政治---[zhèng zhì]---Politikë
Një sondazh i publikuar ditët e fundit nga Instituti i Studimeve mbi Kinën "Mercator" me qendër në Berlin tregon se shumica e pjesëmarrësve ekspertë e qytetarë janë të mendimit se në vitin 2021, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Kinë-BE do të vijojnë të qëndrueshme ose do të shkojnë drejt përmirësimit, por lidhjet politike mund të përkeqësohen. Por, a mund të bëhet realitet ky parashikim?
Tani marrëdhëniet ekonomiko-tregtare kino-europiane po zhvillohen mbarë. Vitin e kaluar, Bashkimi Europian u bë partneri i dytë më i madhe tregtar i Kinës dhe vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe u rrit 5.3 %. Në fund të dhjetorit, liderët e Kinës dhe BE-së deklaruan përfundimin e negociatave për marrëveshjen e investimeve.
"Në botën e tanishme, çështjet ekonomike kanë një rëndësi të madhe në hartimin e politikave të vendeve të ndryshme, sepse rimëkëmbja ekonomike dhe përmirësimi i jetesës së banorëve janë detyrat kryesore të vendeve të ndryshme që pësuan goditjen e pandemisë. Prandaj, nëse atmosfera 'e zymtë' politike mbizotëron ndërmjet dy ekonomive të mëdha botërore si Kina dhe BE-ja, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare nuk mund të lulëzojnë, gjë që do të ndikojë jo vetëm në dy tregjet e mëdha botërore, por edhe ekonominë globale që ka etje për t'u rigjallëruar", thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Disa pjesëmarrës në sondazh shqetësohen për perspektivën e marrëdhënieve politike Kinë-BE, për arsye të dallimeve të sistemeve politike dhe ndryshimit të udhëheqjes në ShBA. "Kina dhe vendet europiane kanë sisteme të ndryshme politike, por kjo është zgjedhje e popujve të tyre. Disa ekspertë dhe politikanë perëndimorë ripërmendën kohët e fundit shprehjen 'konkurrim i sistemeve', duke deklaruar se ky konkurrim ka të bëjë me legjimitetin e sistemeve politike. Në fakt, legjimiteti i qeverisjes autorizohet nga populli, i cili zgjedh një sistem sipas kushteve të veta ekonomike, kulturore, historike dhe shoqërore. Kina dhe Europa kanë diferenca të mëdha në sfondin kulturor dhe traditat historike, prandaj gjykimi i njëanshëm për legjimitetin e një sistemi është shkelje e së drejtës së popujve të vendeve të tjera për të zgjedhur", vihet në dukje në komentin e CMG-së.
Autoritetet e reja amerikane kanë shumë mundësi t'i rikthehen multilateralizmit, që është është një veprim në përputhje me prirjen e kohës dhe përkrahet nga Kina dhe Europa, thuhet më tej në koment. Sondazhi i "Mercator"-it zbulon se mbi 80 % e pjesëmarrësve janë të mendimit se ShBA-ja dhe Europa do të afrohen më shumë. "Por multilateralizëm nuk do të thotë formim grupesh ose multilateralizëm 'përzgjedhës', por mbrojtje e paqes dhe e stabilitetit botëror, si edhe nxitje e lulëzimit dhe e zhvillimit global si anëtarë të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit të hapur dhe gjithëpërfshirës. Pekini nuk synon përballje me Uashingtonin dhe nuk e detyron Brukselin të zgjedhë midis Kinës dhe ShBA-së", theksohet në koment.
Në fjalimin e mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu hapur shpresën që të shmanget formimi i grupeve kundërvënëse. Në të njëjtën ditë kur Merkeli e bëri këtë deklaratë, ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier u shpreh në një intervistë për rrjetin amerikan CNBC se arritja e marrëveshjes së investimeve me palën kineze para betimit të autoriteteve të reja amerikane nuk është një gabim taktik.
"Kina dhe Europa janë dy fuqi, tregje dhe qytetërime kryesore botërore, të cilat mbajnë misionet e mbrojtjes së paqes botërore, nxitjes së zhvillimit të përbashkët dhe përparimit të njerëzimit. Politikanët largpamës nuk kontrollohen nga loja ku fituesi i merr të gjitha dhe as nga mbajtja e ndonjë ane. Ata kanë mençuri të mjaftueshme për të realizuar leverdi të ndërsjellë gjatë zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën, duke i sjellë botës paqe dhe lulëzim", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Artan)