声音---[shēng yīn]---Zë
Sonda hënore e Kinës "Chang'e-5" ka hyrë me sukses në orbitën rreth Hënës, duke u përgatitur për zbritje. Një lajm që tërheq interesin e publikut është se një këngë kineze me temë antiepidemike, me video dhe audio, po shoqëron "Chang'e-5" gjatë tërë procesit. Për shumë vjet, njerëzimi ka provuar të eksplorojë dhe komunikojë në mënyrë zanore në kozmos, dhe tani po shtohen edhe zërat nga Kina.
Zëri i parë kinez në hapësirë u dëgjua për herë të parë para gjysmë shekulli. Më 24 prill të vitit 1970, kënga "Lindja e kuqe" filloi të transmetohej në salitetin e parë kinez "Lindja e Kuqe-1", duke shpallur praninë e Kinës në kozmos.
Në vitin 2007, sateliti i parë kinez për kërkime në Hënë "Chang'e-1", që u lëshua me sukses, mbajti me vete mbi 30 pjesë muzikore kineze. Pasi mbërriti në orbitën e caktuar, nga sateliti, që ishte mbi 380 mijë kilometra larg Tokës, u transmetua drejt planetit grupi i melodive të përzgjedhura që përfaqësonin muzikën kineze.
Në vitin 2008, kënga "Nëpër mijëra male dhe lumenj", e kënduar nga këngëtari tajvanez Jay Chou për Lojërat Olimpike të Pekinit, u dëgjua gjatë eksplorimit të anijes kozmike me astronautë "Shenzhou-7".
Yang Yuguang, zv.presidenti i Komitetit të Transportit Hapësinor të Federatës Ndërkombëtare të Astronautikës, shprehet se, për shkak se zëri nuk mund të transmetohet drejtpërdrejt në hapësirë, këta zëra janë transmetuar nëpërmjet radiovalëve.
"Zëri është një formë e valëve mekanike, për transmetimin e të cilave kërkohet një ndërmjetës, si ajri ose uji. Por në kozmos mungon një mjedis i tillë, prandaj zëri nuk përhapet në hapësirën kozmike. Që të dëgjojmë zërin e transmetuar nga hapësira, duhet të mbështetemi te radiovalët. Së pari, duhet ta shndërrojmë zërin në radiovalë dhe ta dërgojmë në Tokë. Edhe për procesin e anasjellë veprohet njësoj", tha z. Yang.
Zëri kryen edhe detyrën për eksplorimin prej njeriut të qytetërimeve jashtëtokësore. Më 5 shtator të vitit 1977, sonda amerikane "Voyager-1" u nis nga Toka, duke nisur një udhëtim të gjatë kozmik. Ajo mbart me vete një disk magnetik prej bakri, në të cilin janë regjistruar përshëndetjet e njerëzve të Tokës në 55 gjuhë e dialekte.
Ndër to përfshihen edhe gjuha mandarine, kantoneze dhe dialekti wu të Kinës.
Sipas z. Yang, sonda kozmike që ka fluturuar më larg deri tani është "Voyager-1". Disku që mban ajo, me dizenjim të veçantë, mund të ruhet për një kohë të gjatë në hapësirën kozmike. Megjithëse kjo mënyrë e eksplorimit të qytetërimeve jashtëtokësore përmban faktorë të pasigurt, ajo pasqyron aspiratën e njerëzimit për eksplorimin e një bote të panjohur.
(Zhang Yan/Artan)