协议---[xié yì]---marrëveshje
Kryeministri britanik Boris Johnson shpalli të enjten që Britania ka arritur një marrëveshje për tregtinë e lirë me Bashkimin Europian, duke rimarrë të drejtën e kontrollit mbi ligjet dhe ujërat e saj. Ai theksoi gjithashtu që Britania do të jetë “aleate” e BE-së pas largimit nga Unioni.
Kryeministri britanik Johnson u shpreh: “Sot pasdite, jam shumë i kënaqur të them që Britania dhe BE-ja kanë arritur një marrëveshje të gjithanshme të modelit kanadez për tregtinë e lirë. Kjo është marrëveshja më e madhe tregtare që kemi arritur deri tani, me një vlerë vjetore prej 660 miliardë paundësh. Kjo marrëveshje do të mbrojë punësimin në Britani dhe mallrat britanike mund të shiten në tregun e BE-së pa tarifa dhe kuota. Sipas saj, kompanitë dhe eksportuesit britanikë mund të bëjnë më shumë biznes me miqtë tanë të BE-së.”
Ai theksoi që kjo marrëveshje është një gjë pozitive për tërë BE-në dhe do të nxitë punësimin dhe lulëzimin.
Johnson-i shtoi se marrëveshja garanton që Britania do të marrë në dorë të drejtën e kontrollit mbi ligjet e fatin e vet dhe nuk do të mbetet më nën juridiksionin e gjykatave të BE-së.
Bisedimet Britani-BE, me marrëveshjen tregtare në thelb, kanë nisur në fillim të marsit 2020, por për shkak të divergjencave të mëdha mes palëve, ato shpesh kanë mbetur pezull. Gjatë kësaj periudhe, Londra është shprehur shumë herë që, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje para fundit të këtij viti, do të ketë “Brexit pa marrëveshje”. BE-ja publikoi nga ana e saj një projekt të posaçëm rezervë, në rast të një largimi të mundshëm të Britanisë pa marrëveshje.
Peshkimi, mjedisi për konkurrencën e barabartë dhe menaxhimi i zbatimit të marrëveshjeve ishin tre pikat kryesore të bisedimeve tregtare. Megjithëse peshkimi nuk zë një pjesë të madhe në ekonomi, ai lidhet me sovranitetin kombëtar dhe është një çështje shumë sensitive. Kjo është gjithashtu çështja e fundit për të cilën të dyja palët arritën konsensus. Negociatorët e të dy palëve bënë përpjekje tërë natën dhe përcaktuan detajet e fundit, duke mundësuar arritjen e marrëveshjes.
Para mediave, Johnson-i u shpreh që, sipas kësaj marrëveshjeje, Britania do të marrë prapë të drejtën e peshkimit dhe do të bëhet një vend i pavarur bregdetar. Të dyja palët ranë dakord që periudha kalimtare për të drejtën e peshkimit do të jetë pesë vjet e gjashtë muaj.
Johnson-i theksoi që, megjithëse është larguar nga BE-ja, Britania ende do të jetë aleate e bllokut tashmë prej 27 vendesh anëtare.
“Ua them një herë miqve dhe partnerëve tanë të BE-së që kjo marrëveshje ka sjellë një nivel të ri qëndrueshmërie dhe sigurie për marrëdhëniet tona, që kanë pasur mosmarrëveshje dhe vështirësi në të kaluarën. Ne do të jemi miqtë tuaj, aleatët tuaj dhe mbështetësit tuaj dhe, mos harroni, ne do të jemi edhe tregu më i madh për ju,” theksoi kreu i qeverisë britanike.
Më 31 janar Britania u largua zyrtarisht nga BE-ja, duke u futur në fazën kalimtare 11-mujore që do të përfundojë më 31 dhjetor 2020. Marrëveshja me BE-në është mirëpritur në Britani. Zyra përgjegjëse për buxhetin e institucionit mbikëqyrës pranë qeverisë britanike u shpreh që, nëse nuk arrihej një marrëveshje e tillë, vitin e ardhshëm të ardhurat kombëtare do të pakësoheshin me 2 % dhe do të shkaktohej papunësi e madhe.
Marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet e Britanisë dhe të BE-së. Johnson-i tha se shpreson që votimi të bëhet më 30 dhjetor. (Jiang Lei)