民主---[mín zhǔ]---demokraci
Kohët e fundit, me tensionimin e situatës në pjesën lindore të Ukrainës, është shfaqur pandërprerë "dora e zezë" e ShBA-së. Ushtria amerikane ka njoftuar se do të dislokojë anije luftarake në rajonin e Detit të Zi, ndërkohë që shumë zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë, duke përfshirë presidentin, sekretarin e Shtetit etj., kanë pasur komunikim të ngushtë me palën ukrainase. Me ndërhyrjet e herëpashershme, Ukraina përballet përsëri me rrezikun e një konflikti ushtarak masiv.
Tensionimi i situatës në pejsën lindore të Ukrainës/ Foto nga "People Vision"
Kjo është vetëm maja e ajsbergut e "eksportit" të trazirave dhe e prishjes së paqes botërore nga ShBA-ja në emër të demokracisë, shkruan Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment.
Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Instituti i Studimit të të Drejtave të Njeriut i Kinës, qysh nga Lufta II Botërore, pothuajse të gjithë presidentët amerikanë kanë shpërthyer ose kanë ndërhyrë në luftërat jashtë vendit gjatë mandatit të tyre. Sipas të dhënave jo të plota statistikore, nga fundi i Luftës së 2-të Botërore deri në vitin 2001, ndër 248 konfliktet e dhunshme në 153 rajone të botës, 201 u shpërthyen nga ShBA-ja, duke zënë 81 % të numrit të përgjithshëm. Këto luftëra jo vetëm kanë shkaktuar shumë viktima ushtarake, por edhe humbje të rënda të jetës së civilëve dhe dëme të mëdha materiale. Të gjitha këto janë katastrofa të jashtëzakonshme humanitare.
Prej kohësh, për mbrojtjen e hegjemonisë së saj në botë, ShBA-ja ka goditur në mënyrë arrogante të gjitha vendet që nuk pranojnë sistemin e saj, ose nëpërmjet luftërave të drejtpërdrejta, ose duke nxitur "revolucionet me ngjyra" për përmbysjen e pushtetit në këto vende. Ndërkohë, pothuajse të gjitha ato vende që janë detyruar të pranojnë "demokracinë amerikane", përballen me mospërshtatje ose reagime kundërshtuese. Kudo që shkon "demokracia amerikane", shkakton rënie të politikës dhe vuajtje e vështirësi për banorët vendorë, komenton CMG-ja.
Foto nga"People Vision"
Edhe vetë ShBA-ja ka rënë pre e "demokracisë së eksportuar" nga ajo. Nga njëra anë, luftërat kanë shkaktuar shpërnguljen e refugjatëve të vendeve të shkatërruara dhe përhapjen e forcave terroriste në Evropë e në ShBA, duke shtuar shumë rreziqet e sigurisë aty. Nga ana tjetër, besueshmëria e ShBA-së është dobësuar gjithnjë e më shumë pas luftërave agresive dhe është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Bota e ka të qartë se përdorimi i forcës nga ShBA-ja, pa përfillur pasojat, pasqyron qëndrimin e saj hegjemonist dhe mendjemadhësinë. Ashtu siç thuhet në revistën amerikane "Foreign Policy", "mbrojtja e të drejtave të njeriut" nuk është motivi i qartë i ShBA-së për përdorimin e forcës, por vetëm një mjet për të arritur objektivin e vet. Kjo dëshmohet nga fjalët e ditëve të fundit të zv.presidentes amerikane Kamala Harris: "Gjatë shumë vjetëve të kaluar, disa breza amerikanësh kanë luftuar për naftën". Këto fjalë u pritën me shpoti nga përdoruesit e internetit: "Jo për demokracinë dhe lirinë, po për naftën?"
Përballë katastrofave të mëdha humanitare, vendimmarrësit amerikanë nuk kanë treguar asnjë pendim. Nxitja dhe ndërhyrja në situatën në Ukrainë, aludimi për pamundësinë e tërheqjes së trupave nga Afganistani më 1 maj... të gjitha këto veprime të qeverisë amerikane e bëjnë botën ta ketë të qartë se ShBA-ja eksporton jo demokracinë, por trazira dhe luftëra. Ai që pret që ShBA-ja me gjenet e veta hegjemoniste të mbrojë të drejtat e njeriut, do të dëmtojë veten e vet.
Politikanët që ngulin këmbë në përdorimin e forcës duhet të mbajnë në mend paralajmërimin e Kisingerit në librin "Strategjia globale e ShBA-së": "Synimi për hegjemoni do të prishë në fund tërë sistemin e vlerave që e ka bërë ShBA-në një vend të madh," e përfundon komentin e saj CMG-ja.