着陆---[zhuó lù]---ulje

Më 1 dhjetor, sonda hapësinore e Kinës "Chang’e-5" bëri me sukses ulje në anën e përparme të Hënës. Pas uljes me sukses, e telekomanduar nga Toka, sonda do të fillojë punën 2-ditore në satelitin e vetëm të Tokës.

"Chang’e-5" u ul me sukses në zonën e paracaktuar me gjatësi perëndimore 51.8 gradë dhe gjerësi veriore 43.1, duke dërguar fotografi nga ulja e saj. Zv.drejtori i Qendrës së Kontrollit të Fluturimeve Kozmike të Pekinit He Jun u shpreh:

“Kjo ulje ka saktësi shumë të lartë kontrollimi, çka ka hedhur një bazë mjaft të fortë për punët e ardhshme në Hënë, largimin nga Hëna, lidhjen në hapësirë dhe kthimin e sondës në Tokë.”

Zona e paracaktuar për uljen e sondës "Chang’e-5" ndodhet afër maleve Rümker, në veri të kraterit më të madh në Hënë.

Shkencëtarët kanë sugjeruar uljen në këtë zonë, sepse në krahasim me zonat e uljes dhe marrjes së mostrave nga ShBA-së dhe Bashkimi Sovietik, në këtë zonë mund të ketë shtresa më të reja bazalti.

Zv.kryekomandanti i projektit për hulumtimin hënor të Kinës dhe drejtori i Qendrës së Programit Hapësinor dhe të Eksplorimit Hënor pranë Administratës Kombëtare të Hapësirës, Liu Jizhong, shpjegon:

“Kur bëjmë këtë zgjedhje, mbajtëm parasysh zbatueshmërinë e projektit, si edhe rëndësinë për studime shkencore. Nga ana e studimeve shkencore, një zonë ku as ShBA-ja e as Rusia nuk kanë eksploruar, është një zonë e re. Edhe koha e shpërthimit të vullkaneve aty, duhet të jetë shumë e ndryshme nga ajo e atyre zonave (ku është ekploruar prej ShBA-së dhe Bashkimit Sovietik). Për këtë arsye, kjo ka vlerë të madhe në studimet shkencore.”

Për pikat kyçe dhe vështirësitë e uljes në Hënë, zv.projektuesi i përgjithshëm i sondës "Chang’e-5" Peng Jing prezanton:

“Kemi bërë një projektim të posaçëm për shmangien e pengesave, dhe në lartësinë afro 100 metra, do të fotografohen zonat poshtë mjetit zbritës të sondës. Pastaj zgjodhëm një vend të përshtatshëm për ulje. Kjo në fakt përcaktoi nëse do të bënim një ulje të qëndrueshme në Hënë. Nëse një këmbë e tij ulet në një gropë, kurse një tjetër në një gur, atëherë mjeti zbritës do të jetë në një pozicion shumë të pjerrët. Në këto rrethana, do të kishim vështirësi shumë të madhe për marrjen e mostrave, si edhe për largimin nga Hëna. Prandaj, kjo është një pjesë shumë kyçe për tërë misionin tonë.”

Siç mësohet, pas uljes me sukses, mjeti zbritës, i telekomanduar nga Toka, do të fillojë punën 2-ditore për të mbledhur mostrat nga Hëna.

Zv.drejtori i fazës së 3-të të projektit hënor pranë Qendrës së Programit Hapësinor dhe të Eksplorimit Hënor pranë Administratës Kombëtare të Hapësirës, Wang Qiong, thotë:

“Pas uljes në Hënë, do të përcaktojmë një gjendje fillestare për aparatet përkatëse dhe pastaj do t'i aktivizojmë këto aparate, të cilat do të marrin mostra hënore. Marrja e mostrave do të zgjasë për rreth 20 orë dhe në fund, para largimit, do të bëjmë përgatitje dhe do të zgjedhim një kohë të përshtatshme për largimin nga Hëna.” (Jiang Lei)