中国---[zhōng guó]---Kina

CMG: Fjala e parë që kemi zgjedhur për këtë rubrikë është Zhongguo- Kina. Para se të fillojmë me shtjellimin e kësaj fjale, mund të na thoni shkurtimisht cili ka qenë kontakti juaj i parë me Kinën?

Iljaz Spahiu: Kontakti im i parë me Kinën ka qenë në fillim të viteve 70-të, konkretisht ne vitin 1974, kur bashkë me një grup nxënësish prej 30 vetësh u caktuam të studiojmë në Kinë. Sigurisht Kina për mua nuk ishte e panjohur, pasi unë kam jetuar periudhën e marrëdhënieve të ngushta e speciale mes dy vendeve. Për koinçindecë kemi mbërritur në Kinë me datë 29 nëntor 1974 dhe më kujtohet që ka qenë fluturimi i parë inagurues i Linjës Pekin- Tiranë. Por le të kthehemi te tema që kjo rubrikë ka për qëllim të trajtojë.

Pra “zhongguo” duhet të ketë qenë edhe ndër fjalët e para që ne kemi mësuar, sapo kemi shkelur në tokën kineze. “Zhongguo” e transkiptuar me pinyin zhongguo- që do të thotë Kina. Kjo fjalë përbëhet nga dy hieroglife, ose karaktere, zhong- mes dhe guo-vend, pra një kuptim i kësaj fjale është vendi i mesit ose mbretëria e mesit. Termi “zhongguo” haset për here të parë në mbishkrime që iu përkasin viteve para Dinastisë Zhou (1046-256 para erës së re), por edhe me emërtime të tjera si “huaxia”, “zhonghua”, “zhongyuan”,etj.

Në fakt termi “Huaxia” (华夏) mëshiron një lloj identiteti dhe trashëgimie të karakteristikave të përbashkëta në mënyrën e jetesës, gjuhën dhe kulturën e popullsisë, kryesisht të kombësisë Han, që banonte në Pllajën Qendrore (Zhongyuan). Pas krijimit të shtetit të unifikuar shumëkombësh gjatë Dinastisë Qin (221-206 para erës së re), popullsia Huaxia u shndërrua në grupin etnik kryesor dhe më kompakt.

Duke filluar nga Dinastia Han (206 p.e.r- 220 e.r) më pas, bashkë me termin “Huaxia” u përdor edhe termi “Han” “汉” dhe Huaxia mori një kuptim më të gjerë, që i referohej Kinës ose Kombësisë Han.

CMG: Ndërkohë pothuajse në të gjitha gjuhët e tjera, përfshirë edhe shqipen, përdoret një fjalë që në rrënjë ka fjalën “China”. A mund të na thoni si ka ardhur kjo fjalë?

Iljaz Spahiu: Fjala “China”, që më vonë shqip ka ardhur si “Kinë”, ka filluar të përdoret në anglisht që nga shekulli 16-të, megjithëse në atë kohë nuk përdorej nga vetë kinezët. Origjina e saj është gjurmuar përmes portugalishtes, malajzishtes, sanskritishtes dhe persishtes, megjithëse nuk ka mendim të qartë për këtë. "China" shfaqet në përkthimet e Richard Eden në vitin 1555 të revistës së vitit 1516 të eksploruesit portugez Duarte Barbosa. Po kështu mendohet se “Cīna” është përdorur për herë të parë në shkrimet e shenjta të hershme hindu. Në vitin 1655, Martino Martini, një misionar jezuit që ka jetuar në Kinë gjatë asaj kohe, ishte ndër të parët që sugjeroi që fjala Kinë rrjedh nga emri i dinastisë Qin (221-206 pes). Megjithëse përdorimi në burimet indiane i paraprin kësaj dinastie, kjo prejardhje ende jepet në burime të ndryshme. Origjina e fjalës sanskrite është një çështje debati, sipas Fjalorit anglisht të Oksfordit.

Aktualisht emri zyrtar i shtetit modern kinez është “Republika Popullore e Kinës” (zhonghua renmin gongheguo), shkurt Kina (zhongguo).

