分化---[fēn huà]---polarizim
“Në të kaluarën u shpërndaja ushqime të tjerëve, kurse tani është radha ime që të vij këtu për të marrë ushqime,” tha me dëshpërim amerikania Fareeha Haq, që ka punuar në një “bankë ushqimesh”. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, ajo dhe i shoqi humbën punën dhe u detyruan të marrin ushqime falas në “bankën e ushqimeve” për të kaluar gjendjen e vështirë.
Peripecia e Haqit është një përmbledhje e polarizimit gjithnjë e më serioz midis të varfërve dhe të pasurve në ShBA, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Sipas të dhënave të fundit nga Departamenti amerikan i Punës, gjatë javës deri më 9 janar, numri i amerikanëve që paraqitën për herë të parë kërkesë për ndihmë papunësie arriti në 965 mijë, duke shënuar rekord që prej gushtit të vjetshëm. Kjo shifër ka qenë midis 700 mijë e 900 mijë gjatë disa javëve të kaluara, një nivel shumë më i lartë se 200 mijë në javët para shpërthimit të epidemisë.
Le të shohim të dhënat e tjera. Sipas mediave amerikane, deri në mes të tetorit të vjetshëm, pasuritë e miliarderëve në ShBA u shtuan në 3.88 trilionë dollarë amerikanë, ose 931 miliardë dollarë amerikanë më shumë se marsin e vjetshëm. Nga të dhënat e Fed-it del se në tremujorin e dytë të vjetshëm vlera neto e pasurive të familjeve amerikane u shtua afro 7%, por këto të ardhura ishin kryesisht në familjet më të pasura.
Gjatë epidemisë, polarizimi midis të varfërve dhe të pasurve është bërë gjithnjë e më i dukshëm. Falë situatës së mirë të tregut aksionar si rrjedhim i politikës së lehtësimit sasior, pasuria e njerëzve të kamur është shtuar vazhdimisht. Në kohën kur të pasurit gëzojnë përparësi edhe në testimin dhe vaksinimin ndaj COVID-19, gjithnjë e më shumë të varfër nuk janë në gjendje për të siguruar ushqim dhe mjekim. Këto dallime të mprehta po përshpejtojnë ndarjen e shoqërisë amerikane.
Sipas rezultatit të hetimeve të Institutit Kërkimor “Pew” të publikuar në korrik të vitit 2018, qysh nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, polarizimi midis të varfërve dhe të pasurve ka pasur prirje zgjerimi në ShBA. Të dhënat e Fed-it tregojnë se në vitin 2020, 1% dhe 10% e më të pasurve në këtë vend zotëronin përkatësisht 30.5% dhe 69% të pasurisë së të gjitha familjeve amerikane, ndërkohë, 50% e më të varfërve kishin vetëm 1.9% të vlerës së përgjithshme të pasurive familjare. Afro 40 milionë të varfër, të paktën 500 mijë të pastrehë çdo natë, miliona njerëz në gjendje urie...ShBA-ja e tanishme duket e ftohtë dhe e hidhur për të varfrit.
Politikanët amerikanë flasin shpeshherë për “barazinë” dhe “drejtësinë” për të promovuar epërsinë e sistemit amerikan. Por hendeku gjithnjë e më i thellë midis të pasurve e të varfërve u kujton atyre që kontradiktat e thella të sistemit kapitalist janë të pambulueshme.
Mund të thuhet se politika e parave e ka shndërruar qeverinë amerikane në përfaqësuesen e të pasurve, thekson në komentin e saj CMG-ja. Philip Alston, raportuesi i posaçëm i OKB-së për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, tha se në ShBA “ekzistenca e vazhdueshme e varfërisë ekstreme është alternativa politike e atyre që janë në pushtet.”
Më shqetësuesja është se, edhe në të ardhmen, zvogëlimi i dallimit midis të pasurve dhe të varfërve në ShBA mbetet një ëndërr joreale. Ashtu siç tha studiuesi francez Thomas Piketty në librin e tij “Kapitali në shekullin e 21-të”, për shkak se përqindja e fitimeve nga kapitalet është shumë më e lartë se shpejtësia e rritjes së forcës prodhuese, polarizimi në shoqëritë kapitaliste me siguri do të acarohet më tej. (Wang Lei)