国企---[guó qǐ]---ndërmarrje shtetërore
Ndërmarrjet shtetërore janë shtylla dhe guri i themelit i ekonomisë kombëtare të Kinës. Kjo është mishëruar më së miri gjatë epidemisë së sivjetshme: ndërmarrjet shtetërore rifilluan prodhimin të parat dhe një pjesë prej tyre krijuan edhe linjat e përkohshme për të prodhuar me të gjitha kapacitetet materialet urgjente për përballimin e epidemisë. Me ndihmën e ndërmarrjeve shtetërore, shumë ndërmarrje të vogla e të mesme private kapërcyen vështirësitë, duke siguruar stabilitetin e zinxhirit industrial e të zinxhirit të furnizimit. Rimëkëmbja së pari e ekonomisë kineze dha kontribut edhe për ekonominë botërore.
Por një pjesë njerëzish në Perëndim kanë prapëseprapë paragjykime për ndërmarrjet shtetërore kineze dhe i masin ato me kutin e vet. "Ky është diskriminim ndaj sistemit ekonomik me pronësinë publike si pjesë kryesore, dhe në rastin më të mirë tregon mungesën e njohjes së mjaftueshme për Kinën," thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Kjo ka të bëjë me neoliberalizmin, ideologjinë kryesore në Perëndim që kërkon një rol të kufizuar të shtetit dhe privatizime masive. "Por privatizimi i plotë nuk siguron shtimin e efektivitetit të tregut e madje acaron çrregullimin e tregut," komenton CMG-ja, duke marrë si shembull disa vende amerikanolatine, që kanë vuajtur nga privatizimi.
Gjatë dekadave të fundit, rryma e privatizimit dhe ajo e shtetëzimit janë alternuar në Evropë, ku ekzistojnë edhe sot një numër jo i vogël ndërmarrjesh shtetërore. "Proximus"-i Belgjikës dhe "Swisscom"-i i Zvicrës janë dy operatorë telekomunikacioni me aksione të kontrolluara nga shteti, ndërsa korporata hekurudhore gjermane "Deutsche Bahn" dhe banka belge "Belfius" janë në pronësi shtetërore. Në Francë, ndërmarrjet shtetërore zënë afro 30 % të ekonomisë kombëtare, ndërsa "Airbus", "Renault" dhe AREVA janë kompani shtetërore. Sipas raportit "Përmasa dhe shpërndarja sipas sektorëve e ndërmarrjeve shtetërore", të publikuar në vitin 2017 nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, në vitin 2015 ShBA-ja kishte 16 ndërmarrje federale me 530 mijë punonjës.
Për shkak të mungesës së njohjes ose të paragjykimeve, ka prej atyre që spekulojnë se ndërmarrjet shtetërore kineze "marrin subvencione në mënyrë masive" dhe kjo ka shtrembëruar konkurrencën në treg.
Në fakt, subvencioni është mjet politik i përdorur shpeshherë nga qeveritë e ndryshme për përballimin e çrregullimeve të tregut dhe për ekuilibrimin e zhvillimit. Vendet e zhvilluara perëndimore kanë qenë zbatueset kryesore të kësaj politike. Orgnizata Botërore e Tregtisë i kategorizon subvencionet në tre lloje: së pari, subvencionet e ndaluara, si ato për eksportin dhe për zëvendësimin e importit; së dyti, subvencionet e paditshme, për të cilat anëtarët e tjerë të OBT-së mund t'i drejtohen mekanizmit të zgjidhes së mosmarrëveshjeve të OBT-së për dëmtim të interesave të veta; së treti, subvencionet jo të paditshme, që nuk shkaktojnë padrejtësi tregtare.
Kina nuk jep subvencione të ndaluara dhe subvencionet ekzistuese janë kryesisht ato jo të paditshme. Qëllimi i këtyre subvencioneve është inkurajimi i mbrojtjes së mjedisit, kursimit të energjisë, kërkimit e novacionit teknologjik dhe ristrukturimit të industrisë. P. sh., qeveria kineze dha subvencione të posaçme për përgatitjen profesionale të atyre që humbën vendet e punës gjatë procesit të uljes së mbikapacitetit të prodhimit. Këto janë subvencione jo të paditshme.
Kina i ka raportuar OBT-së në mënyrë të rregullt për gjendjen e rishikimit, rregullimit dhe zbatimit të ligjeve e rregulloreve lidhur me subvencionet dhe një raportim i tillë i afrohet nivelit të anëtarëve të zhvilluar të kësaj organizate.
Kina ka vepruar sipas rregullave të OBT-së qoftë në masën dhe mënyrën e subvencionimit, ashtu në transparencën e subvencioneve. Një sërë vendimesh të OBT-së kanë vërtetuar gjithashtu se Kina nuk shkakton shtrembërim të tregut dhe konkurrencë të pabarabartë.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OBT-së Pascal Lamy vlerësoi se Kina "ka zbatuar si duhet premtimet e saj për pranimin në OBT." (Wang Lei)