医疗---[yī liáo]---Mjekësi
Ndryshe nga ekonomitë e zhvilluara si Evropa dhe Japonia, të cilat në përgjithësi krijojnë sisteme sigurimesh mjekësore që mbulojnë të gjithë popullsinë, Shtetet e Bashkuara zbatojnë një sistem të përzier të sigurimeve mjekësore komerciale dhe sigurimeve mjekësore shtetërore. Lloji i parë i sigurimeve mbulon rreth 53 % të popullsisë, kurse i dyti rreth 38%, kështu që rreth 9 % e amerikanëve janë të pasiguruar. Mund të shihet se shpërndarja e burimeve mjekësore në Shtetet e Bashkuara dominohet nga tregu, i plotësuar nga qeveria. Grupe të tilla si mjekët, kompanitë e sigurimeve, kompanitë farmaceutike dhe institucionet e menaxhimit të sigurimeve mjekësore konkurrojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, dhe amerikanët e zakonshëm e madje pasuria kombëtare janë bërë viktima të lojës së tyre.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të ShBA-së, shpenzimet mjekësore të ShBA-së në vitin 2019 ishin afro 3.6 trilionë dollarë amerikanë, duke përbërë rreth 18 % të PBB-së dhe duke tejkaluar shumë nga vendet e tjera të zhvilluara. Sidoqoftë, jetëgjatësia mesatare e amerikanëve është më e ulët se ajo e 25 vendeve të tjera anëtare të OECD-së.
Mbulim i ulët, kosto e lartë, efektivitet i ulët - për sistemin mjekësor amerikan të kritikuar gjerësisht, profesorët e Universitetit Princeton Anne Case dhe Angus Deaton theksuan në librin "Vdekja e dëshpërimit dhe e ardhmja e kapitalizmit" se industria mjekësore amerikane nuk ekziston për të përmirësuar shëndetin e njerëzve, por për të rritur pasurinë e ofruesve të shërbimeve mjekësore. Pa dyshim, komercializimi i tepruar dhe mungesa e mbikëqyrjes së qeverisë e kanë bërë sistemin mjekësor amerikan një fushë beteje për kapitalin që kërkon fitim.
Manifestimi më i dukshëm i kësaj është se, për shkak të monopolit të tregut të barnave nga disa kompani të mëdha farmaceutike, Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga vendet me çmimet më të larta të barnave në botë. Ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Ezekiel Emanuel theksoi se "Shtetet e Bashkuara zënë më pak se 5% të popullsisë së botës, por paguajnë 50 % të vlerës së ilaçeve të shitura në botë". Sipas të dhënave nga Fondacioni të Familjes "Kaiser", një organizatë jofitimprurëse për shëndetin publik në Shtetet e Bashkuara, të paktën 19 milion amerikanë të rritur shkojnë në Kanada ose Meksikë për të blerë ilaçe për shkak të çmimeve të larta të ilaçeve në vend.
Çmimi i shërbimeve mjekësore është edhe më i ekzagjeruar. Sipas Raportit Ndërkombëtar të Krahasimit të Çmimeve Mjekësore 2017, duke marrë si shembull operacionin për heqjen e apendicitit, kostoja në Britani është 3 050 dollarë amerikanë, ndërsa çmimi mesatar në ShBA është 13 000 dollarë amerikanë. Pas shpërthimit të koronavirusit, sipas analizës së Fondacionit të Familjes "Kaiser", edhe nëse kanë sigurime mjekësore, të prekurit nga COVID-19 pa ndërlikime do të duhet të paguajnë mesatarisht rreth 9 800 dollarë amerikanë për trajtim. Bashkë me problemet e tjera shendetësore, shpenzimet i kalojnë 20 mijë dollarët. Sondazhet tregojnë se 1 në 11 veta në Shtetet e Bashkuara nuk pranon të kërkojë trajtim mjekësor për koronavirusin për shkak të shpenzimeve të larta mjekësore.
"Sistemi i sigurimeve mjekësore është bërë një 'krimb' që ndikon në aftësinë konkurruese të Shteteve të Bashkuara". Kjo fjali e "Zotit të aksioneve" Warren Buffett përfaqëson pikëpamjet e një numri të konsiderueshëm të njerëzve në Shtetet e Bashkuara.
Nga njëra anë, polarizimi politik i ka përkeqësuar ndryshimet midis dy palëve për sa i përket legjislacionit të reformës mjekësore në ShBA. Për shembull, në lidhje me "Aktin e kujdesit të përballueshëm shëndetësor" të paraqitur gjatë periudhës së Obamës, administrata e tanishme amerikane bëri ndryshime pasi mori detyrën, duke e kthyer "sigurimin e detyrueshëm" në "sigurim vullnetar". Nga ana tjetër, kur amerikanët e zakonshëm vuajnë nga shpenzime të larta mjekësore, grupet e interesit shpenzojnë shumë para larg nga sytë e publikut.
Për sa kohë që thelbi i politikës amerikane të parave mbetet i pandryshuar, interesat e amerikanëve të zakonshëm, dhe madje të gjithë vendit, do të "hahen" në mënyrë të pashmangshme nga "krimbat" e sistemit mjekësor. A nuk është kjo një "tragjedi amerikane" e drejtuar nga kapitali për përfitim?