民主---[mín zhǔ]---Demokraci
Nëse "interesi" ishte fjala kryesore e administratës së mëparshme amerikane, atëherë "vlerë" pa dyshim është vendosur në një pozitë të rëndësishme nga administrata e re në Shtetet e Bashkuara.
Si fjalimi i fundit për politikën e jashtme i mbajtur nga presidenti Biden në Departamentin e Shtetit, ashtu edhe veprimet intensive të ekipit diplomatik të ShBA-së pas marrjes së detyrës, përcollën një mesazh të rëndësishëm: "riparimi" i marrëdhënieve me aleatët është një përparësi në agjendën e qeverisë së tanishme amerikane. Kjo tregon një qëllim më urgjent: rindërtimin e një aleance me "demokracinë" si vlerën e vet kryesore.
Në fakt, e ashtuquajtura "aleancë demokratike" nuk është një koncept i ri. Qysh në vitin 2008, zyrtari i atëhershëm i Departamentit të Shtetit të ShBA-së David Gordon propozoi së pari idenë e krijimit të një "grupi të vendeve demokratike" me qëllim bashkërendimin e mëtejshëm të strategjive të tyre përkatëse. Pala amerikane po luan refrenin e saj të vjetër në këtë kohë dhe qëllimi nuk është i vështirë për t'u kuptuar: jo vetëm "shërimi" i partneritetit "të plagosur" transatlantik, por edhe mbledhja e aleatëve për të kontrolluar bashkërisht Kinën. Biden nuk iu shmang kësaj pike në fjalimin e tij të politikës së jashtme.
Por sa tërheqëse është një aleancë e tillë?
Vendet e BE-së shprehën menjëherë pikëpamjet e tyre. Më 5 janar, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, megjithëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë konsensus, Evropa sidoqoftë ka nevojë për një "politikë ndaj Kinës" të pavarur. Më 4 janar, presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu shprehu të njëjtin qëndrim, duke thënë se edhe pse BE-ja ndan vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, ajo nuk duhet të bashkohet me Shtetet e Bashkuara kundër Kinës. Kjo gjithashtu konfirmon pikëpamjen e revistës amerikane "Newsweek" se ideja e Shteteve të Bashkuara për të krijuar një "aleancë vlerash" nuk do të jetë shumë tërheqëse për Evropën bashkëkohore, veçanërisht ngase ajo e zmadhon rëndësinë e ideve demokratike në politikën e jashtme evropiane.
Në të vërtetë, në epokën e globalizimit, interesat e të gjitha vendeve janë të lidhura dhe epidemia e re e pneumonisë së koronavirusit e ka bërë botën thellësisht të vetëdijshme për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit. Në fakt, edhe vetë Biden theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Kinën. Pse vendet e tjera duhet të zgjedhin të qëndrojnë mënjanë dhe të përballen me Kinën për të mirën e Shteteve të Bashkuara dhe të dëmtojnë veten e tyre? Jorge Guajardo, ish-ambasadori meksikan në Kinë, e tha hapur: "Pse u dashka të gjitha vendet të heqin dorë nga mundësitë që ofron ekonomia e vetme e madhe në botë që ka rritje? Për të bërë aleancë me Shtetet e Bashkuara? Faktet kanë vërtetuar se Shtetet e Bashkuara janë partnere të pabesueshme."
Edhe opinioni publik amerikan po ankohet që Shtetet e Bashkuara sot e kanë humbur pushtetin e tyre në botën perëndimore. "Washington Post" kohët e fundit bëri një pyetje: "Pse aleatët duhet të besojnë në një qeveri amerikane që nuk mund ta trajtojë epideminë dhe kur Kongresi sapo ka përjetuar trazira?"
Kultura, historia dhe sistemet shoqërore në botën tonë nuk janë krejtësisht të njëjta dhe larmia është një fakt objektiv. Angazhimi në një "rreth të vogël vlerash" vetëm do ta shtyjë njerëzimin drejt konfrontimit dhe urrejtjes. Siç është shprehur ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger, nuk është gjë e mençur të krijosh një aleancë duke synuar një vend të caktuar. Braktisja e paragjykimeve ideologjike, menaxhimi i dallimeve dhe përqendrimi në bashkëpunim është ajo që duan popujt dhe prirja e përgjithshme e kohës.(Vera/Artan)