新疆---[xīn jiāng]---Xinjiang

Ditët e fundit, tre institute studimore italiane: Instituti i Studimeve Politike, Ekonomike dhe Shoqërore (Eurispes), Instituti i Diplomacisë Ndërkombëtare dhe Qendra e Studimeve për Euroazinë e Mesdheun (CeSEM) publikuan së bashku raportin e një studimi të kryer nga shumë kërkues të pavarur, me titull “Xinjiang: Kuptimi i ndërlikueshmërisë dhe ndërtimi i paqes”. Në bazë të materialeve e informacionit të dorës së parë, në raport analizohen origjina e veprimeve terroriste e separatiste në Xinjiang, si dhe politikat përballuese të qeverisë kineze. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, një pjesëmarrës në këtë studim, Fabio Massimo Parenti, u shpreh se akuzat e disa vendeve perëndimore kundër Kinës lidhur me çështjen e Xinjiang-ut nuk kanë asnjë dëshmi.

Raporti “Xinjiang: Kuptimi i ndërlikueshmërisë dhe ndërtimi i paqes”

Raporti “Xinjiang: Kuptimi i ndërlikueshmërisë dhe ndërtimi i paqes”

Raporti përbëhet nga katër pjesë, të cilat shtjellojnë historinë, pozicionin gjeografik dhe ekonominë e Xinjiang-ut, origjinën e veprimtarisë terroriste e separatiste, politikat përballuese të qeverisë kineze, si edhe gënjeshtrat dhe lajmet e rreme për Xinjiang-un. Pas publikimit të raportit, dhjetëra studiues të njohur ndërkombëtarë, organizata studimore dhe gazetarë kanë vendosur firmat e tyre për të shprehur mbështetjen. Sipas Parentit, lajmet e rreme dhe akuzat e pabaza të disa instituteve të studimit të politikave, studiuesve dhe mediave perëndimore kanë krijuar ndikime shumë të rënda negative. Kjo është arsyeja e pjesëmarrjes së tij në këtë studim.

Z.Fabio Massimo Parenti në intervistën për CMG-në

Z.Fabio Massimo Parenti në intervistën për CMG-në

Prej kohësh, të ashtuquajturat “gjenocid”, “punë e detyruar” dhe akuza të tjera janë përdorur për të përbaltur politikat e Kinës në Xinjiang. Lidhur me këto, Parenti vuri në dukje se këta individë dhe institute janë antikinezë. Por raportet e tyre janë cilësuar si “të pavarura”, dhe në bazë të tyre vendet perëndimore morën vendim të ushtronin sanksione ndaj Kinës. Por qëllimi i tyre nuk është për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

“Këto sanksione nuk kanë dëshmi faktike, por janë vendosur në bazë të vlerësimeve ideologjike dhe gjeopolitike. Gjëra të tilla kanë ndodhur shumë herë më parë. ShBA-ja dhe ato të ashtuquajturat ‘organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut’ nuk interesohen për mirëqenien e banorëve në Xinjiang ose Hong-Kong, nuk interesohen për nxitjen e procesit të bashkëjetesës paqësore, por vetëm kanë interes të acarojnë tensionet. Pse? Për të siguruar fuqi ndërkombëtare dhe përfitime gjeopolitike”, tha z. Parenti në intervistë.


Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit i Kinës ka vuajtur prej kohësh nga sulmet terroriste dhe ekstremiste. Vitet e fundit, qeveria kineze ka marrë masa të dyanshme, duke goditur terrorizmin e dhunshëm dhe duke shpejtuar çradikalizimin. Janë krijuar qendra të trajnimit profesional, ku kursantët mund të zotërojnë mjeshtëri për punë që mund t’u sigurojë të ardhura të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet organizatave shumëpalëshe, si Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, Kina ka forcuar bashkëpunimin antiterrorist, gjë që ka sjellë rezultate të dukshme. Në raportin studimor vihet në dukje se masat e Kinës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit janë bazuar mbi ligjet dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të drejtave të ligjshme të individëve.

“Qeveria qendrore kineze ka marrë masa si krijimi i organizatave ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me vendet fqinje kundër terrorizmit. Ajo ka nxjerrë ligje të reja për të frenuar përhapjen e terrorizmit dhe ka hapur qendra sipas ligjit për trajnim profesional, duke marrë shumë masa efektive”, shtoi Parenti.

Në vitin 2019, ai bëri një vizitë në Urumqi dhe Kashgar të Xinjiang-ut. Pamja e bukur natyrore dhe kultura e lashtë e larmishme vendore i lanë një përshtypje të thellë. Atje, ai njohu nga afër një Xinjiang ku banorët ujgurë dhe të kombësive të tjera gëzojnë liri të plota fetare, ku gjuhët e kulturat e kombësive janë mbrojtur e trashëguar si duhet dhe ku nuk gjeti dëshmi për të ashtuquajturat “gjenocid” dhe “punë të detyruar”.

“Akuzat e Perëndimit ndaj Xinjiang-ut nuk përputhen me faktet. Nuk ka dëshmi që të tregojë se banorët ujgurë janë detyruar të punojnë. Atë që dimë ne, është se të rinjtë që dolën nga qendrat e trajnimit profesional, më vonë gjetën punë në fabrika, në Xinjiang ose në qytete të tjera të Kinës. Nuk kemi gjetur dëshmi për të mbështetur ato akuza. Kjo është e vërteta”, theksoi studiuesi italian.