灾难---[zāi nàn]---Fatkeqësi
Në "Raportin e shkeljes së të drejtave të njeriut 2020" të publikuar të mërkurën nga qeveria kineze, paraqitet me shumë fakte e të dhëna statistikore përkeqësimi i situatës së të drejtave të njeriut në ShBA. "Dokumenti e bëri botën të njohë qartazi se superfuqia që shpesh e vë gishtin dhe ushtron sanksione sipas dëshirës mbi vendet e tjera, është shkaktarja më e madhe e fatkeqësive të të drejtave të njeriut dhe kërcënimi më i madh ndaj paqes e stabilitetit botëror", vuri në dukje Grupi Mediatik i Kinës në një koment të publikuar të enjten.
Protesta kundër diskriminimit racial,ShBA(Foto nga VCG)
Sipas komentit, në ShBA numri i të vdekurve prej COVID-19 i ka kaluar 540 mijët, ndërsa kanë ndodhur shpesh konflikte raciale dhe polarizimi politik është acaruar. "Me gjithë përshkallëzimin e krizës së qeverisjes globale nën ndikimin e pandemisë, ShBA-ja prapë, nën pretekstin e 'të drejtave të njeriut', ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera, duke krijuar fatkeqësi të reja në këtë drejtim", thuhet në koment.
Që nga fillimi i pandemisë, qeveria e kaluar amerikane shpërfilli parimet e shkencës e të arsyes dhe zbatoi izolacionizmin e unilateralizmin, duke u bërë pengesa më e madhe e luftës globale antiepidemike. Kur virusi doli jashtë kontrollit, administrata e Trump-it i përdori OBSh-në dhe Kinën si "dash kurbani". Jo vetëm kaq, por pala amerikane konkurroi në mënyrë "të pacipë" për të blerë materialet antiepidemike të porositura nga vendet e tjera dhe kërkoi të monopolizonte teknologjinë e studimit e të prodhimit të vaksinave.
Foto nga CGTN
Pasi Joe Biden-i mori postin e presidentit dhe shpalli kthimin e vendit të tij në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, komuniteti ndërkombëtar ende ka dyshim për mbajtjen si duhet të përgjegjësisë ndërkombëtare prej ShBA-së. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar shumë herë se, para vaksinimit të të gjithë amerikanëve, ShBA-ja nuk do t'i ndajë vaksinat me vendet e tjera. Ditët e fundit, nën trysninë në rritje, pala amerikane deklaroi se do t'u ofrojë Meksikës dhe Kanadasë përkatësisht 2.5 milionë dhe 1.4 milionë doza vaksinash, por duke u kërkuar këtyre dy vendeve të kthejnë brenda këtij viti sasinë përkatëse të vaksinave. "Kjo është pa dyshim jashtë pritshmërisë së bashkësisë ndërkombëtare", komentoi CMG-ja.
Sipas raportit të publikuar nga pala kineze, edhe në kushtet e pandemisë, ShBA-ja nuk i ndaloi sanksionet e njëanshme ndaj Iranit, Kubës, Venezuelës e Sirisë, duke u krijuar këtyre vendeve vështirësi të mëdha për të marrë materialet antiepidemike. Zyrtarë të lartë të OKB-së për çështjen e të drejtave të njeriut i bënë thirrje në marsin e vjetshëm ShBA-së të zbuste ose të ndalonte përkohësisht sanksionet në disa fusha të veçanta për të garantuar të drejtën e jetës së milionave njerëzve të prekur. Por, pala amerikane nuk e pranoi këtë.
Protesta kundër diskriminimit racial,ShBA(Foto nga VCG)
Me gjithë problemet e veta të rënda lidhur me të drejtat e njeriut, ShBA-ja nuk heq dorë nga zakoni i sjelljes si "mësuese e të drejtave të njeriut". Uashingtoni, së bashku me disa aleatë, përbalti politikat e Kinës në Hong-Kong e Xinjiang dhe shtrembëroi arritjet e Kinës në fushën e të drejtave të njeriut, duke vendosur sanksione ndaj Kinës.
"Por ndërhyrja e këtij 'gardiani të të drejtave të njeriut' në punët e brendshme të vendeve të tjera nga pozitat e epërsisë morale po has gjithnjë e më shumë kritika. Gjatë sesionit të 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, përfaqësuesit e 116 vendeve, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare paraqitën 347 propozime për përmirësimin e të drejtave të njeriut në ShBA. Kur situata serioze atje është bërë e qartë për opinionin publik ndërkombëtar dhe hegjemonia amerikane po krijon fatkeqësi të mëdha humanitare në botë, 'magjia' e ShBA-së po zbehet", përfundon komenti i CMG-së.
Foto nga CGTN
(Zhang Yan/Artan)