Kina është një nga vendet me historinë më të vjetër në botë. Rreth 5800 vjet përpara, në Pllajën Qëndrore përgjatë Lumit të Verdhë u shfaqën shenjat e para të civilizimit, i cili përgjatë shekujsh u bë një nga civilizimet e para dhe më të rëndësishme në botë, që njihet si civilizimi Huaxia( ose thënë ndryshe civilizimi kinez).

Për mijëra vjet sistemi politik që ka sunduar në Kinë ka qenë monarkia ose Dinastitë e trashëgueshme, që fillon me Dinastinë Xia në shekullin e 21 para erës së re. Dinastia Qin shënon krijimin e shtetit të parë feudal të unifikuar multi-etnik në historinë e Kinës dhe ndërtimin e Perandorisë së parë kineze. Pikërisht gjatë kësaj Dinastie fillon edhe ndërtimi i një muri gjigant të fortifikuar, i njohur si Muri i Madh (Changcheng), për t’u mbrojtur nga fiset barbare të veriut.

Pas shpërbërjes së Perandorive në botë, mund të themi se Kina është i vetmi vend që ka trashëguar kufinjtë e perandorisë ekzistuese. Kina antike njihet edhe si vendi i disa shpikjeve të rëndësishme për kohën, ose i katër shpikjeve të mëdha, letrës, busullës, barutit dhe shtyshkrimit. Po kështu, nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, Kina vendosi lidhje tregtare me pjesën tjetër të botës.

Pas sundimit mbi 2000 vjeçar të 43 Dinastive të ndryshme, në vitin 1911 shpërtheu revolucioni i parë demokratiko-borgjez, i njohur si Xinhai geming, i cili çoi në përmbysjen e Dinastisë Qing, dinastia e fundit në Kinë, ndërsa në vigjilje të vitit 1912 Sun Yatseni shpalli themelimin e Republikës së Kinës dhe veten President. Pas fitores mbi ushtrinë japoneze gjate Luftës së dytë Botërore dhe triumfit të Partisë Komuniste ndaj Guomindang në luftën civile që zgjati rreth 4 vjet, më 1 Tetor të vitit 1949 u themelua Republika Popullore e Kinës, që shënon hyrjen në një epokë të re të historisë së popullit kinez.

Kina është vendi me popullsinë më të madhe në botë. Sipas statistikave të shpallura në maj të këtij viti, popullsia e saj arriti në mbi 1 miliardë e 411 milion banorë. Ndërsa sipërfaqja e saj është afro 9.6 milion kilometër katrorë. Gjithashtu Kina është fuqia e dytë ekonomike në botë, GDP-ja e së cilës pritet që para vitit 2030 të kalojë atë të SHBA, ndërsa të ardhurat për frymë kanë kaluar tashmë 11 mijë dollarë amerikanë.

Nga viti 1978 Kina ka zbatuar politkën e reformave dhe hapjes me botën, duke realizuar një zhvillim të vrullshëm ekonomik e social, atë që cilësohet si “mrekullia kineze”. Risi në aspektin politik është ndërtimi i asaj që kinezët e quajnë “Socializmi me karakteristika kineze”, i shpallur nga arktitekti i reformave dhe hapjes Deng Xiaoping, që ndër të tjera nënkupton lejimin e ekonomisë socialiste të tregut dhe ndërtimin e shoqërisë harmonike. Kina është antare e Përherëshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe iniciuese e disa projekteve të rëndësishme globale e rajonale, ku veçojmë nismën “Një brez, një Rrugë” dhe Mekanizmin e bashkëpunimit “17+1”, në cilat bën pjesë edhe Shqipëria.

Kina është vend me 56 kombësi, ku dominon kombësia Han, që zë rreth 91% të popullsisë. Gjuhë zyrtare është kinezishtja mandarin (zhongwen ose hanyu).

Shqipëria dhe Kina kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 23 nëntor 1949. Gjatë viteve 60-70-të të shekullit kaluar, dy vendet tona kanë pasur një histori marrëdhëniesh speciale, miqësi që është trashëguar deri në ditët e sotme. Dua të thekoj këtu sidomos famën e filmave shqiptarë të asaj kohe në Kinë, njëri nga të cilët “Ngadhnjim mbi vdekjen”, që thuhet se ende sot ruan numrin rekord të spektatorëve që e kanë parë.

Përgatiti Iljaz Spahiu