月球---[yuè qiú]---Hënë
Pak ditë më parë u zhvillua në Nankin të Kinës aktiviteti i promovimit të Stacionit Ndërkombëtar për Studimin Hënor, i organizuar bashkërisht nga Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës dhe Korporata Shtetërore Hapësinore e Rusisë.
Në këtë aktivitet Kina dhe Rusia publikuan deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin në ndërtimin e Stacionit Ndërkombëtar për Studimin Hënor.
Ekspertët janë të mendimit që Stacioni Ndërkombëtar për Studimin Hënor do të jetë një tjetër projekt i madh i njerëzimit mbi eksplorimin hapësinor dhe do të nxitë zhvillimin e shpejtë të teknologjisë hapësinore dhe përparimin e përbashkët të njerëzimit.
Në këtë deklaratë shprehen besimi dhe vendosmëria e Kinës dhe Rusisë në bashkëpunimin në fushën e kërkimeve hënore dhe hapësinore. Zv.kryetari i Komitetit të Transportit Hapësinor pranë Federatës Ndërkombëtare të Astronautikës dhe studiues në Institutin e 2-të të Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore të Kinës, Yang Yuguang, është i mendimit që Kina dhe Rusia plotësojnë njëra-tjetrën në eksplorimin hënor.
“Veçantia kryesore e Rusisë është që ajo ka histori shumë të gjatë dhe përvojë shumë të pasur në eksplorimet në Hënë. Rusia ka epërsi të rëndësishme në shumë teknologji përkatëse. P. sh. në fluturimet hapësinore me astronautë, Rusia ka përvojën e qëndrimit më të gjatë të njeriut në hapësirë. Ndërsa për sa i përket Kinës, ne kemi arritje dhe përvojë në eksplorimin në anën e pasme të Hënës. Kjo është një bazë shumë e rëndësishme për bashkëpunimin tonë. Në të ardhmen, mund të presim që të dy vendet të plotësojnë njëri-tjetrin dhe të nxisin bashkëpunimin e gjithanshëm,” tha Yang Yuguang.
Në deklaratë është vënë në dukje qartë që stacioni ndërkombëtar për studimin shkencor të Hënës do të jetë i hapur për të gjitha vendet, organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë që dëshirojnë të marrin pjesë në planifikimin, projektimin, kërkim-zhvillimin, zbatimin dhe menaxhimin e këtij stacioni. Të gjitha format e bashkëpunimit mirëpriten në të gjitha fazat e projektit dhe në të gjitha nivelet e misioneve përkatëse. Yang Yuguang-u u shpreh që ky do të jetë një shembull i ri i bashkëpunimit hapësinor të njerëzimit.
“Tani projekti më i madh i bashkëpunimit ndërkombëtar të njerëzimit në fushën e kërkimeve kozmike është Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, i cili drejtohet nga ShBA-ja e Rusia dhe ku marrin pjesë 16 vende në projektet përkatëse shkencore. Në të ardhmen, Kina dhe Rusia do të drejtojnë ndërtimin e Stacionit Ndërkombëtar për Studimin Hënor dhe mirëpresin pjesëmarrjen e vendeve të tjera. Mund të merret me mend që, pas Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, ky do të jetë një tjetër projekt ndërkombëtar i eksplorimeve hapësinore me pjesëmarrjen e shumë vendeve, që do të vazhdojë t'i sjellë përfitime mbarë njerëzimit,” vuri në dukje Yang.
Në korrik 2020, Kina dhe Rusia vendosën zhvillimin e bashkëpunimit lidhur me Stacionin Ndërkombëtar për Studimin Hënor. Në mars 2021, të dy vendet nënshkruan memorandumin për ndërtimin e përbashkët të Stacionit Ndërkombëtar për Studimin Hënor, duke nisur bashkëpunimin lidhur me këtë stacion ndërkombëtar. Sipas planit të të dy vendeve, në të ardhmen do të publikohet harta e rrugës për zbatimin e këtij projekti dhe do të përcaktohet procesi i pjesëmarrjes së vendeve të tjera ose organizatave ndërkombëtare. (Jiang Lei)