共识---[gòng shí]---Konsensus
Si ekspert në fushën e kimisë atmosferike, dr. Zhang Xingying shkon në Stacionin Tokësor të Satelitit Meteorologjik të Pekinit pothuajse çdo ditë për të kontrolluar dendësinë e dioksidit të karbonit në atmosferë nëpërmjet një vrojtuesi të gazit serrë. Që kur u bë anëtar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) në vitin 2018, studimet e dr. Zhang dhe propozimet e paraqitura KKPPK-së kanë qenë gjithmonë të përqendruara në temën e pakësimit të ndotjeve dhe të uljes të lëshimit të karbonit. Propozimet e tij janë bërë një pikë e rëndësishme referimi për qeverinë për të formuluar politikat e uljes së lëshimeve. Ashtu si Zhang Xingying, më shumë se 2 000 anëtarë të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe një numër më i madh i anëtarëve vendorë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez kanë bërë sugjerime për vendimet e politikave të qeverisë në fushat përkatëse ku ata janë ekspertë.
Konferenca Konsultative Politike është një element i rëndësishëm i sistemit politik në qeverisjen kombëtare të Kinës. "Associated Press" përmendi në një raport se, si një organ konsultimi politik, rëndësia e KKPPK-së është bërë gjithnjë e më e spikatur në vitet e fundit. Anëtarët e saj trajtojnë tema të nxehta me interes publik nëpërmjet kësaj platforme, dhe paraqesin sugjerime e mënyra zgjidhjeje. Studiuesi kanadez Mark Warren vuri në dukje se "Kina inkurajon në mënyrë aktive zhvillimin e demokracisë konsultative", të cilën ai e përmblodhi si "demokraci të drejtuar nga qeverisja".
Një parim i rëndësishëm i Partisë Komuniste të Kinës është bashkimi i të gjitha forcave dhe kërkimi i konsensusit shoqëror në masën më të madhe të mundshme, në bazë të respektit dhe tolerancës së ndryshimeve. Në nëntor 2012, Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës propozoi "Përmirësimin e sistemit socialist të demokracisë konsultative". Kjo është hera e parë që "demokracia konsultative" përfshihet në dokumentin e nivelit më të lartë të PKK-së.
Martin Jacques, ish-studiues i lartë në Universitetin e Kembrixhit, i cili është përqendruar prej vitesh në zhvillimin e Kinës, beson se PKK-ja "i përmbahet filozofisë së orientimit drejt njerëzve dhe i përmbahet qëllimit fillestar të kërkimit të lumturisë për popullin", ndaj mund "të ruajë fuqinë e gjallërinë e saj" dhe ta shfaqë veten si një "parti e madhe e hapur, gjithëpërfshirëse dhe e sigurt".
Sipas profesorit Cheng Yongnian, ish-drejtor i Institutit të Studimeve të Azisë Lindore në Universitetin Kombëtar të Singaporit, përpjekjet e PKK-së për të gjetur konsensus më të madh shoqëror janë mishëruar si një "sistem i hapur partie" në nivel institucional. Ai më tej shpjegoi se, në kontekstin e interesave të larmishme shoqërore dhe ekonomike, Partia Komuniste e Kinës ka realizuar integrimin efektiv të grupeve të shumta të interesit, duke hapur procesin politik për grupe të ndryshme interesi në shoqëri.
Studiuesi gjerman i shkencave politike Thomas Meyer, nënkryetar i Komitetit të Vlerave Themelore të Partisë Socialdemokrate, dhe David Shambaugh, ekspert për Kinën nga Shtetet e Bashkuara, vërejnë nga perspektiva e ndërtimit organizativ se hapja e PKK-së është një arsye e rëndësishme e suksesit të saj në qeverisje. Shambaugh vuri në dukje se "PKK-ja është e vetmja parti komuniste që është e hapur për të gjitha grupet shoqërore dhe tërheq më shumë shtresa për t'u bashkuar", kështu që vazhdimisht mund t'u përshtatet ndryshimeve. Meyer analizoi se, për shkak se "interesat dhe idetë e shtresave të ndryshme të shoqërisë ose të njerëzve pasqyrohen ose shprehen në parti", "mendimet dhe interesat e larmishme mund të shpjegohen në diskutime dhe një proces i tillë modernizimi është shumë i dobishëm për Kinën".
Partia qeverisëse në Kinë ka përmbledhur konsensusin shoqëror bazuar në parimin: "Diskutimet janë të mira dhe çështjet e të gjithëve diskutohen nga të gjithë", duke e çuar Kinën përpara. Xi Jinping-u, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe president i vendit, ka theksuar rëndësinë e kërkimit të konsensusit shoqëror: "Gjetja e emëruesit më të madh të përbashkët të vullnetit dhe kërkesave të të gjithë shoqërisë është thelbi i demokracisë popullore."(Foto nga VCG)