气候---[qì hòu]---Klimë
"Përgjigjja ndaj ndryshimeve klimatike është kauza e përbashkët e gjithë njerëzimit dhe nuk duhet të bëhet një mjet negociimi gjeopolitik, një objektiv për të sulmuar vendet e tjera dhe një justifikim për pengesat tregtare." Kjo është një pikëpamje e rëndësishme e promovuar dhe e theksuar nga presidenti kinez Xi Jinping në videosamitin e liderëve të Kinës, Francës dhe Gjermanisë lidhur me përballimin prej njerëzimit të ndryshimit të klimës.
Në vitet e kaluara, praktika të tilla të paarsyeshme, si unilateralizmi dhe politizimi i epidemisë, kanë sjellë shumë kaos dhe fatkeqësi në botë. Nëse bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet perëndimore, ende nuk marrin masa për çështjen e ndryshimit të klimës, e cila lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm të njerëzimit, kjo do të sjellë pasoja katastrofike.
Për fat të mirë, disa udhëheqës të fuqive të mëdha kanë treguar guxim të admirueshëm dhe vizion strategjik.
Në Samitin e Liderëve Kinë-Francë-Gjermani, presidenti Xi Jinping, homologu i tij francez Emannuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel deklaruan njëzëri se do të mbështetin multilateralizmin, do të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Parisit dhe do të ndërtojnë së bashku një sistem të qeverisjes globale të klimës të drejtë, të arsyeshëm e me përfitime për të gjithë, duke e bërë përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike një shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit Kinë-BE.
Ky është një konsensus shumë i rëndësishëm, si për Kinën e Evropën, ashtu edhe për botën në tërësi.
Kohët e fundit, disa politikanë evropianë janë bashkuar në aleancën antikineze të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara rreth Xinjiang-ut e Hong-Kongut të Kinës dhe çështjeve të tjera, duke i ndërlikuar marrëdhëniet kino-evropiane. Franca dhe Gjermania janë dy vendet më të rëndësishme anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kohë, ato po diskutojnë bashkëpunimin me Kinën dhe arritjen e një konsensusi për çështjet e klimës, çka tregon që rrjedha kryesore e politikës evropiane ende i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Kinën dhe që interesat e ndërsjellë mund t'i tejkalojnë ende faktorët ideologjikë e politikë. Kjo i ka zbutur në njëfarë mase shqetësimet e botës.
Disa ditë para videosamitit midis Kinës, Francës e Gjermanisë, Japonia vendosi të hedhë në oqean ujërat e ndotura bërthamore nga aksidenti i centralit bërthamor të Fukushimës, gjë që shkaktoi kritika të forta nga bashkësia ndërkombëtare. David Boyd, Raportuesi i Posaçëm për të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisin i OKB-së dhe personalitete të tjera, kanë thanë se veprimi i Japonisë "mund të paraqesë rrezik për njerëzit dhe mjedisin për më shumë se 100 vjet".
Uashingtoni zgjodhi ta tolerojë egoizmin e Tokios. Gjeopolitika është pa dyshim një faktor i rëndësishme në këtë drejtim, duke përfshirë dëshirën e ShBA-së për ta bërë Japoninë një peng për strategjinë e saj të Indo-Paqësorit dhe kundër Kinës. Kjo vetëm mund të shtojë shqetësimin e publikut lidhur me çështjen nëse mund të heqin dorë nga interesat e tyre ato vende që janë përgjegjëse për zvogëlimin e lëshimeve globale dhe të marrin me të vërtetë përgjegjësi mbi vete.
Në shtator të vitit të kaluar, presidenti Xi Jinping njoftoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së afatet për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit nga ana e Kinës. Në videosamitin me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Xi tha se kjo "do të jetë një betejë e vështirë" për Kinën, dhe theksoi se Kina do ta përfshijë arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit në planin e përgjithshëm të ndërtimit të qytetërimit ekologjik të vendit dhe do të promovojë plotësisht zhvillimin e ekonomisë qarkulluese të karbonit. Ai gjithashtu deklaroi se Kina ka vendosur ta pranojë Amendamentin e Kigalit të Protokollit të Montrealit për të forcuar kontrollin e gazeve serrë jo dioksid karboni, si hidrofluorokarburet. E gjithë kjo tregon se reagimi i Kinës ndaj ndryshimeve klimatike është jo me fjalë, por duke ndërmarrë veprime konkrete.
Në histori, lëshimi i karbonit nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa ka përbërë më shumë se gjysmën e vëllimit global, dhe tani ndotja për frymë aty është ende shumë më e madhe se në vendet e tjera. Ekonomitë e zhvilluara duhet të japin shembullin e tyre në uljen e lëshimit, të marrin drejtimin në përmbushjen e angazhimeve të tyre për financimin e klimës dhe të sigurojnë mbështetje të mjaftueshme teknike dhe në ndërtimin e kapaciteteve për vendet në zhvillim, për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike.
Nëse natyra zemërohet, fuqia e saj është e paimagjinueshme. Për të trajtuar ndryshimet klimatike, objektivat mund të arrihen vetëm duke zëvendësuar egoizmin me bashkëpunimin. Udhëheqësit e Kinës, Francës dhe Gjermanisë i kanë treguar botës vendosmërinë dhe veprimet e tyre. Por si nismëtare të samitit të klimës të liderëve globalë, Shtetet e Bashkuara duhet t'i dëshmojnë botës sinqeritet në trajtimin e ndryshimit të klimës.(foto nga VCG)