操弄---[cāo nòng]---Manipulim
Ditët e fundit, qeveria amerikane publikoi një deklaratë për hetimet mbi gjurmimin e origjinës së koronavirusit të tipit të ri. Në tekstin prej vetëm 300 fjalësh, është përmendur gjashtë herë togfjalëshi "agjencitë e zbulimit", dhe asnjëherë fjala "shkencë". Lidhur me këtë, gazeta më e madhe kineze "Renminribao" thekson në një koment të saj se "nga fjalët si 'të angazhohen agjencitë e zbulimit të përgatitin një raport të ri analize për origjinën e koronavirusit të ri' etj., mund të arrihet vetëm një përfundim, që një çështje shkencore po manipulohet nga politika nëpërmjet shërbimeve sekrete". Sipas gazetës, kjo ndërhyrje keqdashëse për qëllime politike është antishkencore dhe vetë ky veprim duhet të hetohet dhe dënohet.
Konferencë e shtypit për publikimin e rezultateve të studimit(Foto:VCG)
Në artikull theksohet se pretendimi i "daljes së virusit nga laboratori" u hodh poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qarqet shkencore ndërkombëtare, çka "zhgënjeu disa politikanë amerikanë", duke i bërë t'i vënë shpresat te agjencitë e zbulimit.
Por agjencitë amerikane të zbulimit kanë në historinë e tyre raste të shumta të fabrikimit të gënjeshtrave. Në vitin 2003, CIA-ja akuzoi autoritetet e Irakut për "prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë" dhe me këtë pretekst ShBA-ja nisi luftën kundër këtij vendi, duke shkaktuar qindra mijë viktima dhe miliona refugjatë që u detyruan të largoheshin nga vatrat e tyre. Por e ashtuquajtura "dëshmi" doli se ishte vetëm një shishe me pluhur larës, ndërsa informacionet e shërbimeve informative ishin fabrikuar. Përveç kësaj, ushtria amerikane bombardoi Sirinë me arsyen se "informacionet e zbulimit tregojnë se qeveria siriane ka përdorur armë kimike". Por videoja që "vërtetonte" pamjen e sulmit me armë kimike ishte prodhuar nga organizata "Helmetat e bardha", e financuar nga pala amerikane.
Raporti i studimit të OBSh-së(Faqe zyrtare e OBSh-së)
Ish-drejtori i CIA-s Allen Welsh Dulles u shpreh haptazi: “Duhet t'i modelojmë njerëzit ashtu siç duam ne dhe t'i bëjmë të na dëgjojnë... Nëpërmjet pështjellimit të mendimeve të njerëzve, mund të ndryshojmë pa u ndier konceptin e vlerave të tyre dhe t'i bëjmë ata të besojnë në vlera të tjera”. Ndërsa pasardhësi i tij, gjithashtu edhe ish-sekretar i Shtetit, Mike Pompeo, zbuloi vetë natyrën e vërtetë të CIA-s: “Gënjyem, mashtruam dhe vodhëm. Kishim kurse të plota trajnimi. Kjo të kujton lavdinë e eksperimentit amerikan”.
“Tani disa politikanë amerikanë nxiten t'i përfshijnë agjencitë e zbulimit në gjurmimin e origjinës së virusit për të stigmatizuar imazhin e Kinës. Por, kjo ka nënvlerësuar ‘inteligjencën’ e njerëzve. Në një artikull të ‘Financial Times’-it, duke iu referuar fjalëve të shumë zyrtarëve të tanishëm dhe të mëparshëm amerikanë, vihet në dukje se informacionet që zotërojnë shërbimet informative nuk mund të mbështesin arritjen e përfundimeve të paracaktuara dhe se përsëritja e teorisë së ‘daljes së virusit nga laboratori’ niset nga qëllimi politik për të shfaqur qëndrim të fortë mbi çështjet që kanë të bëjnë me Kinën,” theksohet në artikullin e "Renminribao"-s.
Ekspertët ndërkombëtarë gjatë vizitës në Wuhan(Foto:VCG)
“Gjurmueshmëria e origjinës së koronavirusit të tipit të ri duhet të mbështetet te shkencëtarët dhe jo te agjentët e shërbimeve të fshehta, duhet të bazohet mbi qëndrimin e drejtë e jo mbi ‘prezumimin e fajit’ dhe duhet të ndjekë rrugën e bashkëpunimit e jo të kundërvënies. Përfshirja e agjencive të zbulimit në gjurmimin e origjinës së virusit për qëllime politike do të dëmtojë rëndë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim. Ky veprim vetë duhet të hetohet dhe dënohet”, përfundon komenti. (Zhang Yan/Artan)