排放---[pái fàng]---shkarkim
Pavarësisht nga kritikat e gjera brenda e jashtë vendit për shkarkimin e ujërave të ndotura nga incidenti i centralit bërthamor të Fukushimës, ka pasur ndonjë prej palës japoneze që ka pretenduar ditët e fundit se në trajtimin e ujërave të mbetura të centraleve bërthamore, Kina dhe Koreja e Jugut kanë standard më të ulët se Japonia dhe nga këndvështrimi "shkencor", kritikat e këtyre dy vendeve ndaj Japonisë janë të paarsyeshme.
Në një koment nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) vihet në dukje që kjo pikëpamje orvatet të mohojë ose të mbulojë faktin thelbësor që centrali bërthamor i Fukushimës pati një incident të nivelit më të lartë dhe ujërat e ndotura si pasojë e këtij incidenti përmbajnë një vëllim të madh elementesh bërthamore radioaktive, të prodhuara nga shpërbashkimi bërthamor. Pra, këto ujëra janë krejtësisht të ndryshme nga ujërat e shkarkuara nga funksionimi normal i një centrali bërthamor, të cilat përputhen me standardet e pranuara ndërkombëtare dhe nuk janë ujëra të ndotura radioaktive.
Një qëndrim i tillë i palës japoneze ka për qëllim që të fshehë dëmet prej ujërave të ndotura të centralit bërthamor të Fukushimës, që të kërkojë të ashtuquajturën "ligjshmëri" për shkarkimin e ujërave të mbetura radioaktive në det. Sipas një raporti të publikuar më 10 shkurt 2020 nga Komisioni i Sistemit të Përparuar të Trajtimit të Lëngjeve (ALPS) i Japonisë, që përgjigjet për studimin e trajtimit të ujërave të mbetura nga incidenti bërthamor i Fukushimës, deri më 31 dhjetor 2019, edhe pas trajtimit të ALPS-it, 73 % e ujërave të mbetura nuk përputhen me standardin e shkarkimit të Japonisë. Madje, në numrin e fundit (të 13 prillit) të revistës amerikane "Science" vihet në dukje se, gjatë trajtimit të ALPS-it, u shpërfillën shpeshherë izotope si ruteni, kobalti, strontiumi, plutoni etj., që kanë jetë më të gjatë dhe janë më të rrezikshme.
"Nëse ujërat e ndotura nga centrali bërthamor i Fukushimës janë me të vërtetë të sigurta siç thonë zyrtarët japonezë, pse ato duhet të shkarkohen në det dhe nuk do të përfshihen në sistemin e ujit të pijshëm të vendit ose në sistemin e ujitjes në bujqësi? Pse politikanët japonezë që pretendojnë sigurinë e ujërave të ndotura radioaktive, nuk provojnë të pinë vetë nga këto ujëra para publikut?" pyet në komentin e vet CMG-ja.
Në fakt, përveç shkarkimit në det, Japonia ka alternativa të tjera më të sigurta për trajtimin e ujërave të ndotura nga centrali bërthamor, por ka zgjedhur mënyrën që do të dëmtojë më shumë Tokën. Një nga arsyet kryesore është kostoja më e ulët. Ashtu siç thuhet në raportin e ekspertëve të Ministrisë së Industrisë e të Ekonomisë të Japonisë, "shkarkimi i ujërave në det shpenzon më pak kohë dhe para."
Këtë zgjedhje të nisur nga interesat e veta afatshkurtra, Japonia e ka bërë pa u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe me palët e interesuara, dhe pa provuar metodat e tjera më të sigurta. Një projekt me kosto më të ulët për Japoninë do t'i sjellë tërë botës rrezik më të madh lidhur me sigurinë mjedisore. Përgjegjësia që duhet të mbahet nga Japonia do të transferohet në mbarë njerëzimin. Ky vendim i Japonisë është shumë i papërgjegjshëm dhe i pamoralshëm.
Shkencëtarët e vendeve të ndryshme kanë parashikuar një të ardhme tragjike të oqeaneve prej këtij vendimi të palës japoneze. Sipas një instituti gjerman të studimit të shkencave detare, bregdeti i Fukushimës ka rrymën më të fuqishme oqeanike në botë. Materialet radioaktive në ujërat e ndotura do të përhapen në gjysmën e Paqësorit 57 ditë pas shkarkimit, do të ndikojnë ShBA-në e Kanadanë pas tre vjetëve dhe do të përhapen në të gjitha hapësirat detare në Tokë pas dhjetë vjetëve.
Thuhet se shkarkimi i ujërave të ndotura nga qeveria japoneze e dënon Tokën me "vdekje me pezullim". "Japonia duhet ta rishikojë dhe ta tërheqë vendimin e gabuar. Për trajtimin e ujërave të ndotura nga centrali bërthamor i Fukushimës ka vetëm një standard, që të merret përsipër përgjegjësia për mbarë njerëzimin e për pasardhësit," bëhet thirrje në komentin e CMG-së.