气候---[qì hòu]---Klimë

Në Samitin e Ambicies për Klimën të organizuar më 12 dhjetor, Kina deklaroi katër masa të reja për të shtuar kontributin e saj në përballimin global të ndryshimit të klimës. Ekspertët janë të mendimit se këto masa kanë qartësuar më tej rrugën e arritjes së kulmit dhe neutralizimit të shkarkimit të karbonit të Kinës, duke i kujtuar tërë shoqërinë të kushtojë më shumë vëmendje ndaj modelit të gjelbër të prodhimit dhe të jetës.

Katër masat përfshijnë: deri në fund të 2030-n, në krahasim me 2005-n, Kina do të ulë lëshimin e saj të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së me mbi 65 për qind, do të rrisë pjesën e lëndëve djegëse jofosile në konsumin e përgjithshëm të energjisë në rreth 25 për qind, do të rrisë vëllimin e rezervës pyjore me 6 miliardë metra kubë dhe do ta shtojë kapacitetin e përgjithshëm të instaluar të energjisë diellore dhe të energjisë së erës në mbi 1.2 miliard kilovatë. Këto janë premtime të tjera të rëndësishme pas shtjellimit nga lideri kinez të objektivit për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe asnjanësimin e karbonit në debatet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 22 shtator të këtij viti.

Lidhur me këto, zv.drejtori i Institutit të Shkencës dhe të Zhvillimit pranë Akademisë së Shkencave të Kinës Wang Yi u shpreh:

"Problemi i ndryshimit klimatik në thelb ka të bëjë me çështjen e zhvillimit të një vendi. Në fakt, këto masa kanë përcaktuar orientimet e zhvillimit të ardhshëm të Kinës, pra të një zhvillimi me cilësi më të lartë".

Ndërsa z. He Jiankun, zv.drejtor i Komitetit të Ekspertëve për Ndryshimin Klimatik,vuri në dukje se vënia në jetë e objektivave kërkon krijimin e konsensusit të publikut e përpjekjet e tërë shoqërisë për nxitjen e transformimit industrial dhe zhvillimin ekonomik me një cilësi më të lartë:

"Nga një anë, duhet të nxitet më tej rritja e nivelit industrial; të krijohet sistemi i zhvillimit të vazhdueshëm industrial i bazuar mbi konsumin e ulët të energjisë dhe shkarkimin e paktë të karbonit; të zhvillohen ekonomia digjitale dhe sektorët e teknologjisë së lartë e të re dhe të shërbimeve moderne; të kufizohet zhvillimi i industrisë metalurgjike, të çimentos, industrisë kimike e petrokimike, duke vënë nën kontroll konsumin e përgjithshëm të energjisë. Nga ana tjetër, duhet të zhvillohen energjitë e reja e të përtëritshme dhe të përshpejtohet ndryshimi i strukturës energjetike drejt lëshimit më të ulët të karbonit. Këto do të bëhen pika të reja të rritjes ekonomike dhe fusha që krijojnë vende pune, duke shërbyer si shtylla për garantimin e zhvillimit cilësor."

Ndërkohë, zv.ministri i Ekologjisë dhe Mjedisit Zhao Yingmin theksoi se katër masat e deklaruara nga presidenti kanë qartësuar rrugën e arritjeve të objektivave përkatëse dhe u kanë dhënë një impuls të ri përpjekjeve globale kundër ndryshimit klimatik.

"Kina është një vend i madh e i përgjegjshëm. Ne propozojmë ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe, gjatë këtij procesi, duhet të ofrojmë mençurinë dhe kontributin e Kinës për nxitjen, madje udhëheqjen e qeverisjes globale. Këto deklarata do të nxitin zbatimin efektiv të Marrëveshjes së Parisit dhe rigjallërimin e ekonomisë globale, duke lëshuar sinjale për vendosmërinë e Kinës në ndjekjen e rrugës së zhvillimit të gjelbër dhe kultivimin e qytetërimit ekologjik në botë," tha zv.ministri.(Zhang Yan/Artan)