改变---[gǎi biàn]---ndryshim
Kur futesh në një supermarket në Kinë, mund të gjesh produkte nga mbarë bota. Nga qershitë nga Kili deri në qumështin pluhur për foshnjat nga Zelanda e Re, mallrat e ndryshme jo vetëm tregojnë rritjen e shtresës së mesme në Kinë, por edhe pasqyrojnë diversifikimin e tregut kinez, që është hapur ndaj botës gjatë katër dekadave të fundit.
20 vjet më parë, kur Kina u anëtarësua në OBT, komuniteti ndërkombëtar e festoi këtë si një fitore të tregtisë së lirë dhe liberalizmit ekonomik. Ndoshta askush nuk e shprehu më mirë këtë se ish-presidenti amerikan Bill Klinton, i cili nxiti normalizimin e statusit tregtar të Pekinit dhe argumentoi përfitimet nga tregu gjigant i Kinës për kompanitë amerikane.
“Ekonomikisht, kjo marrëveshje është si një rrugë njëdrejtimëshe,” tha Klintoni në mars 2000. “Ajo kërkon nga Kina të hapë tregun e saj - me një të pestën e popullsisë botërore, që është tregu me potencialin më të madh në botë - për produktet dhe shërbimet tona në rrugë të reja. Ajo që duhet të bëjmë ne, është të ruajmë aksesin e tanishëm, që Kina e preferon.”
Për të hyrë në "klubin" e OBT-së, Kinës iu kërkua të bënte një listë të gjatë lëshimesh, shumë prej të cilave sfiduan karakteristikat bazë të sistemit politik të vendit që prej shpalljes së Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949. Në këtë listë përfshihen ulja e tarifave, përcaktimi i çmimeve nga tregu, hyrja e investimeve të huaja në industritë kineze dhe përfundimi i ndikimit shtetëror në menaxhimin komercial të ndërmarrjeve shtetërore.
“Anëtarësimi në OBT është si një top shkatërrues, që rrënon gjithçka ka mbetur në ndërtesën e vjetër të ekonomisë së planifikuar,” është shprehur ish-ministri i Financave i Kinës Jin Liqun.
Më 1992 lideri kinez Ten Hsiao Pin argumentoi që ka planifikim në kapitalizëm e treg në socializëm dhe nuk ka kontradiktë mes socializmit e ekonomisë së tregut. Kjo hodhi një bazë teorike për reformat ekonomike të Kinës dhe anëtarësimin në OBT.
Në vitin 2001, GDP-ja e Kinës renditej në vendin e 8-të në botë, pas Italisë. Me hyrjen në OBT, Kina u fut në një periudhë që përshkruhet si "mrekulli" e rritjes ekonomike, duke e bërë Kinën ekonominë e 2-të më të madhe në botë sot.
Tregtia kineze e mallrave është rritur 8 herë në 20 vjetët e fundit, nga 516.4 miliardë në vitin 2001 në 4.1 trilionë në 2017-n. Në vitin 1992, niveli i tarifave tregtare i Kinës ishte 32.2%, shumë më tepër se mesatarja botërore prej 7.2 %, ndërsa në vitin 2002 u ul në 7.7 %. Që atëherë, sipas të dhënave nga Banka Botërore, niveli i tarifave tregtare të Kinës është ulur më tej, duke shënuar mesatarisht 4.8 % nga 2003 deri në 2017.
Kina gjithashtu doli si vendi më tërheqës për investitorët e huaj nga një varg fatkeqësish globale, duke filluar nga kriza financiare e vitit 2008 deri në pandeminë e COVID-19 që filloi në fund të vitit 2019. Edhe kur investimet e huaja të drejtpërdrejta u ulën globalisht vitin e kaluar për shkak të krizës shëndetësore, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kinë patën një rritje të vogël prej 4 për qind, duke arritur në 163 miliardë dollarë - më shumë se çdo vend tjetër, sipas një raporti të OKB-së.
Në një forum të zhvilluar nga Qendra për Kinën dhe Globalizimin, kryenegociatori i Kinës për hyrjen në OBT, Long Yongtun tha që Uashingtoni e zhvendosi fokusin te antiterrorizmi si strategjia e vet kryesore në vitin 2001, teksa Pekini shpejtoi progresin e tij në reformë dhe hapje, çka i mundëson Kinës ta arrijë ShBA-në në një periudhë të shkurtër 20-vjeçare.
Qysh nga hyrja në OBT, Kina ka dhënë kontribut të madh për tregtinë globale. Kontributi i Kinës për rritjen globale ka arritur mesatarisht 30 % që prej vitit 2002. Kina është bërë partnerja kryesore tregtare për mbi 120 vende. Me krahun e punës në përmasa masive të Kinës, bizneset dhe njerëzit në botë janë favorizuar nga produktet më të lira, si veshjet dhe kompjuterat. Konsumatorëve amerikanë këto mallra me kosto të ulët u kanë kursyer 15 miliardë dollarë çdo vit.
“Kjo ka sjellë përfitime për njerëzit në mbarë botën, veçanërisht për ata në vendet në zhvillim, si edhe për vendet e zhvilluara si ShBA-ja, që është një nga përfitueset më të mëdha,” thotë Long.
Kina ka ndryshuar tregtinë botërore dhe tregtia globale ka ndryshuar Kinën. Sipas një dokumenti të publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, qeveria qendrore ka modifikuar mbi 2300 ligje e rregullore të vendit për t’u përshtatur me premtimet për hyrjen në OBT. Krahas kësaj, edhe organet e pushtetit vendor kanë rishikuar ose kanë anuluar 190 mijë ligje dhe rregullore lokale, për të shtuar transparencën dhe për të siguruar përmbushjen e rregullave të OBT-së.
Kina gjithashtu ka forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Janë krijuar gjykatat e posaçme për të drejtat e pronësisë intelektuale në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, si dhe organet e posaçme juridike në 15 gjykatat e ndërmjetme.
“Kina nuk duhet të vetëkënaqet me arritjet e saj gjatë 20 vjetëve të kaluara,” thotë ish-zv.drejtori i përgjithshëm i OBT-së Yi Xiaozhun. “Reforma dhe Hapja e Kinës duhet medoemos të ruajnë gjendjen e tanishme dhe të mos ndalojnë kurrë.”(Jiang Lei)