干涉---[gān shè]---Ndërhyrje
Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit Antony Blinken shprehu edhe një herë synimin e bashkimit të aleatëve për të goditur Kinën dhe Rusinë gjatë pjesëmarrjes në takimin e ministrave të Jashtëm të G7-s të organizuar ditët e fundit në Londër. Kjo ka ndodhur 100 ditë pas marrjes së detyrës nga presidenti Joe Biden, duke qartësuar më tej strategjinë diplomatike të administratës së re amerikane.
Antony Blinken
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, nga një anë qeveria e re amerikane po u dërgon një sinjal të vullnetit të mirë aleatëve tradicionalë europianë, me shpresën se ata mund të luajnë një rol të rëndësishëm në politikën e ndërhyrjes dhe të frenimit të Kinës. Ndërkohë, nga ana tjetër, Uashingtoni po përshpejton integrimin e burimeve strategjike globale. Siç vuri në dukje pak kohë më parë Blinken-i, ShBA-ja do të tërhiqet nga Afganistani për t'i përqendruar forcat kundrejt Kinës. Tërheqja e 1 majit e kontingjentit të fundit të trupave ushtarake amerikane nga Afganistani është dëshmi e praktikimit të kësaj skeme.
"Mund të parashikohet se terreni i praktikimit të intervencionizmit të ShBA-së do të jetë përsëri në Paqësor. Edhe pse ShBA-ja 'ka hequr të zitë e ullirit' në luftën që zgjati 20 vjet në Afganistan, ajo prapë nuk heq dorë prej këtij koncepti", thuhet në komentin e CMG-së.
Tërhiqen trupat ushtarake amerikane, Afganistan
Para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në ShBA, instituti i njohur amerikan i studimit të politikave "Carnegie" botoi një raport me titull "Politika e jashtme amerikane duhet t'i shërbejë më mirë klasës së mesme", ku vihet në dukje se ShBA-ja duhet të dijë mirë se ajo ka aftësi të kufizuara në ndryshimin e vendeve dhe shoqërive të tjera. Njerëzit në mbarë botën kanë parë se para 20 vjetësh, ShBA-ja, me pretendimin e krijimit të një "modeli demokratik", hyri në Afganistan. Por lufta që ka zgjatur prej dy dekadash, la vetëm një vend të shkatërruar, ndërkohë që edhe vetë ShBA-ja pati pasoja të rënda nga ndërhyrja në Afganistan.
Agjencia amerikane e lajmeve AP njoftoi se, në 20 vjetët e fundit, mbi 2 400 ushtarë amerikanë, gjatë mandatit të katër presidentëve, humbën jetë në këtë luftë që harxhoi 2.26 trilionë dollarë amerikanë. Ndërkohë, ekonomia e ShBA-së pësoi recesion, shoqëria është ndarë më shumë, polarizimi politik është thelluar dhe fuqia kombëtare është dobësuar. Gjëja më serioze është ngritja e dyshimeve për demokracinë amerikane: jashtë vendit, "modele" si Afganistani e Iraku kanë treguar dobësinë e tyre, ndërsa brenda vendit përleshjet në "Capitol Hill" e kanë bërë demokracinë e stilit amerikan një objekt talljeje nga tërë bota.
Aeroplanmbajtëse amerikane
Mirëpo administrata e re amerikane, në vend të fokusohet te bashkimi i shoqërisë së ndarë, po përsërit traditën e ndërhyrjes në rajonin e Paqësorit, duke përfshirë aleatët. "Përsëri me pretekstin e të ashtuquajturave 'të drejta të njeriut', 'demokraci' , 'liri' etj., ShBA-ja hodhi njëra pas tjetrës "kartat" e Hong-Kongut, Xinjiang-ut dhe Tajvanit. Për një 'pioniere' si Japonia, ShBA-ja, që vetëquhet si 'mbrojtëse e mjedisit', zbaton haptazi standarde të dyfishta, duke i hapur dritën jeshile vendimit të Tokios për shkarkimin e ujit radioaktiv në det. Kjo edhe një herë i tregon botës se, për interesat gjeopolitike, politikanët amerikanë janë shumë dritëshkurtër dhe egoistë", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)