论坛---[lùn tán]---forum
Të mërkurën u zhvillua në Ningbo Forumi i Nivelit të Lartë të Instituteve të Studimit të Politikave për Zhvillimin Cilësor dhe Bashkëpunimin Vendor Kinë-EQL. Në këtë forum, ekspertë, studiues dhe përfaqësues të biznesit nga brenda e jashtë Kinës, propozuan projekte konkrete dhe efektive për bashkëpunimin mes pushteteve vendore të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, bashkëpunimin në inovacionin shkencor dhe zhvillimin bujqësor, duke kërkuar rrugë të reja për bashkëpunimin Kinë-EQL në kushtet e reja.
Që prej krijimit të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL në prill 2012, Kina dhe vendet e EQL-së kanë pasur arritje të frytshme në tregti dhe investime në rang provicash, rajonesh dhe qytetesh. Vjet, edhe pse në kushtet e goditjes nga epidemia e COVID-19, tregtia Kinë-EQL pati rritje të fuqishme, duke i kaluar për herë të parë 100 miliardë juanët dhe duke shënuar vlerën 103.45 miliardë dollarë amerikanë.
Në janar-prill të këtij viti, vëllimi i tregtisë mes Kinës dhe vendeve të EQL-së arriti në 40.71 miliardë dollarë, 47.9 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Përfaqësuesja e posaçme për çështjet e bashkëpunimit Kinë-vendet e EQL-së, Huo Yuzhen, vuri në dukje në raportin që mbajti në forum se gjatë nëntë vjetëve, bashkëpunimi Kinë-EQL ka treguar katër veçanti. Së pari, bashkëpunimi në nivel pushteti vendor është praktik e favorizues dhe ka luajtur rol nxitës në krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rritjes. Së dyti, bashkëpunimi ka pasur arritje të frytshme në fusha të shumta, si bujqësi, pylltari, logjistikë, infrastrukturë dhe shkencë e kulturë. Së treti, të dyja palët kanë pasur përfitime të ndërsjella nëpërmjet bashkëpunimit vendor në një mënyrë të shkathët dhe në fusha të gjera. Së fundmi, bashkëpunimi vendor ka qenë i hapur e inovativ dhe ka realizuar objektivin “krijim i bazës, formim i platformës dhe nxitje e bashkëpunimit”.
Tani bashkëpunimi i pushteteve vendore Kinë-EQL ka hyrë në fazën e re të zhvillimit. Me thellimin dhe zgjerimin e lidhjeve të Kinës me botën e jashtme, bashkëpunimi në nivel vendor mes Kinës e vendeve të EQL-së ka treguar një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Në këtë forum të zhvilluar me rastin e Ekspozitës së 2-të Kinë-Vendet e EQL-së, ekspertë dhe studiues dhanë sugjerime për zgjerimin e kanaleve të bashkëpunimit në nivel vendor, eksplorimin e pikave të reja të bashkëpunimit bujqësor dhe nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë të marrëdhënieve mes Kinës dhe EQL-së.
Drejtori i Institutit Studimor të Qendrës së Bashkëpunimit Ekonomik pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Kinës Yu Ge sugjeroi në forum që duhet të nxitet bashkëpunimi në projektet kryesore dhe të eksplorohet mënyra e re e bashkëpunimit “Një vend, një produkt; një vend, një politikë; një provincë, një vend - bashkërendim mes ministrive dhe provincave”, me synim që të tërhiqet pjesëmarrja e sa më shumë subjekteve të tregut dhe të krijohet një gjëndje bashkëpunimi në shumë fusha. Sipas tij, duhet të bëhet edhe një punë studimore largpamëse lidhur me bashkëpunimin bujqësor dhe të ofrohen mbështetje me vendimmarrje e gjallëri inovative për zhvillimin bujqësor mes Kinës dhe vendeve të EQL-së.(Jiang Lei)