疫苗---[yì miáo]---vaksinë
Në një konferencë shtypi të organizuar nga Ministria turke e Shëndetësisë të mërkurën, ekspertët e mjekësisë të Universitetit "Hacettepe", që përgjigjet për provat klinike të fazës së tretë të vaksinës së kompanisë kineze "Sinovac" në Turqi, bënë të ditur se rezultati i eksperimentit të tyre tregon se efektiviteti i vaksinës së "Sinovac"-ut arrin në 83.5 %, ndërsa në parandalimin e rasteve të rënda 100 %.
Konferenca e shtypit mbi provat klinike të fazës së tretë të vaksinës së kompanisë kineze "Sinovac" në Turqi/ Visual People
Universiteti "Hacettepe" është një nga shkollat e larta të mjekësisë më të famshme në Turqi. Ai drejton dhe zbaton provat e fazës së tretë të vaksinës së "Sinovac"-ut në mbarë Turqinë. Në këtë konferencë shtypi, Serhat Unal, profesori i sëmundjeve ngjitëse i këtij universiteti, foli mbi gjendjen e përgjithshme të fazës së tretë të provave klinike.
"Ashtu siç dihet nga të gjithë, provat filluan më 14 shtator vjet. Deri më sot, në 24 qendra eksperimentimi të mbarë vendit 10 216 vullnetarë u injektuan me një dozë vaksine ose placebo. Kjo nuk është një punë e lehtë, por mendoj se zhvilluam prova të sakta dhe të organizuara mirë."
Vaksina e kompanisë kineze "Sinovac"/ Visual People
Profesori Unal tha gjithashtu se provat u zhvilluan në mënyrë rastësore dhe me metodën e ashtuquajtur të "verbërisë së dyfishtë", sipas së cilës as eksperimentuesit dhe as pjesëmarrësit nuk e dinë se cilin trajtim po marrin këta të fundit. Ndër 10 216 vullnetarët, 6 648 u injektuan me vaksinë, ndërsa 3 568 me placebo. Vullnetarët, të moshave nga 18-59 vjeç, me një moshë mesatare 45 vjeç, janë kryesisht punonjës mjekësorë ose prej grupeve me rreziqe të larta infektimi. 42.2 % prej tyre janë femra, ndërsa 57.8 % meshkuj. Në fazën e tretë të provave nuk ka pasur raste vdekjesh të vullnetarëve, ndërsa efektet anësore janë kryesisht lodhje, dhembje koke e muskujsh dhe temperaturë e lartë.
Murat Akova, një tjetër profesor i Universitetit "Hacettepe", vuri në dukje në konferencën e shtypit se, në bazë të provave të tyre, 14 ditë pas injektimit të dozës së dytë, e cila u bë me një interval prej 14 ditësh nga doza e parë, roli i vaksinës në parandalimin e infektimit të COVID-19 është i dukshëm.
"28 ditë pas injektimit të dozës së parë, d.m.th. 14 ditë midis dy injektimeve dhe 14 ditë të tjera pas dozës së dytë, zbuluam nga të dhënat e ndjekjes së vullnetarëve se efektiviteti i vaksinës për parandalimin e koronavirusit arrin në 83.5 %."
Profesori Akova theksoi gjithashtu se vaksina e "Sinovac"-ut ka efektivitet 100 % në parandalimin e simptomave të rënda të pneumonisë së koronavirusit të ri dhe në parandalimin e shtrimit të të infektuarve në spital.
Presidenti i Turqisë Taip Rexhep Erdogan u injektua me vaksinën "Sinovac"/ Visual People
Më 24 dhjetor të vitit të kaluar, ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koça shpalli se, sipas rezultatit fillestar të provave, efektiviteti i mbrojtjes i vaksinës së "Sinovac" kundër COVID-19 është 91.25 %. Më 13 janar të këtij viti, Drejtoria e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore e Ministrisë së Shëndetësisë të Turqisë miratoi përdorimin urgjent të vaksinës së "Sinovac"-ut, e cila është e vetmja vaksinë kundër COVID-19 e miratuar për përdorim në Turqi.
Politikanë turq, përfshirë presidentin Taip Rexhep Erdogan, ishin ndër të parët që e bënë këtë vaksinë. Deri më 3 mars, në mbarë Turqinë u vaksinuan mbi 9 milionë e 430 mijë veta. (Wang Lei/ Artani)