中文---[zhōng wén]---gjuha kineze
Pranvera,stina e mbjelljes/ foto nga VCG
20 prilli është Dita e Gjuhës Kineze e Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2010, Departamenti i Informacionit (që tani quhet Departamenti i Komunikimit Global) i OKB-së nisi Ditën e Gjuhëve të OKB-së, me qëllim që të inkurajojë shumëllojshmërinë kulturore dhe të nxitë përdorimin e barabartë të gjashtë gjuhëve zyrtare (anglishtes, arabishtes, frëngjishtes, kinezishtes, rusishtes dhe spanjishtes) në këtë organizatë. Ndër to, Dita e Gjuhës Kineze u vendos të jetë në Ditën Guyu, që është faza e 6-të ndër 24 fazat stinore sipas kalendarit bujqësor kinez.
Guyu, e fundit ndër gjashtë fazat stinore në pranverë, ka kuptimin “shiu i drithit”. Me këtë rast, filizat që sapo dalin në arë, kanë shumë nevojë për shi, prandaj në Kinë ka një thënie që "shiu i pranverës është i çmuar si vaji”. Në këtë fazë në fundin e pranverës dhe në fillim të verës, të gjitha bimët e pemët rriten shpejt.
Cangjie
Lidhur me prejardhjen e emrit “Guyu”, ka një legjendë. Sipas librit “Huainanzi”, një vepër klasike e lashtë kineze, Perandori i Verdhë shpalli me një dekret të nxjerrë në fund të pranverës dhe në fillim të verës, suksesin e krijimit të hieroglifeve nga Cangjie dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve t’i mësojnë ato. Krijimi i hieroglifeve është një ngjarje madhore. Thuhet se falë kontributit të madh të Cangji-së, Perandori i Qiellit urdhëroi hapjen e silosit të drithërave në qiell, që të shpëtonte banorët në Tokë nga fatkeqësia natyrore. Me anë të "shiut të drithit", njerëzit në Tokë mbijetuan. Më vonë, kjo ditë u quajt “shiu i drithit” dhe u bë një nga 24 fazat stinore.
Departamenti i Informacionit i OKB-së e vendosi Ditën e Gjuhës Kineze në fazën Guyu, në shenjë përkujtimore për kontributin e Cangjie-së në krijimin e hieroglifeve kineze.
Gjatë dhjetë vjetëve, Dita e Gjuhës Kineze është bërë një dritare për njohjen e kulturës kineze. Çdo vit në kuadrin e kësaj dite, në selinë e OKB-së në Nju-Jork organizohen një sërë veprimtarish, si ekspozita pikturash, forume të mësimit të gjuhës kineze, leksione, shfaqje artistike etj. Aktivitete të tilla zhvillohen edhe në përfaqësitë e OKB-së në Gjenevë, Bangkok, Najrobi dhe Vjenë.
Foto nga CGTN
Sivjet, Guyu bie më 20 prill. Me këtë rast, Klubi i Librave Kinezë ka organizuar tre veprimtari me temën “Hieroglifet në fokus”, që kanë të bëjnë përkatësisht me tre grupe hieroglifesh kineze, si shkrimi i kulturës Liangzhu, hieroglifet Dongba dhe hieroglifet në zhguaj e kocka, si dhe tre trashëgimi kulturore të botës, si rrënojat e qytetit të lashtë Liangzhu të Kinës Lindore, rrënojat e qytetit të lashtë Lijiang në Kinën Jugperëndimore dhe rrënojat e dinastisë Yin në Kinën Qendrore.
Sivjet, me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze zhvillohet edhe Videofestivali i Gjuhës Kineze, i organizuar bashkërisht nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, përfaqësia e Kinës në Gjenevë e Grupi Mediatik i Kinës (CMG), dhe i hapur për gjithë të huajt që kanë interes për gjuhën kineze.
Mexosopranos britanike Phoebe Haines/ foto nga CGTN
Kënga tematike e këtij videofestivali u publikua para Ditës së 11-të të Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara. Kjo këngë, me emrin “Gjuha e Pranverës”, përcjell mesazhin e shpresës dhe të gjithëpërfshirjes, nëpërmjet kapjes së frymës së pranverës.
Muzika e saj pasqyron shumëllojshmërinë e shprehjeve kulturore, me gërshetimin e këngës popullore të kombësisë buyi të Kinës Jugperëndimore “Hao Hua Hong” dhe të interpretimit në gjuhën kineze të mexosopranos britanike Phoebe Haines.
Deri tani, aktiviteti ka tërhequr pjesëmarrës nga 13 vende, duke përfshirë ShBA-në, Britaninë, Francën, Italinë, Zvicrën, Japoninë, Kenian etj. Ndër mbi 260 video të paraqitura, pasqyrohet bukuria e hieroglifeve, e kaligrafisë kineze, e kuzhinës kineze etj.
Videotë e paraqitura nga pjesëmarrësit e videofestivalit/ foto nga CMG