人权---[rén quán]---të drejtat e njeriut
Autor: Ondřej Geršl, analist i uebsajtit çek "ac24.cz"
Tetorin e kaluar, Kina u rizgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, gjë që tregon se, krahas uljes së ndikimeve të përkrahësve të një bote njëpolare, rendi botëror shumëpalësh po zhvillohet. Më 22 shkurt të vitit 2021, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi mori pjesë në mënyrë virtuale në mbledhjen e nivelit të lartë të sesionit të 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ku mbajti një fjalim me titull "Të këmbëngulim në vënien e njeriut në qendër për të nxitur përparimin e çështjes së të drejtave të njeriut". Mirëpo, për këto dy gjëra, rrallë shihen njoftime në mediat perëndimore.
Në fjalimin e tij, kryediplomati kinez shpalli konceptin e vënies së njerëzve në qendër, sipas të cilit, forcimi i ndjenjës të fitimit, të lumturisë dhe të sigurisë nga ana e njerëzve janë objektivat përfundimtarë të çështjes së të drejtave të njeriut dhe të qeverisjes së vendit. Ministri theksoi se zhdukja e varfërisë absolute është një gur themeltar i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Natyrisht, ai nuk la pa përmendur fusha të tjera të të drejtave të njeriut, si paqja, zhvillimi, barazia, drejtësia, demokracia dhe liria. Në fakt, edhe ata që e kritikojnë Kinën në fushën e të drejtave të njeriut, nuk mund të shpërfillin arsyeshmërinë e mbrojtjes së të drejtës së njerëzve për ekzistencë, siguri dhe lumturi.
Media perëndimore dëshiron të spekulojë për të drejtat e njeriut në Xinjiang, duke përhapur gënjeshtrën për "gjenocid" të qeverisë kineze në këtë rajon. Por si nga të dhënat statistikore zyrtare, ashtu edhe prej atyre të paraqitura në raportin e studiuesit antikinez Adrian Zenz, del që në periudhën e viteve 2010-2018, banorët ujgurë në Xinjiang u shtuan me mbi 2.54 milionë, ose 25.04 %. Zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin bëri të ditur gjithashtu se në 60 vjetët e kaluar, ekonomia e Xinjiang-ut është rritur 200 herë dhe jetëgjatësia mesatare është ngritur nga 30 në 72 vjeç.
Psikologu shoqëror amerikan Abraham Harold Maslow ka nxjerrë teorinë e rëndësishme të "piramidës së nevojave" . Sipas kësaj teorie, të drejta njeriu do të thotë plotësimi i nevojave të njeriut në nivele të ndryshme, kurse nevojat themelore janë mbështetëse të nevojave të niveleve më të larta. Njerëzit që vuajnë nga uria mund të kenë interes për nevoja të tjera vetëm pasi të zgjidhin problemin ushqimor. Me një fjalë, nevojat psikologjike dhe materiale janë baza e piramidës së nevojave. Vetëm kur nevojat e niveleve të ulëta përmbushen, njerëzve mund t'u lindin nevoja të niveleve më të larta.
Vitet e fundit në Kinë dhjetëra milionë banorë kanë dalë nga varfëria çdo vit. Kjo tregon se Kina ka koncept shumë të qartë për nevojat bazë të të drejtave të njeriut dhe se si të realizojë përparimin në këtë çështje pas përmbushjes së nevojave të niveleve të ndryshme. Në zonat e prekura nga varfëria e uria, realizimi i nevojave të niveleve më të larta të të drejtave të njeriut është një fjalë boshe.(Zhang Yan/Artan)