制造业---[zhì zào yè]---sektori i prodhimit
Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës bëri të ditur të hënën që Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) për sektorin e prodhimit në Kinë shënoi vlerën 52.1 në nëntor, nga 51.4 që ishte në tetor.
Kjo shifër tregon që për nëntë muaj me radhë, treguesi PMI ka qëndruar mbi 50, duke qenë një simbol për gjallërimin ekonomik. Niveli për muajin nëntor e ka kaluar parashikimin nga 22 ekonomistët e "Reuters"-it, që ishte 51.5.
Zhao Qinghe, një staticien i lartë nga Zyra Kombëtare e Statistikave, thotë që, për arsye se pandemia e COVID-19 në Kinë është parandaluar me sukses, ekonomia kineze vazhdon të njohë rritje. Ai shtoi që “19 ndër 21 sektorët e përfshirë, kanë shënuar rritje të treguesit PMI dhe perspektiva e sektorit të prodhimit është optimiste”.
“Treguesi PMI ka vazhduar të kalojë parashikimet e tregut, duke treguar një besim të fortë për mëkëmbjen ekonomike të Kinës,” thotë Wang Dan, kryeekonomist në bankën "Hang Seng".
Sipas të dhënave statistikore, oferta dhe kërkesa kanë vazhduar të kenë rritje.
“Përmirësimi dhe rritja kanë ardhur kryesisht nga prodhimi dhe porositë e reja nga nënsektorët,” thotë Lu Ting, kryeekonomist për Kinën i kompanisë "Nomura".
Sipas staticienit Zhao Qinghe, treguesi i prodhimit dhe treguesi i porosive të reja ishin 54.7 dhe 53.9 në nëntor, 0.8 dhe 1.1 pikë përqindjeje më shumë se një muaj më parë, duke arritur nivelin më të lartë të vitit.
Importet dhe eksportet kanë shënuar rritje të qëndrueshme. Treguesi i porosive të reja në eksport dhe import ishte përkatësisht 51.5 e 50.9, 0.5 dhe 0.1 pikë përqindjeje më shumë se në tetor.
“Porositë e reja nga jashtë ishin në rritje, edhe pse epidemia e koronavirusit po përhapet. Kjo është nxitur nga kërkesa gjatë festave dhe rifillimi i bizneseve dhe shkollave në ShBA e Europë,” thotë Wang.
Rritja në treguesin e porosive të reja në eksport ka treguar “një kërkesë të fuqishme të vendeve të huaja për produktet kineze”,
shprehet Lu.
Mirëpo zgjatja e pandemisë jashtë Kinës mund të ulë kërkesën për eksportet kineze, nëse fuqia blerëse në ekonomitë e huaja zvogëlohet dhe ato e përshtasin prodhimin e tyre me "fazën e re normale", shtoi Lu.
Treguesi i çmimeve është ngritur shumë. Me rritjen e fundit të përgjithshme të çmimeve të mallrave dhe përshpejtimin e aktiviteteve të prodhimit dhe prokurimit nga ndërmarrjet, çmimet e blerjes së lëndëve të para dhe shitjes së produkteve në sektorin e prodhimit në nëntor shënuan rritje të dukshme. Treguesi i çmimeve të blerjes dhe treguesi i çmimeve të ish-fabrikës të lëndëve të para kryesore ishin 62.6 dhe 56.5, 3.8 dhe 3.3 pikë përqindjeje më të larta se në muajin tetor.
Ndërmarrjet e ndryshme vazhdojnë të rimëkëmben. Treguesi PMI i ndërmarrjeve të mëdha, të mesme dhe të vogla ishte 53.0, 52.0 dhe 50.1, duke u rritur përkatësisht 0.4, 1.4 dhe 0.7 pikë përqindjeje.
"Ndërmarrjet e vogla mbeten nën stres, ndërsa papunësia e tyre është në ulje. Rritja e konsumit është shumë e dobët për të mbështetur një rimëkëmbje të gjerë në sektorin privat. Me gjallërimin e ekonomisë në muajt e ardhshëm, kërkesa për likuiditet do të rritet, veçanërisht nga ndërmarrjet e vogla ", thotë Wang Dan.
Edhe pse ndryshimet e mësipërme janë pozitive, rimëkëmbja e sektorit të prodhimit ende është e pabarabartë. PMI-ja e sektorit të tekstileve e veshjeve ka qenë nën standard dhe parashikimi për këtë sektor është ende jo i mirë, vuri në dukje Zhao.
“PMI-ja zyrtare e sektorëve joprodhues u rrit më tej në 56.4 në nëntor, nga 56.2 në tetor, kryesisht e udhëhequr nga një rritje e nënindeksit për sektorin e ndërtimit. Kjo rritje u mbështet nga stimujt e mëparshëm gjatë këtij viti, megjithëse fondet dhe projektet mund të kenë qenë të disponueshme vetëm në dy muajt e fundit,” vuri në dukje Lu.
Aktivitetet e shërbimeve kanë shënuar rritje të dukshme, veçanërisht në ndërtim, transport, financa dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit. Megjithatë, tregu i banesave mbeti i qetë, pasi tregu parashikon që politikat kufizuese do të vazhdojnë, sipas Wang.
"Ne presim që PMI-ja zyrtare e prodhimit në Kinë të mbetet e qëndrueshme në rreth 51-52 në muajt e ardhshëm, ndërsa PMI-ja zyrtare e sektorëve joprodhues mund të ulet pak nga një bazë e lartë," tha Lu Ting.
Wang, nga ana e tij, parashikon që politika monetare do të mbetet lehtësuese për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.
Ekonomia e Kinës pritet të rritet rreth 2 % për tërë vitin. Megjithëse kjo do të ishte rritja më e dobët në më shumë se 3 dekada, përsëri është shumë më e fortë se e ekonomive të tjera të mëdha që vazhdojnë të përballen me COVID-19. Ndërkohë, Kina parashikohet të jetë e vetmja ekonomi kryesore në botë që do të ketë rritje ekonomike sivjet. (Jiang Lei)