年轻人---[nián qīng rén]---të rinj
Kina po shpejton vaksinimin masiv kundër COVID-19, duke vaksinuar njerëzit në gjendje të mirë shëndetësore mbi 60 vjeç.
Zyrtarët thonë që, në bazë të të dhënave të fazës së parë dhe të dytë të provave klinike për njerëzit e moshuar në Kinë dhe vaksinimit masiv të të moshuarve jashtë vendit, del se niveli i efekteve anësore në këtë grup-moshë është relativisht i ulët, i ngjashëm me personat në moshë pune. Krahas kësaj, po shpejtohet puna e kërkim-zhvillimit lidhur me vaksinat e COVID-19 për të moshuarit, çka do të ofrojë më shumë të dhëna në këtë drejtim.
Ndryshe nga SHBA-ja dhe Britania, të cilat i japin përparësi vaksinimit të të moshuarve, Kina ka vaksinuar të parët njerëzit në moshë pune.
Ekspertët thonë që nuk ka dëshmi që të tregojnë se cila zgjedhje është e drejtë, meqë vende të ndryshme kanë gjendje të ndryshme.
Specialisti për sëmundjet ngjitëse nga Shangai, Zhang Wenhong, thotë që në ShBA e Britani koronavirusi i ri po përhapet në mbarë vendin dhe është e pamundur që të moshuarit ta shmangin atë. Krahas kësaj, virusi është më vdekjeprurës për të moshuarit, sepse sistemi imunitar dobësohet me kalimin e moshës.
Për të pakësuar shifrën e vdekjeve, shumë vende perëndimore të prekura rëndë nga epidemia janë detyruar të vaksinojnë të moshuarit të parët, ndërsa në Kinë gjendja është shumë e ndryshme dhe koronavirusi është kontrolluar mirë. Detyra e parë dhe më e rëndësishme e Kinës është të ndalojë përhapjen e virusit dhe kjo kërkon që qeveria të vaksinojë të parët ata që lëvizin shpeshherë dhe kanë kontakte me shumë njerëz.
"Ju mund të shihni se shumica e njerëzve që kanë vdekur nga COVID-19 në ShBA dhe Europë janë kryesisht mbi 60 vjeç, kështu që nëse vendet vaksinojnë këtë grup njerëzish, numri i të vdekurve do të pakësohet shumë", thotë Zhang. "Mirëpo në Kinë, detyra jonë është që të parandalojmë rastet nga jashtë dhe rikthimin e rasteve brenda vendit. Për të parandaluar këtë, sfida më e madhe është nga ata që janë shumë aktivë në shoqëri dhe mund të bien shumë lehtë në kontakt me virusin, si mjekët dhe personeli shëndetësor. Shumica e tyre janë të rinj".
Më tej Zhang theksoi: "Të moshuarit vuajnë më shumë nga sëmundjet e zemrës, të enëve të gjakut të trurit etj. Ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme klinike për të moshuarit në këtë fazë, prandaj më mirë të presim derisa të kemi më shumë të dhëna.”
Kina ka shpejtuar programin e vaksinimit, duke synuar që deri në muajin qershor të vaksinojë 40 % të popullsisë dhe deri në fund të vitit shifra të ketë arritur në 70-80 %. Deri tani mbi 133 milionë veta janë vaksinuar, ose 9.2 % e popullsisë së përgjithshme, shumë më pak se Izraeli, SHBA-ja e Britania.
“Shpejtësia e vaksinimit duhet të rritet më tej. Përndryshe, kur vendet e tjera të krijojnë imunitetin e tufës dhe të rifillojnë udhëtimet ndërkufitare, vendi ynë do të jetë në një gjendje disavantazhi,” vëren Zhang Wenhong.
Ai shpjegon që Izraeli ka arritur imunitetin e tufës dhe Britania e ShBA-ja po bëjnë vaksinim me ritme shumë të shpejta. Nëse këto vende krijojnë një mur imunitar në fund të këtij viti, ato do të rihapin kufijtë dhe do të rifillojnë funksionimin e ekonomive të tyre. Në atë kohë, nëse Kina nuk ka krijuar "murin" e vet, kjo do të ndikojë në hapjen e kufirit, çka mund të prekë ekonominë kineze e të vendeve të tjera, sepse Kina është ekonomia e 2-të më e madhe në botë. (Jiang Lei)