共同体---[gòng tóng tǐ]---bashkësi
Në fjalimin e tij të mbajtur më 2013 në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, presidenti i Kinës Xi Jinping përmendi për herë të parë konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit: "Në botën tonë, vendet e ndryshme janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe po varen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Njerëzit jetojnë në të njëjtin 'fshat global' dhe në të njëjtën hapësirë e kohë, duke u bërë një bashkësi me fate të përbashkëta, të ndërthurura me njëri-tjetrin". Kjo ide, e krijuar në bazë të hapjes, gjithëpërfshirjes, mospërjashtimit dhe respektit të ndërsjellë, transmeton konceptin e Kinës për bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe me zhvillim të përbashkët, thuhet në një koment të CMG-së.
Në shtator 2015, në fjalimin e tij në selinë e OKB-së në Nju-Jork, presidenti Xi Jinping vuri në dukje qartazi nevojën "për të formuar marrëdhënie ndërkombëtare të tipit të ri me bashkëpunimin dhe përfitimet e përbashkëta si thelb dhe për të krijuar bashkësinë me fate të përbashkëta të njerëzimit."
Në janar 2017, Xi mbajti një fjalim në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, me titull "Bashkërisht të formojmë bashkësinë me fate të përbashkëta të njerëzimit", duke shtjelluar pse Kina nxit formimin e kësaj bashkësie, çfarë lloj bashkësie është ajo dhe si mund të ndërtohet.
Në mars 2018, "formimi i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit" u përfshi në preambulën e Kushtetutës së Kinës.
Ndërsa synon zhvillimin e vetvetes, Kina ka zhvilluar aktivisht bashkëpunimin me vendet e rajonet e tjera, për të nxitur zhvillimin e përbashkët të botës. Kina beson se zhvillimi i vetvetes mund t'i sjellë edhe botës mundësi, ndërkohë që edhe zhvillimi i botës do t'i krijojë mundësi Kinës, komenton Grupi Mediatik i Kinës.
Gjatë afro njëqind vjetëve, asnjë vend tjetër nuk ka ndihmuar si Kina aq shumë vende të tjera në zhvillim dhe të pazhvilluara. Kina ka zhvilluar bashkëpunimin financiar me vendet afrikane në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", duke ndërtuar bashkërisht infrastrukturën dhe duke nxitur tregtinë dypalëshe. Nga pikëpamja afatgjatë, këto projekte me Afrikën do të nxitin zhvillimin e vazhdueshëm të fushave përkatëse e të zgjerojnë më tej tregun, dhe të gjitha këto do t'i krijojnë mundësi zhvillimi edhe Kinës.
Edhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe të Evropës Jugore kanë shtuar aktivisht bashkëpunimin me Kinën, sepse këto vende kanë nevojë për pajisjet, teknologjitë, standardet dhe shërbimet nga Kina gjatë ndërtimit të infrastrukturës dhe procesit të tranzicionit ekonomik. Ky bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë do t'u sjellë zhvillim dhe lulëzim të përbashkët të dy palëve.
Çdo konflikt në mbarë botën, qoftë sanksione, luftë tregtare a proteksionizëm tregtar, krijimi i një rrethi të mbyllur, apo edhe konflikti ushtarak, dëmton vetë njerëzimin. Vetëm bashkëpunimi mund të realizojë zhvillimin e vazhdueshëm të globit, kurse çdo veprim hegjemonist e monopolist bie në kundërshtim me këtë. Gjatë historisë, shumë perandori janë orvatur ta asimilojnë botën nëpërmjet fesë ose konceptit të vlerave, që të bëheshin zotër të saj. Por ideja e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit thekson partneritetin e respektin e ndërsjellë dhe nuk imponon konceptin e vlerave te vendet e tjera. Kjo është pikërisht dëshira e Kinës për të ardhmen e përbashkët të globit, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei)