法制---[fǎ zhì]---sundimi i ligjit
Kohët e fundit, disa elementë antikinezë dhe krijues trazirash në Hong-Kong u dënuan sipas ligjit nga Gjykata e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Disa politikanë amerikanë shprehën komente të papërgjegjshme dhe madje bënë kërkesa absurde për lirimin e këtyre kriminelëve. Këta politikanë kohët e fundit në mënyrë të përsëritur kanë pretenduar ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në "rregulla", por ata në fakt po bëjnë veprime që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo sjellje zbulon fytyrën e tyre të vërtetë, të përdorimit të "të drejtave të njeriut" si një justifikim për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Grupi Mediatik i Kinës (CMG) komenton se këta politikanë amerikanë kanë inkurajuar kaosin antikinez në Hong-Kong, por, edhe pse e dinë që rendi i përgjithshëm në Hong-Kong është rivendosur, ata ende nuk dorëzohen dhe përpiqen të ndërhyjnë në çështjet e Hong-Kongut.
Mosndërhyrja në punët e brendshme është një parim i rëndësishëm i Kartës së OKB-së dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo përbën gjithashtu një garanci themelore për ruajtjen e sovranitetit e të pavarësisë së vendeve dhe mbrojtjen e drejtësisë e të barazisë ndërkombëtare. OKB-ja miratoi "Deklaratën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare" në vitin 1970, ku shprehet qartë se asnjë vend ose grup vendesh nuk ka të drejtë të ndërhyjë drejtpërdrejt ose tërthorazi në punët e brendshme a të jashtme të vendeve të tjera për çfarëdo arsyeje.
Disa politikanë amerikanë shpërfillin normat e lartpërmendura ndërkombëtare dhe ndërhyjnë vazhdimisht në punët e brendshme të Kinës, duke justifikuar krimet e kaosit antikinez në Hong-Kong. Kjo i lejon botës të shohë më qartë se ata luajnë me parullat për të ashtuquajturat "liri" dhe "demokraci", teksa qëllimi i tyre i vërtetë është të ngatërrojnë Hong-Kongun dhe të pengojnë Kinën.
Në fakt, që nga kaosi i "ndryshimit të rregullores" në Hong-Kong më 2019, disa politikanë amerikanë janë përpjekur të kryejnë një "revolucion me ngjyra" në Hong-Kong, duke i mbyllur sytë ndaj krimeve të radikalëve të dhunshëm, madje duke i quajtur këto veprime të dhunshme kriminale si "peizazh i bukur", duke sjellë shqetësim për gjithë botën. Pasi krijuesit e trazirave antikinezë në Hong-Kong u ndëshkuan në përputhje me ligjin, disa politikanë amerikanë përsëri herë pas here përdorin të ashtuquajturat "të drejta njeriu" dhe "liri" për të mbrojtur kriminelët dhe për të minuar zhvillimin e të drejtave të njeriut në Hong-Kong. Sa i përket "shtetit të së drejtës" të vetëshpallur prej tyre, ai është bërë një skenë tjetër e shfaqjes së "standardit të dyfishtë" nga ShBA-ja.
Jo vetëm në Hong-Kong, por disa politikanë amerikanë praktikojnë ndërhyrje në të gjithë botën. Në më shumë se 70 vjet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nga pushtimet ushtarake te sanksionet e trysnia, dhe deri në nxitjen e trazirave, ShBA-ja ka bërë gjithçka në mënyrë që të ruajë hegjemoninë e saj globale.
CMG-ja komenton se çdo herë që disa politikanë amerikanë pretendojnë se qëndrojnë me "popullin e Hong-Kongut", e gjithë bota e di mirë: Kjo është një farsë dhe komedi. "Populli i Hong-Kongut" për të cilin e kanë fjalën këta politikanë janë në të vërtetë ata që kanë shkaktuar kaosin antikinez në Hong-Kong dhe që janë në shoqërinë e kriminelëve të dhunshëm. Të drejtat dhe liritë e njeriut në Hong-Kong mbrohen plotësisht nga Ligji Themelor. Përpjekjet e një numri të vogël politikanësh amerikanë për të ndikuar në mënyrë të papërshtatshme në sistemin e drejtësisë të Hong-Kongut janë pa dyshim të kota. Sot në Hong-Kong nuk ka më hapësirë për "dorën e zezë" të huaj, e mbyll komentin CMG-ja.