竞争---[jìng zhēng]---Konkurrencë
"ShBA-ja mendon se konkurrenca e saj me Kinën është një kopje e luftës ShBA-Bashkimi Sovjetik për hegjemoni dhe se do të fitojë, por Kina nuk është Bashkimi Sovjetik."
“Evropa duhet të mendojë se kush është kërcënimi më i madh. Në perspektivë afatgjatë, Kina do të bëhet tregu kryesor i Evropës.”
[Foto nga VCG]
Më 2 prill, Kishore Mahbubani, një akademik i shquar i Institutit të Studimeve Aziatike të Universitetit Kombëtar të Singaporit, politikan dhe ish-diplomat, u intervistua nga media zvicerane "Le Temps" . Ai bëri një vlerësim objektiv e të drejtë lidhur me marrëdhëniet Kinë-ShBA e Kinë –BE dhe zhvillimin e Kinës.
Në vitin 2020, Mahbubani botoi librin "A ka fituar Kina? Sfida kineze ndaj epërsisë amerikane". Kohët e fundit u botua versioni frëngjisht i këtij libri, me titull "Dita kur Kina do të fitojë" , ku është hequr pikëpyetja nga titulli.
Ish-ministri i Jashtëm francez Hubert Védrine (Yber Vedrin) shkruan në parathënien e librit: "Kishore Mahbubani ka deklaruar prej kohësh se 'epoka perëndimore po mbaron dhe evropianët duhet ta pranojnë këtë e të jenë të përgatitur për këtë'. Siç thotë Mahbubani në librin e tij, ngritja e Kinës e ka tronditur dhe zemëruar Perëndimin, dhe hegjemonia amerikane përfundimisht do të marrë fund".
Pyetjes së "Le Temps" se "a nuk është pak e guximshme të parashikosh fitoren e Kinës dhe fundin e hegjemonisë amerikane?", Kishore Mahbubani iu përgjigj: "Në versionin francez të librit nuk po them se Kina do të fitojë. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara mund të jenë ende fuqia më e madhe në botë dhe kurrë nuk duhen nënvlerësuar. Por, në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta nënvlerësojnë Kinën. Në fakt, ky është pikërisht gabimi më serioz i bërë nga amerikanët - nisja pa një udhërrëfyes strategjik e një luftë gjeopolitike me një vend kaq të madh."
[Foto nga VCG]
Ish-presidenti i ShBA-së Donald Trump dhe administrata e mëparshme mendonin se duke sfiduar Kinën ekonomikisht, Shtetet e Bashkuara "do ta ndihmonin" Kinën të hapej si një vend i ashtuquajtur "i lirë dhe demokratik". Ish-sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe ish-zv.presidenti Mike Pence besonin madje se ata mund "ta përmbysnin" regjimin kinez. Kishore Mahbubani mendon se kjo ide është një iluzion, shumë naive dhe arrogante.
Ai vlerëson se administrata e Biden-it mund të jetë duke bërë të njëjtin gabim. Biden-i beson se të gjitha veprimet e ndërmarra nga administrata e Trump-it kundër Kinës janë të gabuara, përveç sanksioneve tregtare, prandaj nuk i hoqi ato. Por e vërteta është se politika antikineze e Trump-it nuk e dobësoi Kinën, por e forcoi më tej.
Mahbubani vuri në dukje se Kina ka provuar epërsitë e sistemit të saj, ka një model të efektshëm të përzgjedhjes dhe vendos njerëz të shquar në poste të rëndësishme në vend. Cilësia e qeverisjes në Kinë e ka kaluar atë të Shteteve të Bashkuara dhe kjo mund të shihet te aftësia e të dy vendeve për t'u marrë me pandeminë e COVID-19. Më shumë se 500 000 njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur si rezultat i saj, ndërsa në Kinë deri më tani numri nuk i ka kaluar 5 000. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se Kina sot është ndryshe nga Bashkimi Sovjetik dikur, theksoi eksperti.
[Foto nga VCG]
Tani ka shenja se konkurrenca midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara po zgjerohet në një konkurrencë mes Perëndimit e Kinës dhe mund të ketë një aleancë të kampit perëndimor kundër Kinës. Kishore Mahbubani i kujton Evropës se duhet të pyesë veten se cili është kërcënimi më i madh ndaj Evropës.
Nga pikëpamja ekonomike, Evropa ka nevojë për një treg mallrash. Ai merr si shembull Gjermaninë. Një e treta e makinave "Audi" shiten në Kinë dhe shitjet e makinave "Mercedes" në Kinë janë katër herë më shumë se në Shtetet e Bashkuara. Kina do të ketë shtresën e mesme më të madhe në botë dhe do të bëhet tregu kryesor për evropianët. Dhjetë vjet më vonë, tregu kinez i mallrave me pakicë do të jetë shumë më i madh se ai i ShBA-së dhe Evropa duhet të marrë parasysh interesat e saj afatgjata. (Vera/Artan)