贫困---[pín kùn]---varfëri

"Zhvillimi është çelësi i përgjithshëm për zgjidhjen e problemit të varfërisë", theksoi presidenti i Kinës Xi Jinping më 22 nëntor, kur shtjelloi mendimin e tij për zhvillimin e vazhdueshëm në fazën e dytë të Samitit të 15-të të G20-s.

Më 23 nëntor, provinca Guizhou e Kinës Jugore shpalli daljen nga varfëria të nëntë konteve të fundit të saj. Kështu, të gjitha kontetë e varfra në Kinë i dhanë lamtumirë varfërisë.

Praktika e Kinës po krijon mrekulli në historinë e uljes së varfërisë të njerëzimit, ndërsa përvoja e Kinës i shton besimin dhe forcën nxitëse kauzës së luftës kundër varfërisë në botë, thekson Grupi Mediatik i Kinës në një koment.

Si pasojë e pandemisë, ekonomia botërore ndodhet përpara rrezikut të recesionit. Sipas parashikimit të Bankës Botërore, në vitin 2020 përqindja e varfërisë ekstreme në mbarë botën do të rritet për herë të parë gjatë 20 vjetëve dhe 1 miliard e 500 milionë veta në botë do të kthehen përsëri në gjendjen e varfërisë. Si mund të trajtohen në mënyrë të barabartë përballimi i epidemisë, stabilizimi i ekonomisë dhe sigurimi i jetesës? Si mund të nxitet realizimi i objektivit global të zbutjes së varfërisë? Këto janë problemet e vështira përpara bashkësisë ndërkombëtare.

Përballë situatës shumë serioze, presidenti kinez Xi Jinping theksoi vënien e agjendës së zhvillimit në plan të parë gjatë bashkërendimit të makropolitikave globale. Ai paraqiti tre propozime: "këmbëngulja në përparësinë e zhvillimit", "ndërmarrja e masave e politikave të gjithanshme dhe të barabarta" dhe "krijimi i mjedisit të mirë të ekonomisë ndërkombëtare", që përmbajnë përvojën e mençurinë e Kinës dhe janë këshilla për zgjidhjen e vështirësive globale të zhvillimit.

Krahas konceptit të drejtë, Kina është e gatshme edhe për veprime konkrete. Xi Jinping-u paraqiti edhe një sërë masash kontrete, duke përfshirë dhënien vendeve në zhvillim të përkrahjes së nevojshme në financim, nxitjen e ndërtimit të infrastrukturës dhe të ndërlidhshmërisë, pakësimin e barrierave tregtare, shfrytëzimin e ekonomisë digjitale për lehtësimin e varfërisë etj.

Më e rëndësishmja është se Kina ka synuar dhënien e kontributit për daljen nga varfëria dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sa më shumë vendeve. Duke zbatuar nismën e lehtësimit të borxheve të G20-s, Kina ka pakësuar ose falur borxhe me një vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh amerikanë. Pala kineze do të vazhdojë përpjekjet bashkërisht me palët e tjera për të lehtësuar më tej borxhet ndaj vendeve që ndodhen në vështirësi më të madhe dhe do të inkurajojë institucionet financiare të ofrojnë financim shtesë sipas parimeve të tregut.

Në aspektin e nxitjes së ndërtimit të infrastrukturës dhe të ndërlidhshmërisë, Kina ka kapërcyer goditjet nga pandemia dhe ka ruajtur funksionimin normal të nismës "Një brez, një rrugë". Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, mbi 60 % e të pyeturve nga 12 vende aziatike, afrikane dhe evropiane partnere të kësaj nisme, vlerësuan rolin e ndërmarrjeve kineze në vendin e tyre në ndihmë të përballimit të epidemisë dhe të lehtësimit të varfërisë. Një sërë projektesh në ndërtim e sipër kanë krijuar shumë vende pune dhe kanë nxitur rimëkëmbjen e ekonomive vendore.

"Zhvillimi i përbashkët është zhvillimi i vërtetë," komenton CMG-ja. Kina, që realizoi objektivin e zhdukjes së varfërisë absolute dhjetë vjet para parashikimit dhe që do të hyjë së shpejti në fazën e re të zhvillimit, do të shfrytëzojë më tej epërsitë e veta dhe do t'i ndihmojë vendet në zhvillim të ngrenë aftësinë e tyre në zbutjen e varfërisë, për të punuar së bashku për një botë më të bukur me zhvillim të përbashkët. (Wang Lei)