共享---[ gòng xiǎng]---Ndarje
Kina u zotua se do të ndajë një pjesë të mostrave hënore me vende dhe organizata të tjera në bazë të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare, deklaroi të enjten zv.drejtori i Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës Wu Yanhua, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Kina do të ndajë mostra me NASA-n.
"Sipas Traktatit të Hapësirës së Jashtme, burimet hapësinore janë pasuri e përbashkët e njerëzimit. Qeveria kineze do të veprojë në përputhje me këtë marrëveshje", tha Wu në një konferencë shtypi lidhur me Programin e Eksplorimit Hënor "Chang'e-5".
Mirëpo ai vuri në dukje gjithashtu se Kongresi Amerikan ka miratuar një projektligj në vitin 2012 për ta ndaluar NASA-n prej çdo veprimtarie të përbashkët shkencore me Kinën. "Prandaj, bashkëpunimi varet nga qëndrimi i qeverisë amerikane", shtoi Wu.
Sipas tij, Programi i Eksplorimit Hënor "Chang'e-5" ka shënuar pesë rekorde në hulumtimin prej Kinës të hapësirës së thellë, që përfshijnë mbledhjen dhe paketimin e mostrave jashtëtokësore, ndezjen dhe ngritjen e sondës nga sipërfaqja e Hënës, si edhe hyrjen e përpiktë në orbitën hënore, të cilat kanë hedhur bazë për eksplorimin e ardhshëm në trupa të tjera qiellorë.
Zv.drejtori i agjencisë hapësinore bëri të ditur se Kina ka punuar me Europën, Namibinë, Argjentinën dhe Pakistanin mbi këtë mision historik dhe nxit bashkëpunimin nga shkencëtarët kinezë e të huaj në të ardhmen.
Tani misioni "Chang'e-5" është futur në fazën e studimeve shkencore, pas zbritjes me sukses të kapsulës së kthimit në veri të Kinës herët në mëngjesin e së enjtes, duke mbartur material hënor.
Mostrat do të përdoren për analizimin e gërryerjes, të veprimtarisë vullkanike, topografisë dhe evolucionit gjeologjik në Hënë, tha në konferencën e shtypit z. Li Chuanlai, studiues nga Observatorët Astronomikë Kombëtarë dhe zv.kryeinxhinieri i Programit të Eksplorimit Hënor.
Konferenca e shtypit
"Do të zhvillojmë studim afatgjatë lidhur me strukturën, karakteristikat fizike, përbërjen kimike e izotopike, karakteristikat minerare dhe evolucionin gjeologjik", shtoi Li, duke shprehur shpresën për zbulimin e më shumë të fshehtave mbi origjinën dhe evolucionin e Hënës.
Një sasi e dheut të çmuar nga sateliti i vetëm natyror i Tokës do të vendoset në Muzeun Kombëtar të Kinës për publikun.
Zv.drejtori i Programit Wu Yanhua bëri të ditur se misioni "Chang'e-5" është vetëm një pikënisje dhe në të ardhmen do të kryhen më shumë misione hënore dhe planetare në kuadër të "Chang'e"-së. Sipas Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës, gjatë misionit "Chang'e-6" do të mbartet një ngarkesë më e madhe ndërkombëtare dhe gjatë "Chang'e-7" dhe "Chang'e-8" do të kërkohen mundësitë e ndërtimit të bazës ndërkombëtare për studime hënore.
Misioni hënor Chang'e-5
Edhe misioni i parë i Kinës në Mars, "Tianwen-1", po ecën mbarë, bëri të ditur z. Wu Yanhua. Të hënën, Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës deklaroi se sonda është në gjendje të mirë dhe ka fluturuar rreth 360 milionë kilometra, duke u ndodhur mbi 100 milionë kilometra larg Tokës dhe 12 milionë kilometra larg nga Marsi.
Anija kozmike e lëshuar më 23 korrik nga raketa "Marshim i Madh-5", pritet të kryejë orbitimin, zbritjen dhe ecjen gjatë një misioni të vetëm.
Deri tani, ajo ka kryer detyra të shumta, përfshirë marrjen e një pamjeje të Tokës e Hënës dhe një "fotografi të vetvetes", tre rregullime orbitale, një manovrim në hapësirën e thellë dhe vetëkontrollin e aparateve. Siç mësohet, më shumë rregullime orbitale do të bëhen para se sonda të mbërrijë në orbitën e Marsit rreth mesit të shkurtit të vitit të ardhshëm.(Zhang Yan/Artan)