外贸---[wài mào]---tregti e jashtme
Vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit ka shënuar rekord të ri, eksporti ka arritur nivel rekord, pjesa e zënë në tregun ndërkombëtar është në vlerën më të lartë në histori ... Të dhënat për tregtinë e jashtme të Kinës në vitin 2020, të publikuara më 14 janar nga Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës, paraqesin një pamje shumë pozitive. Në kushtet kur epidemia e COVID-19 ka goditur tërë botën dhe tregtia ndërkufitare është tkurrur shumë, kjo ngritje është arritur me vështirësi dhe ka nxitur fuqimisht mëkëmbjen e zinxhirit global industrial dhe të furnizimit, thekson Grupi Mediatik i Kinës në një koment.
Në vitin 2020, me kontrollin efektiv të epidemisë dhe rifillimin e punës dhe prodhimit, tregtia e jashtme e Kinës pati mëkëmbje të shpejtë dhe import-eksporti shënoi rritje të qëndrueshme. Në mbarë vitin, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të Kinës arriti në 32.16 trilionë juanë, 1.9 % më shumë se në vitin 2019. Kina është bërë e vetme ekonomi kryesore që shënon rritje pozitive në tregtinë e mallrave.
Zhong Sheming është përgjegjësi i një fabrike për prodhimin e orendive shtëpiake në Guangdong. Ai bëri të ditur që “në vitin 2020, porositë u rritën me mbi 30%” dhe për vitin 2021, porositë për eksport janë bërë deri në qershor".
Porositë e shumta tregojnë shtimin gjithnjë e më të madh të kërkesës së tregut global për prodhimet kineze, posaçërisht për materialet antiepidemike dhe për produkte të “ekonomisë shtëpiake”.
Sipa të dhënave zyrtare të Kinës, vitin e kaluar produktet tekstile, pajisjet mjekësore dhe barnat kanë shënuar rritje 31 %. Nga marsi deri në fund të vitit 2020, Kina ka eksportuar 224.2 miliardë maska, afro 40 maska për çdo person jashtë vendit. Krahas kësaj, vjet Kina ka pasur rritje me 22.1 % në eksportin e laptopave, kompjuterave tabletë dhe pajisjeve elektro-shtëpiake. Eksporti i këtyre mallrave ka plotësuar jo vetëm nevojat e botës për materiale antiepidemike, por edhe kërkesat e njerëzve në mbarë botën për punë dhe konsum brenda shtëpisë. Ky është një kontribut i rëndësishëm i Kinës për luftën antiepidemike në botë.
Përveç eksportit, tregu gjigant i Kinës ka ofruar hapësirë për tërë botën. Më 2020, niveli i importit nga Kina të naftës bruto e xeherorëve të metaleve shënoi rritje përkatësisht me 7.3% e 7% dhe importi i ushqimeve dhe mishit u shtua 28% dhe 60.4 %. "Reuters" njoftoi që në dhjetorin e vitit të kaluar, mëkëmbja e fuqishme e ekonomisë kineze ka stimuluar kërkesat e Kinës për mallra të huaja dhe në krahasim me nëntorin, rritja e importeve ishte më e madhe sesa parashikohej.
Në vitin 2020, tregtia e jashtme e Kinës ka pasur rritje të qëndrueshme dhe përmirësim cilësie, e cila është e pandashme nga thelbi i ekonomisë kineze. Ajo gjithashtu ka përfituar nga politikat e përpikta nga vendimmarrësit kinezë dhe përpjekjet e të gjithë popullit kinez. Kjo jo vetëm tregon aftësinë e fortë për përballimin e rrezikut dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze, por gjithashtu konsolidon pozicionin e rëndësishëm të Kinës në zinxhirin global industrial dhe të vlerës. Sipas të dhënave nga OBT-ja dhe vendet e tjera, në dhjetë muajt e parë të vjetshëm, në tregun ndërkombëtar Kina ka zënë përkatësisht 12.8 %, 14.2 % dhe 11.5 % në import-eksport, eksport dhe import, duke vendosur rekord të ri.
Vlen të përmendet se për tërë vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës me tre partnerët kryesorë tregtarë (ASEAN, BE dhe ShBA), pati rritje përkatësisht me 7 %, 5.3 % dhe 8.8 %. Importet dhe eksportet e Kinës në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" ishin 9.37 trilionë juanë, një rritje prej 1 % krahasuar me vitin 2019. Mund të shohim që me konsolidimin e mëtejshëm të statusit të saj si vendi më i madh në tregtinë botërore të mallrave, Kina po ndan më shumë përfitime nga zhvillimi me partnerët e saj tregtarë.
Sipas parashikimeve të shumë organizatave ndërkombëtare, rritja e tregtisë së jashtme të Kinës pritet të vazhdojë në vitin e ri. Por gjithashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë pasiguri në ndryshimet e gjendjes epidemike dhe mjedisin ndërkombëtar, thotë CMG-ja në komentin e saj.
Zhong Sheming në fakt po përballet me “shqetësime të lumtura”. Megjithëse ka marrë porosi të shumta, ai ende has probleme si zinxhiri i pamjaftueshëm logjistik dhe mungesa e lëndëve të para. Kjo ka provuar që, në kushtet e nivelit të lartë të globalizimit, vendet duhet të bashkohen kundër epidemisë dhe të nxisin hapjen e përbashkët. Kështu, zinxhiri global industrial dhe i furnizimit do të përshpejtojnë ritmin e mëkëmbjes. (Jiang Lei)