西藏---[xī zàng]---Tibet
Më 23 maj 1951, qeveria qendrore e Kinës dhe administrata lokale e Tibetit nënshkruan në Pekin Marrëveshjen mbi Mënyrën e Çlirimit Paqësor të Tibetit, e cila nisi procesin e ri historik të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Tibetit.
Pallati Potala/ VCG
Çlirimi paqësor i ka sjellë sistemit shoqëror të Tibetit ndryshime rrënjësore. Reforma demokratike e nisur në vitin 1959 shfuqizoi sistemin feudal të bujkrobërisë dhe miliona bujkrobër u çliruan dhe u bënë zotër të vetes.
Sot banorët tibetianë gëzojnë të drejtat e ndryshme të dhëna nga Kushtetuta, kanë përfaqësuesit e vet në Asamblenë Kombëtare Popullore e në asambletë popullore të niveleve të ndryshme dhe marrin pjesë në aspekte të ndryshme të jetës politike, ekonomike e shoqërore të vendit. Pas çlirimit paqësor, në Tibet është zbatuar autonomia rajonale e kombësive, e cila, si një sistem i veçantë politik, thekson integrimin e unitetit me autonominë, si dhe gërshëtimin e faktorëve të kombësive me faktorët rajonalë, dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të banorëve në rajonet ku janë të përqendruara pakicat kombëtare dhe në nxitjen e zhvillimit të këtyre rajoneve.
Rruga automobilistike Motuo/ VCG
Para çlirimit paqësor, në Tibet s'kishte asnjë rrugë automobilistike, kurse sot atje janë në funksionim afro 120 mijë km rrugë të tilla. Edhe hekurudhat dhe aeroportet janë përsosur gjithnjë e më shumë. Popullia e përgjithshme në Tibet u shtua nga 1.23 milionë në vitin 1959 në 3.5 milionë më 2019. Në vitin 1959 PBB-ja në Tibet ishte vetëm 174 milionë juanë (afro 26.7 milionë dollarë amerikanë) dhe të ardhurat për frymë 142 juanë, kurse vjet PBB-ja në këtë rajon i kaloi 190 miliardë juanët dhe të ardhurat për frymë në zonat rurale arritën në 21 mijë juanë. Po në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit arriti në 74 miliardë e 578 milionë juanë, 2192 herë më shumë se në vitin 1959.
Një kënd në qytetin Lhasa/ VCG
Në Tibetin e vjetër s'kishte asnjë shkollë moderne dhe analfabetizmi ishte 95 %. Gjatë periudhës nga viti 1951 deri në vitin 2020, qeveria kineze ka investuar gjithsej 223 miliardë e 965 milionë juanë fonde në arsim, duke nxitur krijimin e sistemit modern arsimor, që përfshin arsimin parashkollor, arsimin bazë, arsimin profesional, arsimin e lartë dhe arsimin e veçantë.
Tempulli i lamaizmit Dazhao/ VCG
Një pjesë vendesh perëndimore, nën pretekstin e lirisë fetare, kanë bërë komente me qëllim të keq mbi gjendjen në Tibet dhe kanë sulmuar politikën e Kinës mbi Tibetin. Por faktet tregojnë se në Tibet fetë dhe sektet e ndryshme fetare janë të barabarta, Në Tibet ka mbi 1700 objekte fetare të lamaizmit me afro 46 mijë murgj dhe zhvillohen normalisht veprimtaritë tradicionale fetare. Tibeti ka qenë pjesë e pandashme e territorit kinez qysh nga lashtësia dhe kombësia tibetiane është anëtare e rëndësishme e familjes së madhe të kombit kinez dhe ka fat të përbashkët me kombësitë e tjera në Kinë.
Gjatë 10 vjetëve të fundit, qeveria kineze ka investuar shumë fonde në zhdukjen e varfërisë dhe sot varfëria absolute edhe në Tibet është zhdukur.
Akullnaja në Tibet/ VCG
Meriton të përmendet edhe suksesi i Tibetit në nxitjen e qytetërimit ekologjik. Si një element i rëndësishëm për mbrojtjen e sigurisë ekologjike në Kinë, mbrojtja e mjedisit në Tibet është jo vetëm fokusi i vëmendjes së kinezëve, por edhe të popujve të vendeve të tjera. Sot Tibeti është ndër zonat me mjedisin ekologjik më të mirë në botë. (Wang Lei/ Artan)