贫穷---[ pín qióng]---Varfëri
Më 14 dhe 15 Dhjetor, u zhvillua në Pekin Forumi Ndërkombëtar mbi Përvojën e Reduktimit të Varfërisë.
Në këtë forum mori pjesë Marsela Musabelliu, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit
Në fjalën e saj, Dr. Musabelliu shprehu se: pandemia COVID-19 ka testuar ekonominё botërore dhe ka krijuar tensione të mëdha shoqërore dhe ekonomike kudo, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Në këto momente të vështira shqetësimi dhe ndjeshmëria kryesore shkon tek pjesa më vulnerabël e shoqërisë, shtresat në nevojë.
Për të mbështetur më të varfrit dhe më të ekspozuarit ndaj këtyre situatave ekonomike, nevojiten reagime të menjëhershme socio-ekonomike. Në të gjithë botën situata ka nevojë për një shkallë të jashtëzakonshme të mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit të përbashkët.
Varfëria është një problem i shumëanshёm që kërkon një qasje ndër-sektoriale, në këtë kontekst, rritja fenomenale e Kinës gjatë 40 viteve të fundit, së bashku me programin e madh të çrrënjosjes së varfërisë, ka provokuar një interes të madh për atë çka mëshiron dhe mësimeve që mund të ofrojë për kombet e tjera në zhvillim.
Për ne të tjerët, projektet më të rëndësishme të kësaj përvoje kineze të çrrënjosjes së varfërisë janë fushat ku Kina po shkëlqen: ndërlidhja, infrastruktura, inovacioni, qëndrueshmëria, zbutja e synuar e varfërisë dhe natyrisht një qeveri që respekton angazhimet e saj.
Koncepti i zhvillimit gjithëpërfshirës, ose zhvillimi i përbashkët i shfaqur në parullën kineze "askush nuk do të mbetet pas" jehon jashtëzakonisht nё vendet anë e mbanë botës që po përpiqen të arrijnë standarde më të mira jetese dhe më shumë prosperitet në shoqëritë e tyre.
Ky zhvillim me cilësi të lartë, i cili është më i ekuilibruar, më i përhapur dhe një gur themeli i rëndësishëm për mobilitetin social, është ajo për të cilën shumë njerëz në të gjithë botën aspirojnë.
Tani më shumë se kurrë, bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë së bashku për të rimarrë veten dhe ndjekur progresin.
Në këtë kontekst, Kina jo vetëm ka luftuar dhe çrrënjosur varfёrinë brenda kufijve të saj, por po dublikon këtë model zhvillimi përgjatë vendeve të nismës “Një Brez, Një Rrugë.”
Projektet përgjatë “Një Brez, Një Rrugë” mund të heqin potencialisht 7.6 milion nga varfëria në vendet përgjatë kësaj nisme. Ky është një lajm i shkëlqyer, që ofron njё shpresë të madhe pёr vendet e bashkangjitura në Nismë.
Angazhimi i Kinës për të vazhduar dhe thelluar globalizimin, në thelb po kontribuon në të mirën më të madhe duke lejuar vendet e tjera të fitojnë dividentët e BRI.
Ne besojmë se projekte të tilla duhet të mirëpriten, promovohen dhe natyrisht të përsëriten aty ku nevojiten më shumë.
Në Forumin e dytë të BRI të mbajtur në Pekin në vitin 2019, Presidenti Xi Jinping, në fjalën e tij me titull Duke Punuar së Bashku pёr një të Ardhme më të Ndritur deklaroi se "Ne duhet të udhëhiqemi nga parimi i konsultimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta. ”
Besimi ynë ёshtё se këto parime mund të shtrihen edhe në luftën globale kundër varfërisë.
Akademikët dhe gazetarët nuk janë politikëbërës, megjithatë, me punën e tyre mund të ndikojnë në një farë mase në opinionin publik, rrjedhimisht edhe në politikëbërësit.
Le të bashkëpunojmë së bashku, të thellojmë njohuritë dhe të shkëmbejmë ide, të promovojmë programe për uljen e varfërisë, të zgjerojmë dhe thellojme solidaritetin, sepse nëse 2020 na mësoi diçka është se askush nuk mund t’ia dalё më vete.
Mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë këtyre viteve të kaluara, ka filluar të nxjerrë në pah mangësitë e izolacionizmit dhe proteksionizmit.
Për të kapërcyer këto kohë të vështira, fjala kryesore është bashkëpunimi, dhe korniza kryesore është multilateralizmi.
Në këtë bashkësi të së ardhmes së përbashkët për të gjithë njerëzimin, zbutja e varfërisë mund të sigurojë që të gjithë mund të përmbushin potencialin e tyre njerёzor në dinjitet.