民主---[mín zhǔ]---demokraci
Protestuesit, duke mbajtur shkopinj në duar, thyen xhamat dhe u sulën në ndërtesën e Kongresit amerikan, "Kapitol Hill", ndërkohë që ligjvënësit e alarmuar u tërhoqën në mënyrë urgjente, kurse rojat ishin të zënë me mbrojtjen e dyerve me armë ... Kjo nuk është skenë nga ndonjë film "Hollivudi", por një ngjarje e vërtetë e ndodhur më 6 janar në Uashington, kryeqytetin e ShBA-së. Pati prej atyre që e quajtën këtë pamje të dhunshme si "rrëzimi i Kongresit".
Sipas procedurës së zgjedhjeve të përgjithshme të ShBA-së, 6 janari ishte data e konfirmimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve në një seancë të përbashkët. Po këtë ditë, në Uashington shpërthyen protesta masive. Përkrahësit e presidentit amerikan u vërsulën në ndërtesën e Kongresit, që simbolizon pushtetin më të lartë ligjvënës në ShBA, dhe u orvatën ta ndryshonin rezultatet e zgjedhjeve. Deri tani nga kjo ngjarje ka katër të vdekur dhe shumë të plagosur.
Një dhunë e tillë e hapur në ShBA, një vend që e quan veten "Fanari i lirisë dhe i demokracisë", ka habitur tërë botën. Dihet nga të gjithë se politikanët amerikanë, që kanë kurdisur "revolucionet e ngjyrës" në mbarë globin, janë shumë të aftë në organizimin e komploteve të tilla në vende të tjera, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Të marrim si shembull një ngjarje të tillë më të fundit. Gjatë trazirave rreth rishikimit të Rregullores së Riatdhesimit në Hong-Kong të Kinës qysh nga qershori i vitit 2019, protestuesit dëmtuan instalimet publike dhe u vërsulën në ndërtesën e Këshillit Legjislativ të Hong-Kongut. Sa të ngjashme ishin pamjet e asaj kohe në Hong-Kong me skenat e sotme në "Kapitol Hill" të ShBA-së! Po në atë kohë, politikanët amerikanë i quajtën ngjarjet në Hong-Kong si "një panoramë e bukur" dhe pretenduan se krijuesit e trazirave në Hong-Kong "mbronin demokracinë". Por kur pamje të ngjashme u shfaqën në vendin e tyre, pse politikanët amerikanë i dënuan ato si "dhunë", e madje "grusht shteti", dhe kërkuan "të dënohen autorët sipas ligjit"?
Por kjo nuk ka ndodhur vetëm me Hong-Kongun. Vitet e fundit, në emër të "demokracisë", ShBA-ja kurdisi të ashtuquajturën "Pranverë arabe" në Azinë Perëndimore e Afrikën Veriore dhe nxiti "revolucionet e ngjyrës" në Euroazi. Nëse policia vendëse mbronte rendin publik sipas ligjit, ShBA-ja e stigmatizonte këtë si "kërcënim ndaj demokracisë". Sot, kur "panorama e bukur" është dukur në ShBA, policia jo vetëm shpërndan turmat e demonstruesve, por edhe ka arrestuar të paktën 13 prej tyre.
Bota shikon edhe një herë pamjen e vërtetë të standardit të dyfishtë të "demokracisë amerikane". Sa ironike! E ashtuquajturja "demokraci" shërben vetëm si një mjet, që përdoret nga politikanët amerikanë vetëm kur përputhet me interesat e tyre dhe jo kur bie në kundërshtim me to. Ndërsa ata politikanë amerikanë që mburren me demokracinë, në fakt janë shkelësit e saj, komentoi CMG-ja.
Presidenti i tanishëm amerikan nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje, gjë që është shumë e rrallë në historinë e ShBA-së. Po më 6 janar, ai u tha protestuesve të mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë se "nuk do të pranojë kurrë humbjen në zgjedhjet" dhe "do të pengojmë vjedhjen e rezultatit të zgjedhjeve". Pikërisht për këtë arsye, ai u quajt nga mediat si regjisori i përgjithshëm i ngjarjes së sulmit kundër "Kapitol Hill"-it. Ai që gjendet në pushtet prish "rregullat e lojës", nxit masat popullore të protestojnë dhe nuk respekton rezultatin e "zgjedhjeve demokratike"... A kanë fytyrë politikanët amerikanë të flasin për "demokraci"? Nuk është e çuditshme që shumë liderë të vendeve perëndimore u bënë thirrje politikanëve amerikanë të mos shkelin më "demokracinë" dhe të "pranojnë rezultatet e zgjedhjeve".
Në komentin e CMG-së thuhet se dhuna në ndërtesën e Kongresit amerikan tregon jo vetëm falimentimin e "demokracisë amerikane", por edhe të metat e sistemit amerikan me konflikte midis dy partive.
Shihet nga të gjithë se gjatë mandatit të kësaj administrate, konfliktet e ashpra midis dy partive nuk janë ndërprerë në asnjë mënyrë. Veçanërisht pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, mospajtimi dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit kanë shkaktuar mungesën e solidaritetit dhe gjendjen e daljes së epidemisë jashtë kontrollit. Në një koment të revistës "Time" thuhet se kriza e COVID-19 në ShBA është një "dështim i demokracisë". (Wang Lei)