工资---[gong zī]---Pagë

Shoqata e Futbollit e Kinës deklaroi të hënën se do të zbatohen kufizime më të rrepta për shpenzimet dhe pagat në të gjitha ligat profesionale kineze të futbollit.

Sipas rregullave, në Superligën Kineze, pagat vjetore para tatimit për çdo futbollist të huaj nuk duhet t'i kalojnë 3.65 milionë dollarët, kurse për ata kinezë nuk duhet të jenë më shumë se 765 mijë dollarë.

"Politika synon të pakësojë 'flluskat' e investimit në ligat tona dhe të nxisë zhvillimin e shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të futbollit profesionist", thuhet në dokument.

Një klub i Superligës mund të shpenzojë maksimalisht 91.74 milionë dollarë amerikanë në vit, duke përfshirë 12.1 milionë dollarë për të gjithë lojtarët e huaj. Ndërsa rroga mesatare vjetore e futbollistëve kinezë duhet të jetë nën 460 mijë dollarë amerikanë.

Siç mësohet, shpenzimet mesatare të klubeve të Superligës ishin rreth 168 milionë dollarë amerikanë në sezonin e vitit 2018, dhe shumica e klubeve dolën me humbje.

"Shpenzimet e klubeve të Superligës Kineze janë dhjetë herë më të larta se ato në Ligën Jugkoreane dhe tre herë më të larta se në Ligën Japoneze. Por ekipi ynë kombëtar është shumë më prapa. Flluska të tilla ndikojnë jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen e futbollit kinez", tha presidenti i Shoqatës së Futbollit Chen Xuyuan.

Autoritetet drejtuese të futbollit kanë marrë një sërë masash për të ndëshkuar shkeljet.

Për të garantuar efektshmërinë e zbatimit të politikës, Shoqata u ka kërkuar klubeve të nënshkruajnë kontrata të reja me të gjithë lojtarët sipas rregullave të kufizimit të pagës. Për lojtarët, vlera e kontratave të të cilëve është mbi nivelin e kufizimeve, klubet duhet të nënshkruajnë marrëveshje shtojcë për të plotësuar diferencën brenda tre vjetësh, shifër kjo që nuk do të përfshihet në shpenzimet e tyre.

Sipas rregullave të reja, një klubi që tejkalon kufizimin e shpenzimeve, do t'i ulen 6-24 pikë, ndërsa një futbollist me të ardhura më të larta se kufiri nuk mund të marrë pjesë në asnjë ndeshje të organizuar nga Shoqata.

Nëse zbulohet ndonjë shkelje, si lidhur me veprime të fshehta, ose edhe me falsifikim të kontratës, klubi do të ulet në kategori dhe lojtarët e përfshirë do të përjashtohen për dy vjet.

"Pavarësisht sa i madh është klubi dhe sa i njohur është futbollisti, ne do të zbatojmë rreptësisht këto rregulla pa marrë asgjë tjetër parasysh. Mos vini në provë vendosmërinë tonë", paralajmëroi Cheng.

Ndërsa, për kampionatin e kategorisë së dytë, Ligën e Parë Kineze, të ardhurat vjetore për çdo futbollist kinez dhe të huaj duhet të jenë përkatësisht jo më shumë se 460 mijë dhe 1.83 milion dollarë amerikanë. Klubet e kësaj kategorie nuk mund të shpenzojnë mbi 30.6 milionë dollarë amerikanë në vit. Ndërsa në kategorinë e tretë, një lojtar nuk mund të fitojë më shumë se 183.5 mijë dollarë në vit.

Në konferencën e shtypit të organizuar të hënën, Shoqata e Futbollit publikoi edhe rregullat për emrat e klubeve, duke kërkuar nga të gjitha klubet të heqin përmbajtjet që kanë të bëjnë me pronarët e tyre.

"Në të kaluarën, pronarët ndryshonin shumë shpejt, gjë që bënte që edhe emrat e klubeve të ndryshonin shpesh. Kjo nuk ndihmon në krijimin e kulturës së futbollit", tha presidenti i Shoqatës së Futbollit të Kinës.

"Klubet duhet të marrin parasysh kulturën e dashamirësve vendorë të futbollit dhe karakteristikat e qyteteve kur zgjedhin emra të rinj", shtoi ai, duke vënë në dukje se Shoqata ka krijuar një grup që përbëhet nga tifozët, mediat dhe ekspertët për të shqyrtuar emrat e rinj të klubeve.

Pothuajse të gjitha klubet e njohura të Superligës Kineze, si "Evergrande" i Guangzhou-t, "Guoan" i Pekinit dhe SIPG i Shangait duhet të ndryshojnë emrat e tyre brenda këtij viti.(Zhang Yan/Artan)