力量---[lì liàng]---Forcë
Këtë vit, epidemia e COVID-19 ka përfshirë botën, duke ndikuar në shumë prej projekteve jashtë vendit të menaxhuara nga ndërmarrjet shtetërore kineze. Sidoqoftë, këto ndërmarrje kanë kapërcyer të gjitha vështirësitë dhe kanë këmbëngulur në vazhdimin e punës nën masat e rrepta të parandalimit të epidemisë, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm e të qëndrueshëm të projekteve dhe duke dhënë kontribut në rivendosjen e rendit të zinxhirit global të furnizimit.
Hidrocentrali i Shkëmbit të Kondorit dhe Barrankosës në provincën Santa-Kruz të Argjentinës është hidrocentrali më jugor në botë. Ndërtimi i këtij hidrocentrali është marrë përsipër nga Grupi Energjetik "Gezhouba" i Kinës dhe është projekti më i madh i bashkëpunimit midis Kinës dhe Argjentinës, si edhe projekti më i madh energjetik në Argjentinë deri më tani. Gjatë epidemisë, departamenti i projektit i kompanisë iu përgjigj në mënyrë aktive rregulloreve të qeverisë vendore për parandalimin e epidemisë, përdori plotësisht burimet e kufizuara, rregulloi prodhimin në mënyrë racionale dhe ruajti progresin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të projektit. Mariano Muso, drejtuesi i projektit, u shpreh:
"Në fillim të marsit të këtij viti, në Argjentinë u konfirmua rasti i parë i prekjes nga COVID-19. Konsorciumi i Digës së Patagonisë shpalli rregullore kundër virusit dhe miratoi masa parandaluese e mbrojtëse për sigurinë e punonjësve në digë. Qeveria kombëtare, pushteti vendor, sindikata dhe konsorciumi arritën një marrëveshje që, për shkak të ndërprerjes së qarkullimit, mënyra më e mirë për të mbrojtur personelin ishte mbajtja e tij në digë, vazhdimi i promovimit të ndërtimit të digës dhe pezullimi i ndërrimit të personelit."
Në të njëjtën kohë, kompania ndihmoi në mënyrë aktive banorët vendorë për të luftuar epideminë, duke dhuruar një numër të madh materialesh antiepidemike, të tilla si maska, veshje mbrojtëse, syze, dhe koordinoi nëpërmjet ambasadës kineze në Argjentinë lidhjen video të Drejtorisë Shëndetësore Provinciale të Santa-Kruzit dhe të spitaleve vendore me grupin e ekspertëve kinezë lidhur me mjekimin e pneunomisë.
Projekti i Nxjerrjes së Uraniumit "Hushan" në Namibi është projekti më i madh me investime kineze në Afrikë, si edhe një projekt kyç bashkëpunimi në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë". Në një kohë kur situata e re e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë së pneumonisë së Namibisë është e qëndrueshme dhe vendi është i angazhuar për të rifilluar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, Projekti i Nxjerrjes së Uraniumit "Hushan", me shitje vjetore që llogariten se përbëjnë 5 % të PBB-së kombëtare të Namibisë, mori drejtimin në rinisjen e punës dhe prodhimit, gjë që ka luajtur një rol kryesor në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike të Namibisë.
Ka gati 3 000 punonjës kinezë dhe të huaj në Projektin e Nxjerrjes së Uraniumit "Hushan". Korporata e Energjisë Bërthamore të Guangdong-ut të Kinës, që përgjigjet për projektin, pasi mësoi nga përvoja e brendshme e parandalimit të epidemisë, krijoi një sërë sistemesh të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë.
Korporata e Energjisë Bërthamore e Guangdong-ut gjithashtu ndihmoi në mënyrë aktive në luftën kundër epidemisë, duke dhuruar në shumë raste materiale parandaluese të epidemisë në spitale, shkolla, stacione policie dhe institucione të tjera vendore, për të ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve për të parandaluar dhe kontrolluar epideminë. Cai Yusheng, Drejtor i Përgjithshëm i Korporatës së Energjisë Bërthamore të Guangdong-ut të Kinës, u shpreh se, si një ndërmarrje qendrore, kjo kompani ka ngritur një fondacion të veçantë në Namibi për të mbajtur përgjegjësinë e vet shoqërore. Përballë epidemisë, kompanitë kineze kanë përmbushur në mënyrë aktive misionin e tyre dhe kanë kapërcyer vështirësitë së bashku me shoqërinë vendore.
Ren Hongbin, zëvendësdrejtor i Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Administrimit të Pasurive Shtetërore pranë Këshillit Shtetëror të Kinës, tha se, që nga shpërthimi i pneumonisë së COVID-19, ndërmarrjet shtetërore kineze kanë shfrytëzuar plotësisht epërsitë e tyre, jo vetëm duke siguruar mbështetje të fortë për funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirit të furnizimit të Kinës, por gjithashtu duke dhënë kontribut në rivendosjen e rendit të zinxhirit global të furnizimit. Që nga mesi i nëntorit, rreth 80 % e projekteve kineze jashtë vendit kanë kapërcyer ndikimin e epidemisë dhe kanë përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Gati 600 projekte të tilla kanë përfunduar me sukses dhe porositë ndërkombëtare janë zbatuar në përputhje me cilësinë dhe sasinë kontraktuale. (Vera/Artan)