领导人---[lǐng dǎo rén]---Lider

Të martën në mbrëmje u zhvillua samiti i 12-të i liderëve të vendeve të BRICS-it. Presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm me titull "Të ndihmojmë njëri-tjetrin për të kapërcyer epideminë dhe të forcojmë bashkëpunimin". Në fund u miratua "Deklarata e Moskës mbi Samitin e 12-të të Liderëve të BRICS-it".

Samiti u kryesua nga presidenti rus Vladimir Putin dhe në të morën pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping, kryeministri indian Narendra Modi, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe presidenti brazilian Jair Bolsonaro.

Në fjalën e tij, Xi Jinping-u theksoi se aktualisht, epidemia e këtij shekulli dhe ndryshimet në shekullin e kaluar janë të ndërthurura dhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohet thellësisht. Shoqëria njerëzore po përjeton pandeminë më të keqe të sëmundjeve infektive në një shekull dhe ekonomia botërore po përjeton recesionin më të keq që nga Depresioni i Madh në vitet '30 të shekullit të 20-të. Në një moment kaq të rëndësishëm, mbajtja e këtij takimi ka një rëndësi të veçantë.

"Ne besojmë me vendosmëri se tema e epokës e paqes dhe zhvillimit nuk ka ndryshuar dhe se prirja e multipolarizimit të botës dhe e globalizimit ekonomik nuk mund të kthehet prapa. Ne duhet të marrim parasysh mirëqenien e njerëzve, të mbështesim konceptin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe të ndërmarrim veprime praktike për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë," u shpreh Xi.

Më tej në fjalën e tij, Xi Jinping-u theksoi: "Së pari, duhet t'i përmbahemi multilateralizmit dhe të ruajmë paqen dhe stabilitetin botëror. Së dyti, duhet t'i përmbahemi solidaritetit dhe bashkëpunimit për të kapërcyer sfidat e epidemisë. Së treti, duhet t'i përmbahemi hapjes dhe inovacionit për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike botërore. Së katërti, duhet t'i japim përparësi jetesës së njerëzve dhe të nxitim një zhvillim të qëndrueshëm global. Së pesti, duhet t'i përmbahemi zhvillimit të gjelbër e me lëshim të ulët karboni dhe të promovojmë bashkëjetesën harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës".

Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina do të nisë një udhëtim të ri të ndërtimit të gjithanshëm të një vendi modern socialist. "Ne do të shfrytëzojmë shkencërisht fazën e re të zhvillimit, do të zbatojmë në mënyrë të vendosur konceptin e ri të zhvillimit dhe do të ndërtojmë në mënyrë aktive një model të ri zhvillimi. Dera e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por vetëm do të hapet gjithnjë e më shumë. Kina do të integrohet më aktivisht në tregun global dhe do të thellojë në mënyrë më aktive bashkëpunimin e jashtëm, në mënyrë që të krijojë më shumë mundësi dhe hapësirë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore", tha kreu i shtetit i Kinës.

Duke u përqendruar në temën "Thellim i partneritetit të BRICS-it dhe promovim i stabilitetit global, sigurisë së përbashkët dhe rritjes inovative", udhëheqësit e pesë vendeve diskutuan planin e bashkëpunimit antiepidemik, hartuan një projekt për zhvillimin e BRICS-it dhe shkëmbyen pikëpamje të thelluara mbi bashkëpunimin në kuadër të kësaj organizate dhe lidhur me situatën e tanishme ndërkombëtare, duke arritur një konsensus të gjerë. Ata thanë se përballë epidemisë së re, të pesë vendet duhet të bashkohen dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, të forcojnë bashkëpunimin në fushën e vaksinave dhe barnave, të mbështesin Organizatën Botërore të Shëndetësisë në luajtjen e një roli të rëndësishëm koordinues, të kundërshtojnë politizimin e epidemisë, të ruajnë stabilitetin e zinxhirit industrial e zinxhirit të furnizimit dhe të promovojnë realizimin e rimëkëmbjes dhe rritjes së ekonomisë botërore. Liderët e BRICS-it u shprehën gjithashtu për promovimin e partneritetit ekonomik të vendeve të BRICS-it dhe thellimin e bashkëpunimit konkret në tregti dhe investime, ekonominë digjitale, inovacionin teknologjik, energjetikë, ndryshimin e klimës dhe fusha të tjera. Ata kërkuan forcimin e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, duke përfshirë bashkëpunimin në fusha të tilla si kundërterrorizmi, antikorrupsioni, siguria në hapësirë dhe siguria kibernetike, si edhe respektimin e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve paqësore. Gjithashtu ata bënë thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve njerëzore dhe thellimin e miqësisë midis popujve. Udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e ngushtë për çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, t'i përmbahen multilateralizmit, të përmirësojnë qeverisjen globale, të ruajnë rendin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara si thelb e sistemin tregtar shumëpalësh të përfaqësuar nga Organizata Botërore e Tregtisë, si edhe të promovojnë ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin (Vera)