyin erdhi duke u përsosur, deri sa tani edhe zyrtarisht është përcaktuar edhe “Skema e alfabetit fonetik kinez(pingyin), i cili është i njohur edhe nga Kombet e Bashkuara.
Sipas të dhënave të OKB-së rreth 1.6 miliard njerëz në botë përdorin sot gjuhën kineze. E veçanta e gjuhës kinze është se pavarësisht ndryshimeve te mëdha mes dialekteve, ajo është standard, pra e kuptueshme për të gjitha dialektet, në të shkruajtur. Po kështu gjuha kineze eshte e ndërtuar me rrokje, ku një hieroglif përfaqëson një rrokje dhe ka një kuptim te caktuar. Bashkimi i disa rrokjeve, pra disa hieroglifeve, formon fjalorin e gjuhës kineze. Nje tjetër veçori e gjuhës kineze është, se ajo ka nje morfologji shumë të thjeshtë, por sintaksë shumë të pasur dhe të komplikuar.
Një tjetër karakteristikë e kinezishtes është edhe shqiptimi.
Gjuha kineze ka katër tone:
Toni parë ( - ) : Eshtë shqiptim në vijë të drejtë, pak a shumë si nota muzikore “la”
Toni i dytë( / ) : Eshtë shqiptim me ton paksa të lartë, në formën e një pytjeje, p.sh. Ku je?
Toni i tretë( ∨ ) : Eshtë shqiptim në formë te valëzuar, p. sh. “ashtu?
Toni i katërt (﹨): Eshtë shqiptim ne formë të prerë, p. sh. “jo”
Shqiptimi i toneve në gjuhën kineze është i rëndesishëm pasi ka shumë fjalë që shkruhen dhe shqiptohen njëlloj, por kanë tone dhe hieroglife te ndryshme, gjë që jep edhe kuptime të ndryshme.
Karakteristikë e gramatikës së gjuhës kineze është se ajo është gjuhë e izoluar ose gjuhë analitike. Ndryshe nga gjuhët e familjes indo-evropiane, fjalët në gjuhën kineze kanë vetëm një formë, që do të thotë se nuk kanë njëjës e shumës, nuk kanë lakime, nuk kanë gjini, as zgjedhim foljesh. Por sintaksa është paksa e komplikuar.
Një tjetër veçori e gjuhës kineze është se ekziston një ndryshim tejet i dukshëm mes gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur, e cila në fakt është pasqyrim i dallimeve mes gjuhës antike dhe asaj moderne.
CMG: Para disa vitesh ju keni botuar një fjalor të gjuhës së përditshme kineze, a mund të na thoni përse është i rëndësishëm mësimi i gjuhës kineze.
Iljaz Spahiu: Duke qëne një vend në zhvillim te pandalshëm dhe me një pozitë tashmë gjithnjë e më të fuqishme ekonomike e politike në arenën ndërkombëtare, njohja e gjuhës kineze do të perbënte një avantazh të padiskutueshëm konkurues. Ashtu siç thatë edhe ju, para disa vitesh kam përgatitur një fjalor për gjuhën e përditshme shqip-kinezisht, i cili mendoj që është i dobishëm për këdo që punon me Kinën, apo që ka ndërmend të udhëtojë në këtë vend gjigant për nga përmasat, historia dhe kultura.
Vitet e fundit fjalorë të tillë janë botuar edhe nga kolegët kinezë, njohës të gjuhës shqipe në Kinë. Kështu që para se të ndërmerrni udhëtimin për në Kinën e largët, hidhini një sy këtyre fjalorëve dhe të jeni të sigurtë që do t’ju shërbejnë si një guidë mjaft praktike qoftë për turizëm, për biznes, komunikimin e përditshëm, nevojat tuaja, etj.
Përgatiti Iljaz Spahiu