稳定---[wěn dìng]---Stabilizim

Kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Carrie Lam, tha të hënën se puna e qeverisë qendrore për përmirësimin e sistemit zgjedhor të Hong-Kongut është e plotë dhe e suksesshme. Ajo tha se shpallja e Ligjit të Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun vitin e kaluar hapi një faqe të re të kalimit të Hong-Kongut nga kaosi në qeverisjen e qëndrueshme.

Përveç sigurisë shoqërore, Hong-Kongu gjithashtu ka nevojë edhe për siguri politike. Përmirësimi i sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut do të garantojë siguri politike. Lidhur me këtë Carrie Lam tha se "do të jetë sukses i plotë nëse bëhet mirë."Ajo mendon se duhet të sigurohet që sistemi politik i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të jetë gjithashtu i sigurt. "Nuk mund të lëmë disa njerëz jopatriotë të hyjnë në sistemin politik të Hong-Kongut ose të bashkëpunojnë me disa forca të jashtme për të ndikuar në sistemin politik të Hong-Kongut, duke çuar në një situatë të pasigurt. Prandaj, përsosja e sistemit zgjedhor kësaj here do të garantojë sigurinë politike të Hong-Kongut," u shpreh kryeekzekutivja.

Lidhur me shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare për përmirësimin e sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Carrie Lam tha se, si një metropol ndërkombëtar, Hong-Kongu do të vazhdojë të ruajë përparimin dhe qëndrueshmërinë me mbështetjen e qeverisë qendrore mbi bazën e garantimit të sigurisë shoqërore dhe të sigurisë së sistemit politik. "Disa kompani dhe vende të huaja janë optimiste për perspektivat e Hong-Kongut. Ato e ndiejnë që Hong-Kongu ka mundësi të shumta nëpërmjet Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao për t'u integruar në situatën e përgjithshme të zhvillimit të mbarë Kinës. Përgjigjja ime ndaj tyre është se mundësitë tona po bëhen gjithnjë e më të mira," tha Lam. Ajo shtoi se, për shkak se patriotët janë duke qeverisur Hong-Kongun, me zbatimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare, si siguria shoqërore, ashtu edhe ajo e sistemit politik janë të garantuara. Mbi bazën e parimit "Një vend, dy sisteme" dhe me mbështetjen nga qeveria qendrore, Hong-Kongu do të vazhdojë të ruajë begatinë dhe qëndrueshmërinë. "Si një ekonomi e orientuar drejt eksportit, ne mirëpresim kompani dhe individë të huaj në Hong-Kong, për të marrë pjesë në zhvillimin e ardhshëm të Hong-Kongut," vuri në dukje ajo.

Lidhur me të ardhmen, Carrie Lam beson se Plani i 14-të Pesëvjeçar ka një rëndësi të madhe për Hong-Kongun, i cili sipas saj duhet të shfrytëzojë mundësinë për t'u integruar në mënyrë aktive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. "Këtë herë ka një pjesë të tërë që lidhet me Hong-Kongun në Planin e 14-të Pesëvjeçar të vendit. Kjo tregon pjesëmarrjen e thellë të Hong-Kongut dhe domethënien e madhe të zhvillimit të Hong-Kongut për vendin tonë. Veçanërisht spikat bërja e Hong-Kongut qendër edhe në tre fusha të tjera. Njëra është kthimi i Hong-Kongut në një qendër ndërkombëtare të aviacionit; së dyti, mbështetja ndaj Hong-Kongut për t'u kthyer në një qendër ndërkombëtare të inovacionit në shkencë e teknologji; dhe së treti, përkrahja për zhvillimin e Hong-Kongut në një qendër shkëmbimesh kulturore dhe artistike. Prandaj, në pesë vjetët e ardhshëm ne duhet t'i shfrytëzojmë mirë mundësitë që na janë dhënë në këtë plan kombëtar," theksoi kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.(Vera/Artan)